Tiranë: Hetim ndërkombëtar për aktin terrorist në Kosovë
12 Tetor 2023Me një shumicë dërrmuese prej 101 votash pro, abstenim 1 votë dhe vetëm një votë kundër, rezoluta u kërkon institucioneve të Shqipërisë, që ”në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe raportet dypalëshe me partnerët të veprojnë fuqimisht për të mundësuar një hetim ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”.
Parlamenti i Shqipërisë „mbështeti Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe ikurajon Qeverinë e Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj."
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Parlament e cilësoi terrorin që ushtroi më 24 shtator të këtij viti „grupi kriminal serb në veri të Kosovës ngjarjen më të rëndë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi qysh pas vitit 1999, e pasuar me shpalljen e zisë në Beograd, një akt zyrtar të papranueshëm."
Marrjen e jetës së policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, nga grupi terrorist serb, kryeministri Rama e quajti po aq domethënëse „ për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit në veriun e Kosovës".
Amendamentet e opozitës nuk pranohen
Partia Demokratike, (PD) kërkoi, para miratimit të rezolutës, që asaj t'i bëhen 3 amendamente por kjo kërkesë nuk u votua.
Kryearja e Parlamentit , Lindta Nikolla, tha se ato nuk kishin mbërritur në Kuvend në kohën e përcaktuar nga rregullorja.
Amendamentet i bënin thirrje 5 vendve anëtare të BE-së, që nuk e njohin shtetin e pavarur të Kosovën, ndër të cilat 4 anëtare të NATO-s, ta ndërmerrnin hapin e njohjes. Një kërkesë tjetër ishte heqja e masave shtrënguese për Kosovën dhe vendosja e masave ndëshkuese për Serbinë. PD theksoi se „Serbia cënoi qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rajonit.". Nënkryetari i PD, deputeti Kreshnik Ҫollaku votoi kundër rezolutës pas mosvotimit të amendamenteve.
Miratimit të rezolutës i paraprinë diskutimet për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe qëndrimin e Tiranës ndaj ngjarjeve, që vijuan pas ngjajes së rëndë muajin e kaluar, më 24 shtator, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri dhe vrau oficerin e policisë, Afrim Bunjaku. Tre nga sulmuesit serbë mbetëm gjithashtu të vrarë.