1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Super shkollat” - Projekt me të rinj serbë dhe kosovarë

14 Qershor 2022

15 nxënës të shkollave të mesme nga Serbi dhe 15 nxënës të shkollave të mesme nga Kosova u mblodhën me projektin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor - RYCO “Super Schools” në Prizren.

https://p.dw.com/p/4CeCZ
Kosovo "Super schools" Projekt zwischen serbischen und kosovarischen Schulen
Fotografi: Vjosa Çerkini/DW

18-vjeçarja Isidora Petkovic, nxënëse nga Novi Pazari, është për herë të parë në Kosovë. Ajo nuk dinte shumë për kulturën e shqiptarëve dhe është kurioze për xhaminë në Prizren dhe pör të mësuar më shumë rreth saj. Projekti "Super Shkollat" i dha asaj mundësinë të njohë aspekte të reja të jetës kosovare.

"Është hera ime e parë në Kosovë dhe nuk e prisja një atmosferë dhe përvojë kaq të mrekullueshme. Takova shumë njerëz dhe mësova diçka të re. Në një trekëndësh ka një xhami, një kishë dhe një katedrale, gjë që është e mahnitshme dhe më pëlqeu shumë. Më pëlqen kjo ndjenjë dhe sa miqësorë janë njerëzit këtu." - thotö Isidora Petkoviq - nxënëse nga Serbia.

Kosovo "Super schools" Projekt zwischen serbischen und kosovarischen Schulen
Fotografi: Vjosa Çerkini/DW

Projekti "Super Shkollat” është shkëmbimi i parë mes shkollave të mesme nga Serbia dhe Kosova. Mësimi ndërkulturor në dialog ishte fokusi i pjesëmarrësve për të ndërtuar marrëdhënie mes tyre dhe për të ruajtur kështu paqen afatgjatë.

Ky projekt i dha mundësinë Orges Ramabajës nga Prishtina t'u tregojë për kulturën kosovare miqve të tij serbë.

 Serbien und Kosovo "Super schools"
Orges RamabajaFotografi: Vjosa Çerkini/DW

"Kemi krijuar një afërsi shumë të mirë, në të njëjtën kohë kemi bërë miq dhe edhe kemi punuar bashkë, si në shkollë ashtu edhe në vendet që kemi vizituar. Kemi kaluar shumë mirë së bashku dhe besoj se do të mbetemi në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin edhe më pas." - tregon Orges Ramabaja - nxënës nga Kosova.

Që nga rënia e ish-Jugosllavisë shumë luftëra kanë prishur bashkëjetesën mes banorëve. Projekti "Super Shkollat" e lufton këtë problem. Cikli i parë i projektit përfshin 60 shkolla të mesme nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Kosovo "Super schools" Projekt zwischen serbischen und kosovarischen Schulen
Fotografi: Vjosa Çerkini/DW

Dordo Cvijovic, nga dega lokale e RYCO-s në Serbi, thotë se "qëllimi kryesor është të lidhim nxënësit e shkollave të mesme nga Ballkani Perëndimor nga rajoni ynë dhe t'u japim atyre mundësinë të takohen dhe të thyejnë stereotipet dhe paragjykimet ekzistuese që kanë për shkak të familjarëve të tyre apo atyre që dëgjojnë nga mediat etj."

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë filloi në vitin 1991 me Slloveninë dhe përfundoi në vitin 1999 me Kosovën. Nxënësit e shkollave të mesme që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të RYCO as nuk kishin lindur në atë kohë. Ata i dinë historitë për vendet fqinje vetëm nga prindërit e tyre ose nga media.

 Serbien und Kosovo "Super schools"
Isidora Petkoviq nga Novi PazariFotografi: Vjosa Çerkini/DW

"Në fakt e njoha Kosovën dhe mentalitetin, kjo është gjëja më e mirë që do të marr me vete në Serbi. Unë do t'u them njerëzve të vërtetën për Kosovën dhe që ata nuk duhet të dëgjojnë ato që thuhen në TV." - thotö Isidora Petkoviq.

Kurse Orges Ramabaja, thotö se "takimi me ta pati një efekt shumë të mirë duke kapërcyer disa pengesa dhe disa mendime të gabuara që kishim për ta. Nuk i kam pasur unë, por në përgjithësi kemi lënë përshtypje shumë më të mirë dhe kemi krijuar një lidhje më të qartë e më të mirë mes nesh. Projekti "Super shkollat” do të vazhdojë edhe për tre vitet e ardhshme. Ky do të jetë një shans për të rinjtë që të mësojnë më shumë për fqinjët e tyre.

Portret në sfond të bardhë: Vjosa Çerkini me flokë të gjata të zeza dhe një xhaketë me kuadrata të vegjël.
Vjosa Çerkini reportere, autore nga Evropa Juglindore