1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tetori gjerman - Fëmijët angazhohen në mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri

7 Tetor 2011

Në kuadër të aktiviteteve të Tetorit Gjerman që po zhvillohen në Tiranë është dhe një konkurs me nxënësit e shkollave 9 vjeçare titulluar “Vizatimi im për një Shqipëri të gjelbër”.

https://p.dw.com/p/12ndf
Daniela Tola menaxhere projtekti pranë Qendrës Rajonale të Mjedisit.
Daniela Tola menaxhere projtekti pranë Qendrës Rajonale të Mjedisit.Fotografi: DW/Arben Muka

Zhanina Balla është nxënëse në klasën e shtatë të shkollës “Ali Demi” në qytetin e Tiranës. Në fillim të javës ajo ka dorëzuar një krijim të sajin për konkursin “Vizatimi im për një Shqipëri të gjelbër”, organizuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit dhe mbështetur nga Ambasada Gjermane në Tiranë. Vizatimi i saj ka një detaj të thjeshtë: një njeri që mban me vështirësi një çadër në dorë.  Ngacmimin e kam marrë nga realiteti jo shumë optimist për mjedisin, thotë Zhanina për Deutsche Welle-n. 

Jo shumë optimiste për mjedisin - nxënësja Zhanina Balla
Jo shumë optimiste për mjedisin - nxënësja Zhanina BallaFotografi: DW/Arben Muka

“Për shak se edhe bota sa vjen dhe ndotet më shumë dhe njeriu ka ardhur në një moment që nuk mund ta mbajë atë sepse mjedisin po e shkatërrojnë dhe po e ndotin”.

Kurse Kejsi Çela, po pjesmarrëse në konkurs nga e njëjta shkollë, ka një perceptim tjetër për mbrojtjen e mjedisit. Në qëndër të vizatimit të saj është një pemë, të cilën Kejsi e përshkruan si të vetmuar.

Nxënësja Kejsi Çela.
Nxënësja Kejsi Çela.Fotografi: DW/Arben Muka

“Është e vetmja pemë që ka mbetur në rruzullin tokësor e rrethuar me fabrika dhe me industri të pafundme. Kjo nuk do të jetë thjesht pikturë, pasi në të ardhmen realiteti na jep fenomene negative. Ne nuk ndalim duke prerë pyjet, duke prerë pemët për të ngritur fabrika, vetëm për interesat tona që s'kanë asnjë vlerë për natyrën, që i bëjnë keq asaj”.

Elva Maçi thotë se ka marrë shkas në krijimin e saj nga pakujdesia që tregojnë qytetarët për të mos hedhur mbeturinat në vendet e caktuara. Kurse Uendi Kazazi tregon se mesazhi që do të transmetojë me vizatimin e saj është se “edhe fëmijët mund të organizohen për të mbajtur pastër territorin rreth pallatit ku banojnë ose në shkollë”.

Konkursi që ka në fokus edukimin mjedisor ka ngacmuar idetë dhe përfytyrimin e fëmijëve duke e lënë të lirshme imagjinatën e tyre. Mësuesja e vizatimit Rexhina Kaiku thotë se nga shkolla 9 vjeçare “Ali Demi” janë afruar me punimet e tyre 7 nxënës. Por në konkursin që zhvillohet në kuadër të Tetorit Gjerman marrin pjesë dhe nxënës të klasave të shtata nga të gjitha shkollat publike të kryqytetit.

Daniela Tola menaxhere projekti në Qendrën Rajonale të Mjedisit për Shqipërinë thotë për Deutsche Welle-n se konkursi është vijim i një programi të zgjeruar me nxënësit e shkollave, për të punuar me ata që në këtë moshë, që të mendojnë dhe veprojnë kur vjen puna e diskutimit mbi probkemet e mjedisit.

“Ideja në këtë rast është që jo thjesht të kemi vizatime të bukura, por ne duam që fëmijët të japin opinionet e tyre, mendimet e tyre, zgjidhjet që ata ofrojnë në lidhje me ndryshimet klimatike. Ne kemi përcaktuar si pjesmarrës nxënësit e klasave të shtata, pasi ata në këtë fazë të shkollimit bëjnë ekologji, dituri natyre, pra lëndë që kanë të bëjnë me shkencat dhe janë më afër temës së ndryshimeve klimatike.

Por ne e dimë që këto janë çështje të vështira për t'u kapur nga fëmijët dhe për këto ide ata do të bisedojnë me më të rriturit, p.sh. me prindërit ose njerëz të tjerë të familjes. Pra ata i kthejnë këto tema në debat familjar, plotësojnë si të thuash njeri tjetrin në perceptimin që kanë dhe ajo që ka rëndësi është se tema mjedisore shkon në familje (...).”

Mihallaq Qirjo, drejtor për Shqipërinë i Qendrës Rajonale të Mjedisit thotë për Deutsche Welle-n se prej 6 viteve ka nisur në shkollat publike të vendit përfshirja në kurrikulën mësimore të një pakete mjedisore.

Mihallaq Qirjo, drejtor për Shqipërinë i Qendrës Rajonale të Mjedisit.
Mihallaq Qirjo, drejtor për Shqipërinë i Qendrës Rajonale të Mjedisit.Fotografi: DW/Arben Muka

“Shqipëria është një prej 17 vëndeve që aplikon në shkollë këtë paketë. Rreth 2.5 milionë nxënës në të gjithë Evropën e bëjnë këtë paketë, pra nxënësit shqiptarë janë integruar në edukimin mjedisor. Për çdo vit mesimor jepen dy tema nga mjedisi që janë prioritare. Këtë vit është zgjedhur tema e ndryshimeve klimatike dhe e cilësisë së ujrave. Qendra rajonale e Mjedisit kualifikon çdo vit afër 500 mësues për paketën e gjelbër, se si mund të marrin njohuri të reja.”

Nga rreth 1700 shkolla publike që ka Shqipëria gjatë këtij viti mësimor paketa mjedisore është futur në programin e më shumë se 500 prej tyre.

Autor: Arben Muka / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani