Sulme balenash mbi varkat: Lojë apo më shumë?
28 Qershor 2023Në fillim u pa vetëm një balenë e vetme orca që hidhej në ujë dhe zhytej midis bashit dysh të katamaranit, 14 metra të gjatë. "Kur e pamë na u duk sikur kërkonte diçka,” thotë Amy, që ndodhej vetë në varkë së bashku me ekipin katërvëtsh. Ata po vinin nga Greqia për të kaluar Ngushticën e Gjibraltarit.
Pak minuta më vonë balena u kthye sërish, me një balenë tjetër. Më vonë numri i kafshëve që rrethoi varkën arriti në pesë ose gjashtë, tregon Amy.
"Nuk kisha frikë", thotë e reja. Në atë moment ajo nuk e kishte shumë të qartë që ndërkohë kishte pasur qindra incidente të ngjashme me atë që përjetoi ajo. Disa nga varkat madje ishin dëmtuar aq shumë nga balenat, saqë u mbytën. Por deri tani asnjë person nuk e ka humbur jetën.
Lundruesit e varkave me vela kanë filluar të njoftojnë për sulme të balenave mbi varkat e tyre që ndodheshin në Ngushticën e Gjibraltarit ose përgjatë bregdetit iberik të Atlantikut, që prej mesit të korrikut të vitit 2020. Kjo sjellje e paparë më parë tek balenat është shfaqur fillimisht tek dy-tre kafshë, ndërkohë numri i balenave të llojit iberika, që kanë filluar të pëlqejnë të rrethojnë varkat, të kafshojnë lopatat e lundrimit dhe të luajnë me to si me top loje, ka arritur në 16.
Orcat, që quhen edhe balena sulmuese, balena shpatë ose balena vrasëse, bëjnë pjesë në familjen e delfinëve. Ato jetojnë po aq gjatë sa njeriu dhe gjatë kësaj kohe mbajnë kontakt social me grupin e tyre. Popullsitë e ndryshme të orcave shfaqen kudo, si në ujërat e akullta të Antarktikut ashtu edhe në ujërat e Tropikut, shfaqen në ujërat bregdetare ashtu si edhe në det të hapur,
Shkencëtarët kanë parë se çdo grup ka zhvilluar preferencat e veta për ushqimin, gjuhën dhe sjellen që përdor. Deri tani vetëm balenat iberika kanë zhvilluar preferencën për të rrethuar varkat.
Mbas 20 minutash balenat u larguan nga varka e Amy-t. Por në ato 20 minuta ekipi përjetoi një lundrim emocional, ku magjepsja për shfaqjen e kafshëve dhe forcën e madhe të tyre, këmbehej me eksitimin dhe pyetjen sa e dëmtuar do të ishte varka në fund fare. "Tingëllon mbase qesharake, por në asnjë moment nuk menduam se kafshët po na sulmonin,” thotë Amy. U duk më shumë si lojë.
Pse i rrethojnë balenat varkat?
Edhe për biologen Monika Wieland Shields ky është shpjegimi më i mundshëm për sjelljen e balenave orca.
"Nëse ato do të sulmonin, dëmet do të ishin shumë më të mëdha,” thotë studiuesja e sjelljes së kafshëve dhe drejtoreshë e institutit Orca Behavior Institute, një organizatë shkencore që merret me studimin e sjelljes së dy grupeve të balenave që ndodhen në bregdetin amerikan të shtetit të Uashingtonit.
Megjithatë mes shkencëtarëve është duke u diskutuar teza nëse kafshët duan të hakmerren për padrejtësitë që kanë hequr. Në të kaluarën balenat janë vrarë shpesh nga shigjetat e harpunave ose nga takime të llojeve të tjera me njeriun. Në Ngushticën e Gjibraltarit ka trafik të madh anijesh, zhurma rëndon shumë kafshët. Përveç kësaj balenat iberika konkurrojnë me njeriun për ushqimin e tyre bazë: peshkun tuna. Por të gjitha këto deri tani nuk i kishin nxitur kafshët të sulmonin njeriun me qëllim.
