Stereotipet kundër hebrenjve ekzistojnë ende
8 Dhjetor 2014Të dielën, në periferinë e Parisit Crèteil shumë njerëz dolën nëpër rrugë, sepse donin të jepnin një sinjal. Kundër armiqësisë ndaj hebrenjve dhe kundër dhunës. Sulmi kundër një çifti të ri hebrenjsh këtë javë në Francë e shokoi opinionin. Me sa duket dorasit e rinj i zgjodhën viktimat sepse qenë hebrenj- prandaj ata kujtuan se ata kishin shumë para. Këtë ata edhe e kanë thënë kur hynë në banesën e çiftit. Ata e grabitën çiftin, e përdhunuan gruan dhe u zhdukën. Ndërkohë, tre persona të dyshuar si doras janë arrestuar.
Kjo ngjarje shtron pyetjen, sa antisemite është bërë me të vërtetë shoqëria franceze. Sepse sulmet dhe eksceset kundër pronës së hebrenjve në Francë aktualisht po shtohen dukshëm. Që nga parullat e shkruara me bojë në mirë si "hebrenj, ikni" deri në plagosjen e rëndë trupore: vetëm deri në verë, Ministria e Brendshme regjistroi më shumë se 500 incidente antisemite, më shumë se gjithë vitin e kaluar. Edhe sinagogat dhe dyqanet e hebrenjve janë bërë objekte sulmi, para së gjithash në korrik, gjatë luftës në Gaza.
Kryeministri Manuel Valls ka folur për një "formë të re antisemitizmi". Tani ai po përdor fjalë më drastike dhe flet për "horrorin e Creteil-it". Lufta kundër antisemitizmit është një betejë që duhet zhvilluar përditë, tha kryeministri. Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve e quajti në mitingun e së dielës në Creteil "sëmundje sociale" antisemitizmin.
Pozicioni i veçantë i Francës
Si në shumë vende, edhe në historinë e Francës, pushtetmbajtësit kanë dëbuar herë pas here hebrenj. Megjithatë, Franca gëzon një pozicion të veçantë, thekson historiania e Berlinit, Marie-Christine Lux. "Që prej revolucionit francez, në Francë ka komunitete të mëdha hebreje, ky vend ishte i pari që u ka dhënë hebrenjve të drejta qytetare, shumë kohë para Gjermanisë ose vendeve evropianolindore". Shumë hebrenj e ndiejnë veten në shtëpinë e tyre në Francë, e ndiejnë veten në radhë të parë francezë, pastaj hebrej. Po t'u besosh sondazheve, gjithmonë e më shumë francezë mendojnë ndryshe. Rreth 40 përqind e mbështetësve të Partisë së suksesshme të djathtë Front National mendojnë se francezët e besimit hebre nuk janë kaq francezë, sa francezët e tjerë. Ky është rezultati i një studimi të qendrës kërkimore Fondapol.
Ky studim konfirmon edhe sa të përhapura janë paragjykimet. Një në pesë të pyetur mendon se hebrenjtë kanë tepër shumë pushtet politik, një në katër vetë e konsideron ndikimin e hebrenjve në botën financiare shumë të madh dhe një ndër dhjetë vetë do të preferonte të mos kishte një punëdhënës hebre.
Agjencia Hebreje për Izraelin bën të ditur se Franca kryeson vendet prej të cilave hebrejtë emigrojnë. Rreth 5000 hebrej francezë u larguan këtë vit në Izrael. Aktualisht në Francë jetojnë më shumë se një gjysmë milioni hebrenj, në të gjithë Evropën ky është numri më i madh dhe në të gjithë botën vendi i tretë pas SHBA dhe Izraelit.