Stop SIDA - Mbaj premtimin!
1 Dhjetor 2008Një qendër zëri e lëvizshme përshkron rrugët kryesore të Tiranës, duke lëshuar slogane dhe informacione mbi përhapjen e sëmundjes në Shqipëri dhe në vende të tjera. Aktivistët e Kryqit të kuq kanë ngritur një çadër të rrethuar me postera e banderola në krah të bulevardit të madh të kryeqytetit. Të rinjtë që punojnë për organizatën, shpërndajnë për qytetarët fletëpalosje, ju dhurojnë disktivin simbolik të fjongos, si dhe afrojnë bashkëmoshatarë të tyre, duke biseduar mbi informacionin që ata kanë për "sëmundjen e shekullit", si ata mund të mbrohen nga infektimi, si i trajtojnë të prekurit etj.
Luljeta Hidi, kordinatore projektesh, ne Kryqin e Kuq, thotë për Dojce Velen se aktiviteti më i madh do të jetë marshimi përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit; me qirinjë në duar, "për t'i kujtuar qytetarët ndaj rrezikut të përhapjes së sëmundjes, si dhe për një sjellje më njerëzore ndaj atyre që janë të prekur me SIDA". Kurse sekretarja e përgjithshme e orgnizatës Angjelina Pulluqi, thotë se "aktivitete ndërgjegjësuese nuk zhvillojmë vetëm gjatë ditës ndërkombëtare, por sipas një kalendari të planifikuar, gjatë gjithë vitit, si ekspozita, konkurse, biseda me eskpertë të fushës etj."
Nga viti 1993, kur u regjistrua rasti i parë zyrtar i të prekurit me SIDA në Shqipëri, numri deri në fund të muajit nëntor të këtij viti ka shkuar në 291. Mosha më e prekur, sipas autoriteteve shëndetësore, është nga 15 deri në 44 vjeç. Nga të dhënat zyrtare vetëm gjatë vitit 2008 janë diagnostikuar 35 raste të reja të të prekurve me këtë sëmundje. Pra shifrat flasin se vendi ka prevalencë të ulët të rasteve të infektuara që diagnostifikohen, por numri i të prekurve rritet nga viti në vit.
Shoqata joqevritare "Aksion Plus", e themeluar që nga viti 1993, me mbështetjen dhe të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, ka hapur një panair në ambjetet e Galerisë së Arteve me sloganin kryesor "Stop SIDA-Mbaj premtimin!". Drejtuesi i "Aksion Plus", Genc Muçollari, thotë për DW, se meqënëse dita e hënë është ditë pushimi për shkollat e të gjitha niveleve, "atëhere fushata sensibilizuese do të vazhdojë dhe gjatë ditëve të tjera të javës. Kryesisht do të përqëndrohemi tek shkollat e mesme, jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe. Krahasuar me vite më parë, kur mbështetja e autoriteteve zyrtare ka qënë minimale, tashmë vihet re më shumë preokupim, duke na u akorduar më shumë fonde për projektet që realizojmë. Ne jemi fokusuar më shumë tek pjesa më e margjinalizuar e shoqërisë, siç janë përdoruesit e drogave, punëtorët e seksit, apo dhe në rradhët e komunitetit rom".
Muçollari duke komentuar shifrat zyrtare që jepen për të prekurit nga SIDA, thotë se ato duhen parë me një lloj rezerve, pasi "infrastruktura shëndetësore e Shqipërisë është me probleme, dhe sisitemi i survejancës është i mangët. Pra, jo të gjitha rastet që identifiohen si të prekur përbëjnë numrin total. Ka dhe raste të padiagnostifikuara, të cilat e bëjnë realitetin të ketë shifra të tjera".