1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrori helmon mendimin

24 Korrik 2011

Pak pas atentateve në Norvegji, edhe në Gjermani pati shumë nga ata që mendonin se islamistët, pra Al Kaida, kishin goditur përsëri. Kjo nuk rezultoi e vërtetë. Por përse kaq shumë vetë në Gjermani gabuan kaq shumë?

https://p.dw.com/p/122Fj

Terrori në këto përmasa të lë pa fjalë - pak rëndësi ka nëse vjen nga e djathta apo e majta, nga fundamentalistët e njërës apo tjetrës fe, nga grupe të organizuara apo autorë që veprojnë të vetëm. Dhe për një viktimë të terrorizimit thjesht nuk ka rëndësi se për çfarë idealesh apo në emër të kujt bëhet terror apo lëndohet. Pasi viktimat e terrorit janë të pafajshme. Dhe pikërisht për këtë arsye terrori është aq i urryer, pavarësisht se nga kush ushtrohet.

Terrori është i tillë pasi ka një rreze më të gjatë se viktimat direkte. Terrori ngjall frikë: a do të jetë vallë qyteti im, avioni im, aktiviteti ku do marr pjesë, objektivi i ardhshëm? Para së gjithash politikanët kërkojnë vazhdimisht të mos kemi frikë nga terrori dhe të mos ndryshojmë në asnjë mënyrë sjelljen tonë. Ndryshe terrori do të ketë fituar. Kjo është e vërtetë!

Por terrori ngjall edhe më shumë frikë: frika nga atentatorët e mundshëm. A mos vallë është i rrezikshëm fqinji im apo njeriu që ulet pranë meje në tren, sepse ka mjekër, veshje të caktuar, apo sepse është mysliman apo thjesht ka pamjen e një të huaji? E qartë është se terrori helmon të menduarit! Pasi frikërat prodhojnë paragjykime, dhe frika ekstreme madje edhe fobi. Puna nuk duhet të arrijë deri këtu në shoqëritë demokratike!

Ashtu si sukseset elektorale mbresëlënëse të kohëve të fundit të partive kundër të huajve dhe fesë islame, në shumë vende evropiane, edhe orët e para pas atentateve në Norvegji tregojnë se sa i helmuar është të menduarit në Evropë.

Dukej sikur rrethanat ishin të qarta: Norvegjia ka një kontingjent trupash në Afganistan dhe merr pjesë në sulmet ajrore të NATO-s në Libi. Pra për bombat në lagjen qeveritare në Oslo duhej të ishte përgjegjës pa dyshim vetëm një mysliman. Dy orë e gjysmë më vonë ndodhi masakra në kampin e të rinjve: konkluzioni sërish dukej se ishte i qartë - a nuk është karakteristikë e Al Kaidës të sulmojë njëkohësisht në disa vende?

Edhe lajmet pasuese nuk i lëkundën arsyetimet e ekspertëve për terrorizmin në televizionin gjerman. I arrestuari ka nënshtetësinë norvegjeze? Atë e kanë shumë imigrantë myslimanë! I arrestuari është bjond dhe me sy të kaltër? Atëherë me siguri është fjala për një vendas të konvertuar në fenë islame! Dihet se të konvertuarit janë përkrahës veçanërisht radikalë të besimit të tyre të ri. Në Gjermani kjo dihet më e vonëta që prej zbulimit të të ashtuquajturit "Grupi i Sauerlandit" katër vjet më parë.

Felix Steiner komenton.
Felix Steiner komenton.Fotografi: DW

Çfarë mendojnë vallë myslimanët që jetojnë paqësisht në Gjermani përballë deklaratëve të tilla në televizionin gjerman? Është e kuptueshme që në një mbrëmje të tillë ata ndihen të përjashtuar dhe jo të pranuar. Edhe momente të tilla mund të helmojnë të menduarit.

Ndërkohë e dimë se burri i arrestuar në lidhje me atentatet në Norvegji nuk është mysliman, përkundrazi një i krishterë radikal. Për të gjitha konkluzionet e tjera është shumë herët. E sigurtë është një gjë: terrori është një akt i urryer. Në radhë të parë për shkak të viktimave. Por edhe sepse helmon në mënyrë masive të menduarit.

Autor: Felix Steiner

Redaktoi: Eliana Xhani