1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tomuschat: Haradinaj rrezikohet vetëm nëse ka akuza të reja

9 Janar 2017

Akuzat e vjetra për Ramush Haradinajn, i shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, nuk bëhen dot më shkak për arrestimin e tij, sipas ekspertit gjerman, Christian Tomuschat. Situata ndryshon nëse ka akuza të reja.

https://p.dw.com/p/2VVtA
Christian Tomuschat Völkerrechtler an der HU Berlin
Prof. Christian TomuschatFotografi: Tomuschat

Deutsche Welle: Prof. Tomuschat, politikani kosovar, Ramush Haradinaj u arrestua në Francë, mbi bazën e një urdhërarresti të Interpolit, të kërkuar nga Serbia. Pse u bë ky arrestim, kur ai ishte shpallur i pafajshëm?

Christian Tomuschat: Me sa duket ka një urdhërarrest europian për të, nuk i njoh hollësitë, por kështu duhet ta përfytyrojmë, që tek autoritetet franceze ka hyrë një urdhërarrest i tillë, që është edhe baza e arrestimit.

Ramush Haradinaj kishte edhe një pasaportë diplomatike, nuk vlen kjo në raste urdhërarresti europian?

Nuk mund ta gjykoj plotësisht, por një pasaportë diplomatike në vetvete nuk është një dokument që automatikisht i jep dikujt statusin diplomatik, për pasaportë diplomatike duhet të bëhet njoftimi në formën e duhur nga vendi amë, pastaj duhet edhe të njihet nga vendi mikpritës, pra si diplomat. Thjesht të kesh pasaportë diplomatike nuk do të thotë shumë.

Pse vazhdon të kërkojë Serbia ekstradimin e tij, kur ka dy vendime të Tribunalit të Hagës që e kanë shpallur Haradinajn të pafajshëm për mungesë provash? Qëndrojnë motive politike pas kësaj?

Kjo është e pakuptueshme për mua. Ai mund të provojë para gjykatave franceze, aty ku ndodhet në moment, se ai ka një vendim përfundimtar nga Tribunali i Hagës. Ka një rregullore të qartë në statutin e Tribunalit, neni 10, ku ndalohet qartë dënimi i dyfishtë. Pra, askush nuk mund të ndiqet penalisht për të dytën herë nga autoritetet e drejtësisë së një vendi për një vepër penale, që është trajtuar njëherë, në këtë rast në proceset gjyqësore të Tribunalit të Hagës.

Pse e kërkon atëherë Serbia ektradimin?

Nuk mund ta them këtë, por edhe francezët duhet të njohin nenin nr 10. Me gjasë pretendohet se bëhet fjalë për vepra të tjera penale, pra, jo ato që kanë qenë trajtuar në procesin gjyqësor në Hagë. Më shumë nuk mund të them për këtë. Lirimi nga akuzat në shpalljen i pafajshëm nga Tribunali i Hagës lidhet natyrisht me ato akuza që kanë qenë pjesë e procesit gjyqësor atje. Akuza mbi vepra të caktuara penale është e specifikuar qartë, edhe në vendimin gjyqësor identifikohet  qartë lirimi ose jo nga ato vepra penale, për të cilat ishte ngritur akuza, e vetëm në këtë kontekst ka vlerë statuti i Tribunalit, pra për mos dënimin e dyfishtë. Për akuza për vepra të reja penale ai nuk vlen më. Ka gjasa që të ketë përpjekje manipuluese, pra që të pretendohet se tani bëhet fjalë për vepra të reja penale, me një sfond tjetër, por për këtë nuk mund të them diçka konkretisht.

Do të thotë kjo që rasti Haradinaj mund të rihapet edhe një herë në Hagë apo kërkon Serbia të bëjë proces gjyqësor në Beograd? Si shihet kjo juridikisht, Ramush Haradinaj është qytetar i Kosovës...

Ekziston parimi i ndjekjes penale në botë, pra ndjekja penale universale (juridiksioni universal), që u jep gjykatave kompetencë ndjekjeje penale edhe për vepra penale që janë kryer jashtë kufijve të tyre, pra për vepra të rënda penale që sipas së drejtës ndërkombëtare i bën edhe vende të tjera të ndjehen kompetente për dënimin e tyre. Nuk i njoh hollësitë për këtë rast, por mund të them se vetëm pse kanë dalë prova të reja, ose me gjasë kanë dalë prova të reja për veprat, për të cilat është marrë një vendim gjyqësor një herë, nuk e ndryshon ndalimin e dënimit të dyfishtë. Është parim bazë i shtetit ligjor, që askush nuk del dy herë para gjyqit për të njëjtën vepër penale.

Po nuk e kanë ditur autoritetet franceze rastin Haradinaj?

Në rastin Haradinaj habitem se çfarë ka ndodhur, avokatët e të fajësuarit duhet të informohen për situatën dhe të ndërmarrin hapa ligjorë tek gjykata franceze, pra të bëjnë kërkesën tek gjykatat franceze që ai duhet të lirohet menjëherë, nëse neni 10 i Tribunalit të Hagës është në fuqi për rastin e tij.

Në këtë situatë çfarë mund ta rrezikojë Ramush Haradinajn, ose çfarë mund ta bëjë Francën që të realizojë ekstradimin e tij?

Rasti i trajtuar në Hagë nuk mund të rihapet më, vetëm nëse flitet për akuza tërësisht të reja për vepra të caktuara penale, e theksoj, të cilat nuk kanë qenë trajtuar juridikisht në proceset  e mëparshme në Hagë, e për të cilat sigurisht duhen sjellë prova të reja, pra vetëm në këtë rast situata ndryshon, e mund të ndodhë që Franca ta ekstradojë atë në Serbi.

Prof. Christian Tomuschat ekspert i së drejtës ndërkombëtare dhe europiane ka punuar për shumë vite si profesor në Universitetin Humboldt në Berlin.