1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi: EULEX-i ka dosjet e strukturave kriminale në veri, por mungojnë veprimet

17 Gusht 2011

Në intervistë ekskluzive me Deutsche Welle-n, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shprehet se do të vazhdohet me normalizimin e gjendjes në Mitrovicë. Për Kosovën nuk ka kthim mbrapa në gjendjen e mëparshme, thekson ai.

https://p.dw.com/p/12IKV
Hashim Thaçi
Hashim ThaçiFotografi: DW

DW: Shkak i konfliktit të fundit me Serbinë ishin mosmarrëveshjet për doganat. Qeveria juaj i ndaloi importet nga Serbia për shkak se Serbia nuk lejon në Serbi mallrat me vulën e doganave të Kosovës. Serbia kërkon që në vulë përveç Kosovës të figurojnë ende Kombet e Bashkuara, Kosova insiston për vula pa Kombet e Bashkuara. Cila është rrugëdalja?

Thaçi: "Kosova është në fazën e fundit të përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur, të implementimit të plotë të dokumentit të presidentit Ahtisari. Kosova është shtet i pavarur, sovran, ka kushtetutën dhe ligjet e veta për rregullimin e vet të brendshëm vendos vetë. Ka të garantuar integritetin territorial prej komunitetit ndërkombëtar të njohur tani prej 79 shteteve. Vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet janë të drejta, janë në përputhje me rrethanat e reja të krijuara, janë legale dhe legjitime dhe Kosova do të vazhdojë të funksionojë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran, natyrisht me përkushtimin dhe vizionin për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit dhe në kuadër të kësaj për raporte të mira edhe me Serbinë. Pra, nuk do të ketë kthim mbrapa në gjendjen e mëparshme për Kosovën nga vendimi i 25 korrikut."

Veriu i Kosovës - vrimë e zezë jo vetëm për Kosovën

DW: Në opinion janë shprehur zëra se qeveria e juaj e ka rihapur çështjen e kalimeve kufitare vetëm për të zhvendosur vëmendjen nga diskutime në politikën e brendshme në Kosovë. Apo kemi të bëjmë me një drojë se me afrimin eventual të Serbisë me BE-në pas dorëzimit të kriminelëve të luftës do të çimentohej gjendja ekzistuese në veri të Kosovës. Cili është komenti juaj?

Thaçi: "Tash e 12 vite kjo pjesë e territorit të Kosovës ka qenë një vrimë e zezë jo vetëm për Kosovën por për krejt Evropën. Tash e 12 vite në atë pjesë të territorit të Kosovës nuk ishin organizuar zgjedhje të lira. Strukturat ilegale e shfrytëzonin mungesën e ligjishmërisë për aktivitetet e tyre kriminale prandaj vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës është sovran, i drejtë, legal, legjitim, i modelit evropian për shtrirjen e ligjshmërisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe tejkalon caqet politike. Ai është një vendim i cili ka ofruar një unitet të plotë politik, institucional dhe qytetar. Edhe ata pak njerëz, disa prej ndërkombëtarëve që mendonin se ishte vendim i befasueshëm tani janë të bindur se nuk ka rikthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut. Rreth 40-50 mijë serbët që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës kanë qenë thjesht të nënshtruar apo të frikësuar nga këto struktura kriminale."

Do të vazhdojmë me normalizimin gradual të gjendjes

DW: Të dy pikëkalimet kufitare në veri tani kontrollohen nga KFOR-i. A jeni të kënaqur dhe a mendoni se KFOR-i do të jetë i nevojshëm edhe pas 15 shtatorit?

Thaçi: "Pas marrjes nën kontroll nga autoritetet kosovare të pikës 1 dhe 31 më datë 25 korrik dhe reagimeve të dhunshme dhe kriminale në veri të dirigjuara nga Beogradi, për çka ne e bëjmë përgjegjës direkt Beogradin për dhunën, për djegien e pikës 1, vrasjen e policit dhe plagosjen e tre të tjerëve, kjo zonë tani është shpallur zonë e kufizuar ushtarake dhe atje vlejnë rregullat ushtarake. Aty nuk ka aktualisht qarkullim komercial prandaj do të vazhdojmë me normalizimin gradual të gjendjes dhe veprimet tona do të jenë në kontinuitet dhe në përputhshmëri të plotë me kushtetutën e Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë të harmonizuara me autoritetet e KFOR-it dhe faktorët e tjerë relevantë në Kosovë."

Urat shërbejnë për afrimin e jo ndarjen e njerëzve

DW: Konstatoni në përgjithësi një acarim të raporteve me komunitetin serb duke pasur parasysh rastin e fundit në Priluzhë ku serbët po protestojnë kundër ndërtimit të një ure?

Thaçi: "Urat afrojnë njerëz, nuk ndajnë njerëz. Prandaj edhe reagimi i ndonjë individi ka qenë i panevojshëm, kryeneç, tanimë i tejkaluar. Ura do të ndërtohet dhe ajo do t'i afrojë qytetarët e të gjitha komuniteteve për të komunikuar më lehtë. Kemi të bëjmë thjeshtë me një axhendë infrastrukturore, e cila lehtëson qarkullimin e njerëzve, është investim për të gjitha komunitetet, e cila nuk është vetëm në favor të njërit apo tjetrit komunitet, kundër njërit apo tjetrit komunitet. Ajo është urë e afrimit, e mirëkuptimit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve."

Mosveprimet e EULEX-it nuk do të tolerohen në pafundësi

DW: Kosovë gëlon nga institucionet ndërkombëtare. Aty është KFOR-i pastaj misioni i BE-së për sundim të ligjit - EULEX. Disa vende të BE-së kanë borxhe të mëdha, kriza financiare është temë qendrore edhe në Gjermani. Zoti kryeministër edhe për sa kohë do të ketë Kosova nevojë për këto institucione të shtrenjta?

