1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Dy diplomatë iranianë shpallen persona “non grata”

16 Janar 2020

Diplomatët në Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Mohammad Ali Arz Peimanemati e Ahmad Hosseini Alast u shpallën “persona të padëshiruar” dhe iu kërkua largim i menjëhershëm nga Shqipëria.

https://p.dw.com/p/3WHTX
Albanien Außenministerium in Tirana
Fotografi: Mimoza Dhima

Vendimi i dëbimit të diplomatëve iranianë  pasditen e të mërkurës (15.01.2020) u bë i ditur nga Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një postim në median sociale. "Përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, Z. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Z. Seyed Ahmed Hosseini Alast , të shpallen "persona të padëshirueshëm” për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit i është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, bëri me dije Ministri në detyrë Cakaj.

Burimet zyrtare: Diplomatët iranianë kanë tentuar të kryejnë aktivitete kundër komunitetit muxhahedin

Pas vendimit ka pasur një reagim nga Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Maryam Rajavi, e cila vlerësoi të mërkurën në mbrëmje dëbimin nga qeveria e Shqipërisë të dy diplomatëve „një masë të guximshme dhe të admirueshme në luftimin e terrorizmit dhe garantimin e sigurisë së popullit të Shqipërisë dhe të refugjatëve iranianë."

Albanien Tirana Außenminister Gent Cakaj
Gent Cakaj Fotografi: DW/A. Ruci

Burime zyrtare pohojnë se dy diplomatët iranianë kanë tentuar të kryejnë aktivitete kundër komunitetit prej 3200 vetësh  të muxhahedinëve që strehohen në rrethinat e Tiranës. Sipas tyre njëri prej diplomatëve të dëbuar, atasheu kulturor Seyed Ahmed Hosseini Alast kishte patur detyra të rëndësishme në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike dhe Mohamed Peimanemati kishte qenë anëtar i inteligjencës në Iran, i përfshirë në akte terroriste në vendet e BE. Në dhjetor 2018, Shqipëria shpalli persona të padëshiruar, ambadorin e Iranit në Tiranë dhe një diplomat tjetër iranian pasi për ata  kishte dyshime se ishin pjesëmarrës " në aktivitete që cënonin sigurinë në Shqipëri.”. Sipas njoftimit të atëhershëm të Ministrisë së Punëve te Jashtme qeveria shqiptare e kishte marrë vendimin në bashkëpunim me vendet aleate.

Prania e komunitetit të muxhahedinëve, armiq të përbetuar të qeverisë së Iranit, të strehuar në Shqipëri në bazë të një marrëveshjeje mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të SHBA, e vë sigurinë kombëtare përballë rreziqesh potenciale, pas kërcënimeve të fundit të Iranit ndaj Shqipërisë, të ardhura pas vrasjes së gjeneralit Qassem Soleimani nga SHBA. Në një takim të zhvilluar në fillim të këtij muaji nga „Qendra për Sigurinë në Europën Jug-Lindore"  gjenerali amerikan Michael Barbero, pjesëmarrës në këtë takim tha se „ҫdo aleat i SHBA mund të shikohet si një shënjestër nga Irani. Për këtë vigjilenca është mjaft e rëndësishme veçanërisht në fushën kibernetike, pasi Irani ka disa aftësi mjaft të sofistikuara për sulmet kibernetike. Shqipëria duhet të tregohet mjaft vigjilente në përpjekjet kundër terrorizmit dhe kundër sulmeve kibernetike. Aleanca do të reagojë ndaj çfarëdo lloj sulmi që do t'i bëhet ndonjë prej shteteve anëtare të saj"

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana