BE pa unitet për Lindjen e Mesme
23 Tetor 2023Kërkimi i rrugëve të dhënies fund të luftës ose të paktën të pengohet që i gjithë rajoni i Lindjes së Mesme të ndizet në flakë - këtu do të fokusohen ministrat e Jashtëm të BE që takohen të hënën (23.10.) në Luksemburg. Por më parë ata duhet të bëjnë bilancin kritik për atë që është bërë deri më tani. Politika e BE në drejtim të Lindjes së Mesme prej dy javësh të krijon përshtypje kaotike, të duket se është e përcaktuar më shumë nga interesat kombëtare dhe qëllimet personale. Pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor doli komisioneri i BE për ndihmat dhe shpalli ndalimin e ndihmës së zhvillimit për palestinezët. Pastaj kjo u korrigjua, natyrisht që ndihmat humanitare për njerëzit në nevojë do të vazhdojnë. Më pas shpërthyen kritika ndaj presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të paktën tek ata që u qëndrojnë më pranë palestinezëve se izraelitëve.
Akuza kundër von der Leyen: Presidentja e KE vendosi theksin e gabuar me vizitën e solidaritetit në Izrael. "Izraeli ka të drejtën të vetëmbrohet", tha Ursula von der Leyen në konferecën e përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu gesagt. Këtu kritikët shprehën pakënaqësinë, se pse von der Leyen nuk tha: vetëmbrojtje po, por brenda kufijve të së drejtës ndërkombëtare. Që presidenti francez, Macron më parë ishte shprehur pak a shumë kështu, Izrael ka të drejtë të vetëmbrohet, e të kundërgodasë, "fort dhe i drejtë", nuk u regjistrua shumë në Bruksel.
Gjermanja "nuk flet për Irlandën"
Von der Leyen foli në Izrael para pamjeve të fëmijëve të përdhosur, të prindërve të rinj, që fshehën fëmijët para se të vriteshin nga terroristët islamistë. Më pas nga qarqet e saj u tha, se në bisedë me Netanjahun, ajo është lutur për reagim të përmbajtur. A është ky një pozicion gjerman? Të paktën një që nuk i përgjigjet vijës zyrtare të BE, akuzojnë kritikët. Presidenti irlandez, Michael Higgins është më kritiku. Sipas gazetës "Independent", ai është shprehur, se gjermanja "nuk flet për Irlandën". Një vend që tradicionalisht ka qëndruar në anën e palestinezëve. Në një kohë që von der Leyen nuk hezitoi edhe para Netanjahut të fliste për gjendjen e vështirë të palestinezëve. Por ndryshe nga sa e kanë dëshiruar kundërshtarët e saj. "Tmerri që shpërtheu Hamasi", tha ajo "sjell edhe më shumë vuajtje tek palestinezët e pafajshëm". Edhe ata janë të kërcënuar. Një pozicion ky i dëgjuar edhe nga kancelari gjerman, Scholz. Që presidentja e KE, pas kthimit nga Izraeli, disa herë kujtoi të drejtën ndërkombëtare të kuadër të reagimit izraelit, nuk mjaftoi për të qetësuar gjakrat e kritikëve.
Pikërisht kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell ishte ai që evakuimin e urdhëruar nga Izraeli për njerëzit në Gaza e quajti në thelb një thyerje të së drejtës ndërkombëtare. Politikanët qeveritarë në Spanjë mendojnë kështu, dhe kanë kërkuar madje që tani armëpushim. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel e shikon situatën aktuale si një sfidë personale. Nga rrethi i tij dëgjohet, se von der Leyen nuk është përgjegjëse për politikën e jashtme të BE, por vendet anëtare. Por përsa i përket statuteve, është e hapur pyetja, pse presidentja e KE nuk duhet të bënte një vizitë solidariteti në Izrael. Në vizitat e von der Leyen në Kiev nuk janë dëgjuar akuza të tilla. Charles Michel prej kohësh sheh tek von der Leyen një konkurrente personale, që mbledh pikë në parketin ndërkombëtar të politikës, ndërkohë që ai e ka të vështirë të shkëlqejë si ajo. Michel tani ka kërkuar që vendet anëtare të marrin në dorë krizën në Lindjen e Afërt. "Nën një monitorim të vazhdueshën dhe në shkëmbim me ne!"
Mungon pozicioni i njësuar në BE
Luftërat personale të të dy krerëve të BE nuk janë e vetmja vatër e trazuar në BE, dhe që e bën Europën të duket e dobët në luftën që ka shpërthyer në Lindjen e Afërt. Edhe qeveritë e vendeve të BE nuk janë në një qëndrim. Nga njëra anë vendet që tradicionalisht kanë mbajtur anën e palestinezëve, si Belgjika dhe Luksemburgu, por edhe vende të mëdha si Spanja apo Irlanda. Për një kohë të gjatë këtu bënte pjesë edhe Franca. Para sfondit të atentateve nga terroristë islamitë, duket se presindeti francez po riorientohet edhe nga shqetësimi për rritjen e së djathtës ekstreme në vend.
Ministri i Brendshëm francez pas vrasjes së një mësuesi, bëri fjalë për një "atmosferë të xhihadizmit" në vend. Shumë francezë kanë frikë nga importimi i konfliktit, të tjerë thonë ai ka kohë që është aty. Në Francë jeton komuniteti më i madh hebre në Europë, rreth 500.000 vetë. Pas sulmit terrorist të Hamasit, Macron siguroi. "Ky është detyrimin ynë më i rëndësishëm që të mbrojmë hebrenjtë në vendin tonë." Nga qarqet diplomatike në Bruksel, thuhet, se presidenti francez lëviz sa andej-këtej mes pozicioneve të vjetra në politikën e jashtme.
Duhet një kurs i përbashkët në BE. Në krye të vendeve që qëndrojnë shprehimisht dhe patundur në krah të Izraelit janë Gjermania, Austria, Hungaria. Nga qarqet diplomatike gjermane thuhet se ky grup përbën madje shumicën. Por nuk bëhet fjalë për shumicën në politikën në Lindjen e Afërt, por për një politikë që ta mbështesin të gjithë. Gjetja e këtij kursi të përbashkët është detyra e ministrave të Jashtëm në takimin e tyre. Ministrja gjermane, Annalena Baerbock, mori pjesë në samitin e Lindjes së Afërt në Kajro dhe vendosi dy piketa: Ajo siguroi Izraelin për solidaritetin e plotë në luftë kundër terrorit të Hamasit dhe u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtare për më shumë ndihma për njerëzit në Gaza. Gjermania e rriti ndihmën humanitare në 50 milionë euro- pyetja që shtrohet, është se sa nga këto ndihma mbërijnë tek civilët në nevojë për shkak të sulmeve të dyanshme nga Gaza dhe Izraeli.
Marrë nga tagesschau
Helga Schmidt/ARD