1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Zgjerohen hetimet për korrupsion në nivel të lartë

30 Dhjetor 2023

SPAK-u zgjeron hetimet për korrupsion në nivel të lartë ndaj ish-ministrit socialist të Shëndetësisë, Ilir Beqja, për shpërdorim detyre dhe favorizime korruptive për kompani koncesionare.

https://p.dw.com/p/4aigO
Foto simbol | korrupsion
SPAK-u zgjeron hetimet për korrupsion në nivel të lartë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir BeqjaFotografi: B. Leitner/McPHOTO/imago images

Byroja Kombëtare e Hetimeve (BKH) dhe Policia e Shtetit kontrolluan të premten (29.12) me urdhër të Strukturës së Posaҫme Anti-Korrupsion (SPAK), banesën e ish-ministrit socialist të Shëndetësisë, Ilir Beqja, si edhe një rrjet farmacish në Tiranë, nën dyshimin për lidhje klienteliste të tij me këtë rrjet.

Kontrolli i banesës është pjesë e hetimit të pasurisë së ish-ministrit Beqja dhe dyshimeve për lidhje me kompaninë farmaceutike ”Delta Pharma” për ta fshehur atë.

Pritshmëritë e SPAK nga ky kontroll janë marrja e të dhënave, e provave dhe e dokumenteve që mund të provojnë ose jo bashkëpunimin klientelist të ish-ministrit të Shëndetësisë me rrjete farmaceutike në Tiranë.

Farmaci
SPAK-u ka dyshime për bashkëpunim klientelist të ish-ministrit të Shëndetësisë me rrjete farmaceutike në TiranëFotografi: Benjamin Nolte/Themendienst/picture alliance

Ish-ministri Beqja e pohoi kontrollin në banesën e tij, por mohoi të ketë pasur marrëdhënie financiare klienteliste me rrjete farmaceutike. Ai mohoi gjithashtu që të ketë fshehur pasuritë e tij me anë të lidhjeve me kompanitë armaceutike "Delta Pharma".

Kontrolli i pasurisë - Zgjerim i hetimeve

Kontrolli i pasurisë së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, anëtar i qeverisë Rama në mandatin e saj të parë qeverisës, 2013-2017 dhe zyrtar i lartë i PS-së, përbën një zgjerim të hetimeve të SPAK-ut ndaj tij lidhur me dyshimet për shpërdorim detyre dhe favorizime korruptive të kompanisë koncesionare në kontratën mes saj dhe MInistrisë së Shëndetësisë.

Foto simbolike - US-dollare
Kontrolli i pasurisë së ish-ministrit të Shëndetësisë, Beqja, përbën një zgjerim të hetimeve të SPAK-utFotografi: Stephan Jansen dpa/picture alliance

Që nga tetori i këtij viti Ilir Beqja po hetohet për veprën penale "shpërdorim detyre në bashkëpunim” lidhur me koncesionin për sterilizimin e instrumenteve për ndërhyrje kirurgjikale.

Bashkë me vënien nën hetim nga SPAK-u, GJKKO mori dy muaj më parë masën e sigurisë ndaj ish-ministrit Beqja. Kjo masë e detyron atë të paraqitet në policinë gjyqësore pranë BKH-së dhe të mos dalë jashtë Shqipërisë pa autorizimin e GJKKO-së.

Kallëzim penal nga shoqëria civile

Prokurorët e SPAK-ut po hetojnë ish-ministrin Beqja për përgjegjësinë e tij penale në kryerjen e veprimeve në kundërshtim me ligjin gjatë procedurës së koncesionit për sterilizimin e instrumenteve të ndërhyrjeve kirurgjikale kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, "Nënë Tereza”dhe spitalet e tjera publike të Shqipërisë.

Kallëzimi i parë penal për shpërdorim të fondeve publike përmes korrupsionit në koncesionin e sterilizimit u bë në dhjetor 2019 nga shoqëria civile. Nisma "Thurje” kërkoi hetimin e zyrtarëve të lartë publikë në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me dyshime për abuzime me buxhetin e shtetit. Në bazë të këtij kallzimi penal ish-ministri Beqja u thirr nga SPAK-u për të dhënë dëshminë e tij për koncesionin e sterilizimit para marrjes së masës së sigurisë.

Ai ka hedhur poshtë dyshimet për shpërdorim detyre dhe favorizime korruptive në kontratën e sterilizimit, prej 100 milionë euro për 10 vite me kompaninë koncesionare, “Sani Service.”

Sipërmarrësi i koncensionit, Ilir Rrapaj, dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, u arrestuan në gusht të këtij viti nën akuzën e SPAK-ut për shpërdorim detyre, falsifikim dhe mashtrim me koncesionin e sterilizimit.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana