Tiranë: Arrestohet një anëtare e një organizate terroriste
5 Shtator 2020Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Lubjana Gj., 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia u arrestua të premten, (4.09 )në sajë të "bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Itali dhe informacioneve në rrugë operative." Gjykata e Hetimeve Paraprake Milano, Itali, e ka dënuar shtetasen shqiptare Lubjana Gj. me 3 vjet burg, për veprën penale ”Organizatë me qëllime Terroriste”. Pas arrestimit pritet ekstradimi i saj në Itali.
Në fund të Prillit të këtij viti, Policia e Shtetit, arrestoi po në Tiranë, një shtetas nga Taxhikistani, 24 vjeꞔ me qëllim ekstradimin në Gjermani. Sipas njoftimit të Policisë, Komron Z., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani pasi ndaj tij "ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për veprën penale "Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, të themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të Shtetit Islamik (ISIS). "
Komron Z. kishte ardhur në Shqipëri në mënyrë legale, në mes të shkurtit të këtij viti para se Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, të kishte lëshuar në 21.04.2020 urdhërin e arrestit ndërkombëtar, sqaronte Policia e Shtetit në njoftimin e saj.
Vitin e kaluar Policia e Shtetit, në bashkëpunim me drejtësinë italiane arrestoi në Elbasan, një tjetër shtetas shqiptar, me banim në Milano, të cilin e ekstradoi në Itali. Bledar I., 28-vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi akuzohej për përfshirje në organizata terroriste në Itali dhe Egjipt. Në njoftimin e Policisë së shtetit per arrestimin e Bledar I. ai cilësohej "person i rrezikshëm”. Ish-Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, në falenderimin ndaj autoriteteve shqiptare për arrestimn e tij dhe bashkëpunimin me autoritetetet italiane vinte në dukje se "në banesën e Bledar I. u gjetën materiale informative, gjurmë të kontakteve me fundamentalistët islamikë dhe dokumente foto dhe video në lidhje me xhihadin”.