Thyerja e tabuve në Tyringji - Gjermania e mllefosur
8 Shkurt 2020Ngritja e nacionalsocializimit në vitet 1930 ka çuar deri tek shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Holocausti, ngjarjet më të rënda që mbanë mend historia njerëzore. Kjo trashëgimi e rëndë e ngarkon çdo gjerman. Frika nga përsëritja nuk është zhdukur kurrë - as në Gjermaninë e pasluftës, kur përfituesit e kohës së nazizmit arritën të bëjnë karrierë pas luftës. Kjo ka shkaktuar edhe një valë protestash në vitin 1968, ku kërkohej që të luftohet heshtja dhe fshehja e krimeve. Prej atëherë, kultura e kujtimit të krimeve është pjesë e pandashme e institucioneve të shtetit. Kristiandemokratët (CDU) u zotuan asokohe se nuk do të lejojnë kurrë që në të djathtën e tyre të ketë ndonjë parti tjetër. Me sukses - deri në paraqitjen e Alternativës për Gjermani (AfD).
Populistët e djathtë të AfD kanë filluar në vitin 2015 etablimin e tyre politik. Më së shumti në lindje të vendit ku ndërkohë kanë arritur përqindje shumë të larta mbështetjeje dhe kanë pamundësuar koalicionet e mesit politik, pa mbështetjen e të djathtës apo të majtës. Partitë popullore (CDU dhe SPD) kanë shënuar rënie pjesërisht dramatike.
Republika e lëkundur
Kaherë brenda CDU-së janë shënuar mosmarrëveshje në landet lindore të Gjermanisë. Ka pasur madje edhe mendime për një bashkëpunim të mundshëm me AfD. Sondazhet tregojnë se jo të gjithë janë kundër një bashkëpunimi të tillë. Në përgjithësi, në lindje krahasuar me pjesët perëndimore, ka një gatishmëri më të ultë për bashkëpunim me të majtën. Kjo ka lidhje edhe me të kaluarën komuniste dhe diktaturën në RDGJ.
Zhvillimet në Tyringji kanë gjetur një Republikë nervoze dhe të pasigurtë. Skena e partive politike po ndryshon. Ndaj thyerja e tabusë (për mos bashkëpunim me AfD) ka qenë vetëm çështje ditësh. Në Berlin janë përpjekur të ndryshojnë kahjen me ndalime - duke thënë se nuk do të ketë kurrë bashkëpunim me partitë populiste. Por kryetarja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, nuk e ka autoritetin e kancelares Angela Merkel.
Edhe tani ishte Merkel ajo që nga një udhëtim jashtë vendit (në Afrikë) foli fjalën përfundimtare, duke kërkuar dorëheqjen dhe rikthimin e vendimit në Tyringji. Pak më von kryeministri i zgjedhur me votat e AfD, Thomas Kemmerich, nga FDP dha dorëheqje, me shpjegimin se i ka dëgjuar zërat kritik dhe ka vendosur të mos bashkëpunojë me AfD.
Pse Tyringjia?
Me vetëm 2,2 milionë banorë, Tyringjia është një land i vogël, por këtu ka pasur edhe njëherë më parë thyrje tabush. Me 1930 është zgjedhur parlamenti i parë i landit me pjesëmarrjen e nacionalsocialistëve - NSDAP. Këtë e nënvizoi edhe kandidati i të Majtës, që humbi zgjedhjet, Bodo Ramelow. Në Twitter ai citoi fjalët e Adolf Hitlerit, me 2 shkurt 1930, për "suksesin më të madh në Tyringji" dhe se "pa ne nuk do të ketë mazhorancë".
Një shkak tjetër: AfD në Tyringji konsiderohet si më radikalja brenda partisë, i ashtuquajturi "krahu" i prirë nga Björn Höcke "Krahu" është blloku më radikal i partisë, që kundërshton zërat e moderuar dhe ndërkohë nuk mund të merret asnjë vendim pa pëlqimin e tij. Autoriteti për mbrojtjen kushtetuese vëzhgon veprimet e këtij krahu.
Forcimi i radikalëve në AfD
Në Gjermani është diskutuar edhe më parë mundësia e koalicioneve të partive konservatore me populistët e djathtë, sikur në Skandinavi apo së fundi në Austri. Por kjo është diskutuar në qendrat e mëdha dhe jo atje ku dominojnë forcat radikale. Na Hamburg Höcke konsiderohet si tepër radikal. Por në pokerin partiak Höcke ka arritur të forcojë pozitën.
Pohimet se AfD në Tyringji është e interesuar për një kurs konstruktiv janë të diskutueshme. Atje thuhet se AfD synon të dominojë partinë CDU. Pas krizës së fundit mendohet se Tyringjia mund të shkojë në zgjedhje të reja. Por mbetet e hapur se kush do të përfitojë nga kjo situatë.