Sarkozy Merkel
17 Qershor 2011Po të lexoje numrin e së enjtes të gazetës ekonomike franceze "Les Echos" dhe atë të gazetës gjermane „Süddeutsche Zeitung“, konstatoje se Gjermania dhe Franca jetojnë në dy planete të ndryshme sai takon qendrimit ndaj krizës greke. Ato njoftonin për takim e krizës mbajtur në Bruksel, në orët e vonëta të mbrëmjes nga ministrat e financave të BE-së. Për gazetën gjermane kishte një bllokadë të përgjithshme të shumë ministrave, të cilët madje e refuzojnë takimin. Ndërsa gazeta franceze shkruan për një bllokadë nga ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, çka e dënoi të dështojë takimin.
Sidoqoftë Nicolas Sarkozy e sheh veten si njeri kompromisesh: „Ajo për çka na nevojitet më shumë sot është uniteti. Zënka mes vendeve të veçanta duhet të marrë fund. Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve të tregojnë përgjegjësi dhe gatishmëri për kompromiset e nevojshme mbi të cilat është ndërtuar Evropa."
Këto kompromise duhen arritur më e vonëta në samitin e javës së ardhshme të BE-së, pasi nëse Unioni nuk arrin të rigjallërojë planin e shpëtimit për Greqinë, FMN mund të refuzojë pjesën e tij prej 12 miliardë eurosh. Falimentim i Greqisë?
Për presidentin francez një situatë e papërfytyrueshme: „Ne duhet të mbrojmë monedhën e përbashkët, duhet të mbrojmë institucionet tona evropiane. Është detyra jonë të bëjmë gjithçka për të ruajtuar stabilitetin e eurozonës. Pa stabilitet nuk ka rritje ekonomike."
Ajo për të cilën Sarkozy, preferon të heshtë është se në çështjen e Greqisë Franca ka interesa të ndryshme nga Gjermania. Angela Merkel kërkon të përfshijë në paketën e shpëtimit për Greqinë edhe kreditorët pra bankat, shoqëritë e sigurimeve dhe fondet e investimeve. Franca dhe Banka Qendrore Evropiane nga ana tjetër kërkojnë që pjesëmarrja të jetë vullnetare: bankat duhet të shprehen të gatshme të japin edhe kredi të reja.
Ministri francez për Evropën Laurent Wauquiez shprehet: „Pozicioni i dytë por gjithnjë i qartë i Francës ka qenë: nëse ristrukturim do të thotë që një vend të mos të paguajë borxhet e tij, kjo fjalë nuk do të bëjë pjesë në fjalorin e Francës.“
Arsyeja kryesorë është se bankat e Francës kanë marrë përsipër rreziqe të konsiderueshme në Greqi. Krahas kredive "zyrtare" të instituteve franceze të kredisë, janë edhe ato të kompanive bija greke: gjithsej 40 miliardë euro.
Megjithëse shumë gazeta flasin për një krizë të vazhdueshme mes Parisit dhe Berlinit, ka edhe tema për të cilat ka konsensus: kandidatura e ministres franceze të Ekonomisë Christine Lagarde, për tu bërë drejtore e FMN-së është njëra prej tyre. Mosmarrëveshje ka edhe më tej mes Parisit e Berlinit në temat e Libisë dhe energjisë bërthamore. Në Francë në radhët e qeverisë dhe ekonomisë askush nuk e kupton largimin e Gjermanisë nga energjia bërthamore.
Autor: Johannes Duchrow / Eliana Xhani
Redaktoi: Aida Cama