1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Titanicu do të rishfaqet

1 Maj 2012

Para më se 100 vjetësh u fundos - tani "Titanic"-u legjendar do të rishfaqet. Një miliarder australian do të ndërtojë "Titanicun II" - me elementë të luksit të vjetër, por edhe me teknologjinë më të re të sigurisë.

https://p.dw.com/p/14ncc
Titanicu në fundosje
Titanicu në fundosjeFotografi: picture-alliance/dpa

Një miliarder australian do të ndërtojë një kopje të anijes legjendare kryqëzore "Titanic". Shëmbëlltyra e anijes luksoze do të dalë në det në vitin 2016, informoi sipërmarrësi Clive Palmer. Ai ka nënshkruar tashmë me kantierin shtetëror detar kinez "CSC Jinling Shipyard" një marrëveshje parimore.

"Anija do të jetë po kaq luksoze, sa Titanic-u origjinal, por natyrisht me teknikën supermoderne të shekullit të 21-të dhe do të pajiset me sistemet më të mira të navigimit dhe të sigurisë," tha Palmeri, sipas agjencisë së tij publicitare. "Titanicu II" do ta bëjë udhëtimin e parë pas katër vjetësh e gjysmë dhe si parardhësi i tij i shquar do të udhëtojë nga Britania e Madhe për në Nju Jork.  "Ne e kemi ftuar marinën kineze që ta shoqërojë si eskortë Titanicun II", bëri të ditur Palmeri.

Titanicu origjinal largohet pas ndërtimit nga Porti i Belfastit
Titanicu origjinal largohet pas ndërtimit nga Porti i BelfastitFotografi: picture-alliance/Geisler-Fotopress

Ashtu si origjinali, Titanicu II do të jetë 270 metra e gjatë dhe do të ofrojë në nëntë kate 840 kabina. Një ekip dizenjatorësh i shoqëruar nga historianë ka nisur nga puna. "Titanicu II" do të jetë personifikim i luksit", bëri të ditur Palmeri. Vetëm nën vijën e ujit anija do të ndërtohet krejt ndryshe, për të shmangur një katastrofë të ngjashme si ajo 100 vjet më parë.

Anija e famshme "Titanic" u përplas në udhëtimin e saj të parë, më 15 prill 1912 me një ajsberg dhe u fundos. Më shumë se 1500 vetë humbën jetën.


Autor: dpa/ Auron Dodi