Në vitet 1960 dhe 1970 në brigjet e Uashingtonit janë kapur kafshë të vogla që u janë marrë mamave dhe janë nxjerrë nga uji, tregon Wieland Shields. "Nëse do të kishte diçka që do të ndizte agresivitetin, atëherë unë do të mendoja se një situatë e tillë do ishte shkaktare,” thotë biologia. Por në atë kohë në ujë ka patur madje zhytësa dhe delfinët nuk u kanë pas bërë asgjë atyre.
Gjë që nuk do të thotë se hakmarrja e qëllimshme përjashtohet krejt si mundësi për rrethimin e varkave. Por Wieland Shields nuk ka dëshmi për këtë tezë. Shpjegimi i saj dhe ekspertëve të tjerë për sjelljen e balenave bazohet në vëzhgimet që studiuesit e kafshëve bëjnë prej dekadash, sipas të cilit delfinët dhe orcat kanë prirje për të zhvilluar zakone të reja.
Në vitet 1980 një delfin në brigjet e Uashingtonit filloi të mbante mbi kokë një salmon të ngordhur. Nuk kaloi shumë kohë dhe delfinët e tjerë filluan po ashtu të zbukuroheshin me një salmon që e mbanin si kapele. Vitin tjetër magjepsja për mbulimin e kokës filloi të binte deri sa u zhduk krejt.
Edhe bovat apo rrjetat e lëna në ujë nga peshkatarët e karkalecave kthehen herë pas here në lodra për lojrat e balenave. Për një kohë të caktuar shumë balena bëjnë të njëjtën gjë, deri sa u bie interesi dhe bovat zhduken në det ose dalin nga moda. "Sidomos balenat e mitura sillen kështu,” thotë Wieland Shields.
Kurioziteti, dëshira për të eksperimentuar dhe sjellja pa edukatë që i kapërcen kufijtë kollaj, janë sjellje të adoleshentëve. Ka mundësi që kjo të vlejë edhe për orcat.
"Ne priremi të besojmë se disa sjellje janë vetëm të njeriut,” thotë studiuesja e mënyrave të të sjellurit, Wieland Shields. Këtë ide unë shpesh e kam parë të jetë e gabuar.
"Për një kohë të gjatë ne mendonim se vetëm njeriu përdor vegla ose se kultura është vetëm e njeriut. Sa më shumë që merremi me studimin e specieve të tjera, aq më shumë shohim se kjo nuk është e vërtetë,” thotë Wieland Shields. Për biologen që merret me studimin e sjelljes nuk është e tepruar të bëhen paralelizma midis balenave të mitura dhe njeriut në moshë të re.
Pse bëhen balenat agresive?
"Truri i balenave është i aftë për emocione shumë të komplikuara,” shpjegon Wieland Shields. Kurioziteti, kënaqësia, dëshira për të luajtur, bëjnë pjesë në spektrin e ndjenjave që ato kanë po ashtu si frustrimi, frika ose inati. Kjo e fundit shihet sidomos tek balenat e kapura që mbahen të izoluara.
Megjithëse deri tani nuk janë dokumentuar sulme vdekjeprurëse të balenave orca që jetojnë të lira mbi njeriun, lista e sulmeve të orcave që mbahen në parqe zoologjike si Sea World, gjatë të cilave njerëzit janë plagosur rëndë ose kanë humbur jetën është e gjatë.
Për Wieland Shields sjellja e orcave dhe e delfinëve që mbahen në robëri tregon për kompleksitetin e personalitetit të tyre: megjithëse niveli i tolerancës së disa kafshëve është i lartë, disa kafshë të tjera nuk adaptohen dot me jetën në bazenat e betonit dhe kufizimet e përditshme.
Prandaj për Wieland Shields është e qartë: "Kur kushtet janë të vështira mjaft, ato mund të provokojnë sjellje të tilla anormale.” Për biologen kjo do të thotë edhe se, nëse balenat iberika do të kishin vërtet plane për t'i fundosur varkat, atëherë nuk do ta kishin të vështirë.