Tema provokuese - Festivali ndërkombëtar për të drejtat e njeriut në Tiranë
2 Tetor 2009Salla e kinemasë së Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” në Tiranë, është shndërruar këto ditë në një miniplanet, ku flitet me shqetësim për cënimin e lirive dhe të drejtave njerëzore. Produktet filmike kanë gjeografi mjaft të gjerë, me subjekte që vijnë nga Peruja Libani, Kosova, Kina, Rusia, Gjermania, Kongo, Shqipëria, SHBA-ja, Spanja, Izraeli, Hollanda, Britania, Bullgaria etj. Pjesëmarrësit në edicionin e 4-t të festivalit ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut, ndeshin me një larmi realitetesh.
Filmat synojnë ndezjen e debatit për tema jokomode
Një fluks emocionesh që ngjallin trajtime të temave të tilla si, viktimat e trafikut të drogës, mundimet e një emigrimi klandestin, puna e detyruar fizike për të miturit, përdorimi i tyre edhe si ushtarë, trafiku i qenieve njerëzore, tablo të jetës në minoritet. Por dhe ndëshkimi i grave që dalin jashtë normave të paragjykuara të shoqërisë, përndjekja dhe trysnia ndaj gazetarëve, kushtet në kampet e refugjatëve etj.
Rektori i Akademisë “Marubi”, Kujtim Çashku, që është dhe drejtor i festivalit, thotë për Deutsche Welle-n, se ka dhe produksione që prekin tema provokuese. “Për herë të parë sjellim tema mjaft të debatuara tek ne, por që janë të ezauruara në botë, siç janë homoseksualiteti, travestitët, të gjithë problemet që lidhen me këtë. Madje në Shqipëri aktualisht zhvillohet një debat mbi këtë temë lidhur me ligjin e propozuar përkatës. Trajtohen edhe çështje të tolerancës fetare. Jo në kuptimin thjesht të debatit që ka ngjallur filmi mbi karikaturat e Muhamedit. Por ne i kemi sjellë këto filma që të ngjallin një formë dialogu, që të zgjerojmë tolerancën dhe mundësinë komunikimit me njëri - tjetrin”, thotë drejtori i festivalit, Çashku.
Gjuha e filmit ka impakt të veçantë psikologjik
Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Prof. Aurela Anastasi, vlerëson si të frytshëm harmonizimin e performancës artistike të çdo produksioni filmik, me debatet që organizohen me të ftuarit mbi temat që preken. Ajo thotë për Deutsche Welle-n, se tek çdo njeri gjuha e filmit ka një impakt të veçantë psikologjik. “Sepse njeriu vetvetiu bëhet më i ndjeshëm kur këto të drejta i referohen atij me një gjuhë artistike, mbeten më shumë në mendje. E venë mendjen e njeriut më shumë në punë, për të parë se si tregohen këto ngjarje dhe çfarë mësimesh duhet të nxjerrë ai prej tyre”, shpjegon më tej Prof. Anastasi.
Respektimi i të drejtave të njeriut kërkon përkushtim në praktikë
Presidenti i nderit i Festivalit, Theodore S. Orlin, thotë se qëllimi është sjellja e mesazheve për të drejtat e njeriut, që kalojnë përmes syrit, veshëve, intelektit.
“Ne duhet të largohemi nga kjo sallë më të vendosur, në vetëdijen se respektimi i të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, kërkojnë prej nesh një përkushtim në praktikë. Pasi të drejtat e njeriut nuk janë një studim ekzoterik, por një realitet qendror për mbrojtjen e vlerave thelbësore të qytetërimit tonë” thotë Orlin.
Seancat e Festivalit i ndjek dhe Meleqe Rrënja, aktiviste për të drejtat e komunitetit rom. Duke u ngacmuar nga subjektet e filmave konkurues, ajo evidenton dhe mjaft probleme të mprehta me të cilat përballen romët në Shqipëri.
“Sidomos sa i takon dhunës në familje, barazisë gjinore, trafikimit të fëmijëve, krimit në familje, vetvrasjeve etj. Në programet e qeverisë besoj se do të krijohet ndonjë strategji për fëmijët, familjet, problemet sociale në përgjithësi dhe mendoj, se do të kemi një farë suksesi në të ardhmen”, shprehet znj. Rrënja.
Në festival edhe dy filma gjermanë
Në Festival marrin pjesë edhe dy filma gjemanë. Njëri është i regjizores Alexandra Westmeier dhe flet për kushtet e një shkolle riedukimi në Rusinë rurale. Kurse filmi tjetër është një bashkëproduksion zviceriano-gjerman, që hedh dritë mbi historinë e vrasjes së gazetares Ana Politkovskaja.
Ndër mbështetësit e Festivalit janë dhe ambasada gjermane në Tiranë dhe fondacioni “Friedrich Ebert”. Rektori i akademisë “Marubi", Kujtim Çashku, thotë, se ndihma dhe mbështetja gjermane, ka rol kryesor në aktivitetin e këtij institucioni.
“Kjo akademi filmi është krijuar me një partner kryesor që është shteti gjerman. Kjo do të thotë, se që në zanafillë, në vitin 2004 dhe deri tani, kolona kryesore e kësaj shkolle është shteti gjerman. Ne kemi aktivitete të panumërta, jo vetëm me karakter akademik apo pedagogjik, por dhe ato që kanë të bëjnë me mbrëmje, koncerte, festivale filmi etj”, sqaron Çashku.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Eliana Xhani