1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Itali: Tkurrje për të shpëtuar - Monte dei Paschi di Siena

6 Korrik 2017

Mbyllje e një ndër tre filialeve dhe shkurtim i një ndër pesë vendesh pune: plan rigoroz për rimëkëmbjen e numrit katër të bankave të Italisë, Monte dei Paschi di Siena.

https://p.dw.com/p/2g0Vl
Monte Dei Paschi di Siena Bank
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Cacace

Me mbylljen e 5.500 prej 25.600 vendesh pune dhe një strategjie të re, banka Monte dei Paschi di Siena, e cila merr ndihma nga shteti italian, pritet të arrijë një fitim prej 1.2 miliardë eurosh. Vitin e kaluar ajo shënoi një humbje prej 3.2 miliardë eurosh.

Drejtori i bordit drejtues të bakës, Marco Morelli, duke prezantuar planin e tij për rimëkëmbjen e numrit katër të bankave të Italisë tha se: "Ky është një plan konservativ. Ne nuk synojmë qëllime jorealiste." 600 nga 2.000 degët e kësaj banke do të mbyllen. Banka më e vjetër e botës do të përqendrohet në të ardhmen më fuqishëm tek klientët privatë dhe tek bizneset e mesme të vogla, kurse biznesi me koncernet dhe korporatat do të kufizohet. Moreli tha se nuk ka asnjë plan për fuzionim me banka të tjera.

Italien Marco Morelli
Marco Morelli Fotografi: picture-alliance/ROPI

Po ashtu banka do të përqendrohet edhe tek automatizimi dhe digjitalizimi për të ulur shpenzimet. Si model për këtë do të shërbejë filiali online i saj Widiba.

Dritë jeshile nga Brukseli

Komisioni i BE-së kishte dhënë para kësaj dritë të gjelbër për ndihmat shtetërore deri në 5.4 miliardë euro. Marrëveshja në parim midis Romës dhe Brukselit për këtë ishte bërë në fillim të qershorit. Që kjo të bëhej realitet duheshin plotësuar dy kushte që tani u përmbushën: Banka Qendrore Europiane konfirmoi zyrtarisht se banka Monte dei Paschi di Siena është solvente. Dhe Italia ka tani premtimin e investitorëve privatë për blerjen e kredive problematike të bankës.

Që në vitin 2016 banka Monte dei Paschi di Siena kishte një humbje prej 3.2 miliardë eurosh. "Ajo që kemi përjetuar nëntë muajt e fundit nuk ka të krahasuar me asgjë. Ishte si repart reanimacioni ku çdo pesë minuta vinte një urgjencë e re," tha Morelli. Shkurtimet e vendeve të punës do të kushtojnë rreth 1,15 miliardë euro deri në vitin 2021.

Përmes kapitalit ndihmë dhe shpërndarjes së kredive të këqija Monte dei Paschi die Siena pritet të arrijë deri në fund të vitit 2021 një kuotë konkurruese kapitali të fortë prej 14.7 për qindësh. Në fund të vitit 2016 kjo kuotë ishte tkurrur nën poshtë 8.2 për qind dhe depozituesit tërhoqën paratë masivisht nga banka. Mbikqyrësit financiarë të Bankës Qendrore Evropiane kërkojnë që për vitin 2018 një amortizator kapitali prej njëmbëdhjetë për qindësh.