Thaçi: "Unë dua të shpreh mbështetjen time të plotë për KFOR-in, që në kuadër të mandatit të tyre të vazhdojë të ofrojë një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Sa i përket EULEX-it, më lejoni ta them shumë qartë se duam një EULEX të suksesshëm, ta kemi shumë të qartë, se suksesi i EULEX-it është sukses edhe i Kosovës. Sa më i suksesshëm që të jetë EULEX-i, aq më e suksesshme do të jetë edhe Kosova dhe perspektiva e saj evropiane. Dështimi i EULEX-it nuk do të thotë sukses për Kosovën, prandaj suksesi i EULEX-it nuk varet vetëm nga deklarimet por nga bashkëpunimi i ngushtë, konkret me institucionet kosovare që e kanë ftuar EULEX-in për zbatimin e misionit të tij. Kështu që unë pres bashkëpunim të frytshëm në realizimin e misionit të përbashkët për rend dhe ligj në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por realisht EULEX-i nuk ka arritur të shtrijë autoritetin në tërë territorin, tash e dy vite negociohet për hapjen e gjykatës në veri dhe në këtë drejtim nuk ka ndodhur asgjë. Diçka e tillë nuk do të tolerohet në pafundësi. Tash e shumë vite EULEX-i ka axhendën e vet, dosjet e strukturave kriminale në veri, por nuk ka veprime edhe pse janë dosjet e gatshme. Pra duhet të ketë një angazhim konkret dhe në asnjë rrethanë për çështjet e Kosovës, për rendin dhe ligjin në territorin e Kosovës mos të ketë negociata me Beogradin."

Institucionet ndërkombëtare në të mirë të Kosovës

DW: Pra sipas jush Kosova do të ketë nevojë edhe për një kohë për këto institucione?

Thaçi: "Kosova është duke ndërtuar perspektivën evropiane. Kosova ka fituar shumë prej institucioneve ndërkombëtare. Ne kemi një axhendë dhe qëllim të përbashkët, demokratizimin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të saj, prandaj ne jemi plotësues dhe bashkëpunues më njëri-tjetrin dhe në asnjë rrethanë konkurrues apo konfrontues. Ata janë të ftuar nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe me realizimin e misionit të tyre, natyrisht që Kosova do të jetë edhe më e pranishme në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Kështu që institucionet ndërkombëtare janë në të mirën e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës në masën që janë."

Vendimi i 25 korrikut ka qenë vendim sovran i shtetit të Kosovës

DW: Megjithë kritikat që janë bërë për veprime të pakoordinuara të qeverisë kosovare me bashkësinë ndërkombëtare në rastin e dërgimit të trupave speciale në veri të Kosovës, analistët thonë që ky hap nuk do të ishte ndërmarrë pa miratimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. A kanë të drejtë ata?

Thaçi: "Unë falendëroj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimin Evropian për deklarimet e tyre shumë të qarta se nuk ka rikthim prapa të paragjendjes së 25 korrikut, pra nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e status-quos që ka qenë më herët. Pra nuk do të ketë ndarje as de jure e as de facto, që edhe Brukseli edhe Uashingtoni besojnë dhe punojnë bashkarisht me ne për perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit ndërsa vendimi për marrjen në kontroll të pikave kufitare dhe kontrollin e plotë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë me datë 25 korrik ka qenë vendim sovran i shtetit të Kosovës, i qeverisë së Kosovës, ka qenë vendim kushtetues, ligjor, legjitim, i drejtë i shtetit të Kosovës."

Nuk do të ketë ndarje e as shkëmbim territoresh

DW: Megjithatë po diskutohet për dhënien e një autonomie substanciale për veriun e Kosovës, një lloj plani Ahtisari-Plus. Cil është qëndrimi i qeverisë së Kosovës për këtë çështje?

Thaçi: "Në asnjë rrethanë nuk do të ketë devijim nga axhenda e konsolidimit të shtetit të Kosovës. Kosova do të vazhdojë të punojë me përkushtimin më të madh për axhendën evropiane. Tani jemi duke punuar me gjithë komunitetin ndërkombëtar që në atë pjesë që është quajtur vrimë e zezë për Kosovën dhe Evropën të ketë një konsolidim të rendit demokratik, por as de facto dhe as de jure nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territoresh, nuk do të ketë autonomi në veri, por vetëm integrim, nuk do të ketë ndryshim kufinjsh. E ardhmja e Kosovës është demokratike, multietnike dhe integrim në NATO dhe BE."

Pavarësia e Kosovës është minimumi i së drejtës historike të shqiptarëve

DW: Sidoqoftë më 2 Shtator në Bruksel pritet të vazhdojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoni që zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në axhendën e bisedimeve?

Thaçi: "Janë të ndara dialogu ndërshtetëror për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë dhe krijimi i rrethanave të reja në veri të vendit. Prandaj axhenda do të jetë e përcaktuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Bëhet fjalë për çështje praktike për konsolidimin e dy shteteve për hapjen e perspektivës evropiane, por në të njëjtën kohë edhe për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ndërsa sa i përket ideve që i përmendet edhe më herët, unë sot iu përgjigjem të gjithë ithtarëve të këtyre ideve, përsa i përket ndarjes, shkëmbimit, autonomisë, apo pretendimet për ndryshimin e kufinjve, se pavarësia e Kosovës është minimumi i së drejtës historike të shqiparëve."

Intervistoi Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi