1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier: "Fati juaj na dhëmb në zemër"

17 Korrik 2021

Presidenti i Gjermanisë shpreh dhimbjen e thellë për humbjet në zonat e vërshimeve. Presidenti dhe kryeministri i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë vizituan zonat e dëmtuara nga katastrofa e vërshimeve.   

https://p.dw.com/p/3wcRU
Deutschland Unwetter Steinmeier und Laschet in Erftstadt
Fotografi: Staatskanzlei NRW/dpa/picture alliance

"Ne ndajmë dhimbjen me ata, që kanë humbur pjesëtarë të familjes, miq e të njohur", tha presidenti Frank-Walter Steinmeier gjatë vizitës në Erftstadt, në jugperëndim të Këlnit. Në qytetin me 50.000 banorë uji ka nisur të tërhiqet – por po zbulon gjithnjë e më shumë dëme që po duken tani në pirgun e rrënojave. Ushtria ndihmon me autoblinda për pastrimin e zonës nga rrënojat.

Bashkë me kryeministrin e landit të Renaninë Veriore Vestfalisë Armin Laschet presidenti takoi njerëz, që kanë humbur gjithçka, por që kanë mundur të shpëtojnë jetën. Ai falenderoi të gjithë ata, që „kanë dhënë ndihmë profesionale deri në raskapitje.

Deutschland Unwetter Bad Münstereifel nachher
Qendra hitorike në Bad-Münstereifel e shkatërruar nga vërshimetFotografi: B&S/dpa/picture alliance

"Njerëzit kanë besim tek solidariteti"

"Shumë kanë humbur gjithçka, që kanë ndërtuar në jetën e tyre", tha Steinmeier duke nënvizuar, se njerëzit kanë besim, që solidariteti do të vazhdojë edhe kur kjo temë nuk do të dominojë më në fokusin e kryeartikujve.

Kryeministri i landit Laschet u shpreh për një „katastrofë të shekullit" dhe siguroi, që landi i Renanisë Veriore – Vestfalisë do të bëjë „ç‘është e mundur", për të organizuar ndihmat direkte për të prekurit. Do të paguhen para në mënyrë „jo burokratike". Pas kësaj lipset mbështetje strukturore për rindërtimin.

Laschet shprehu mirënjohje, që si federata ashtu edhe landet e tjera kanë premtuar mbështetje.

Ndërkohë arrin në 130 numri i të vdekurve, përmasat e vërteta të katastrofës natyrore janë ende të papërcaktueshme. Në të gjithë landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë deri tani bëhet fjalë për 43 të vdekur. Në zonën e Ahrweilerit në jug të landit Rheinland-Palatinate numri i viktimave ka arritur në 90. Druhet se mund të gjenden ende viktima të tjera nën rrënoja, njofton policia. Deri tani janë regjistruar gjithsej 130 të vdekur.

Ndër viktimat në qarkun Ahrweiler janë edhe dymbëdhjetë banorë të një strehimoreje kujdestarie për persona me aftësi të kufizuara mendore. Ata jetonin në Sinzig, në një qytet të vogël në deltën e lumenjve Ahr dhe Rin, në kufi me Renaninë Veriore -Vestfalinë.

"Uji vërshoi brenda një minute deri në tavanin e kartit të parë", thotë drejtori ekzekutiv i shoqatës së ndihmës për jetën në landin Rheinland-Palatinate, Matthias Mandos. Roja e natës nuk ka mundur t'i çojë në vend të sigurtë të gjithë banorët e strehimores. "Kur ai është kthyer të merrte personin tjetër, ishte shumë vonë."

Shumë njerëz kanë mundur të shpëtohen duke u nxjerrë me helikopterë. Vetëm në Renaninë Veriore – Vestfali janë mobilizuar rreth 22.000 forca të zjarrëfikësit dhe organizatave të ndihmës si THW, Shoqata e Ndihmës Teknike. Po ashtu janë në shërbim për ndihma edhe 900 ushtarë të Bundeswehrit.

Merkel vjen të dielën

Kancelarja Angela Merkel këtë të dielë do të vizitojë zonat e përmbytura në Rheinland-Palatinate. Këtë e konfirmoi zyra e kryeministrit të landit në Mainc. Edhe ministri i Brendshëm Horst Seehofer do të njihet nga afër me ngjedjen në zonat e prekura të hënën (19.07).

Deutschland Unwetter Dernau
Dernau në Eifel, lugina e Ahrit. Lumi ka dalë nga shtrati duke depërtuar deri në katet e para të shtëpive përrethFotografi: Christoph Hardt/Future Image/imago images

Në shumë komuna ende mungon energjia elektrike dhe lidhjet telefonike. Të afërm, miq e të njohur që kërkojnë ndokënd mund të marrin informacion në numrin e telefonit 0800 6565651 të vënë në shërbim nga policia.

Moti pritet të përmirësohet

Ndërkohë moti është në përmirësim dhe reshjet kanë pushuar. Ndonëse sipas të dhënave të shërbimit sinoptik në Gjermanimegjithatë ka ende mot të paqendrueshëm e në zona të caktuara nuk mund të përjashtohen reshjet e dendura.