1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tragjedi e rëndë: Mbi 30 të vdekur pas sulmit amok

Christina Bergmann18 Prill 2007

Presidenti Xhorxh Bush u shpreh i tronditur dhe i prekur thellë. Presidenti i Shkollës së Lartë Teknike në Virxhinia, Çarls Steger, e quajti këtë një "tragjedi me përmasa monumentale".

https://p.dw.com/p/AqWY
Zi pas ngjarjes tragjike në SHBA
Zi pas ngjarjes tragjike në SHBAFotografi: AP

Në Universitetin Teknik të Virxhinias në SHBA nga të shtënat e një personi në amok kanë gjetur vdekjen 33 vetë bashkë me autorin. Të paktën 20 të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë. Asnjëherë tjetër gjatë të shtënave në amok në SHBA nuk kanë vdekur kaq shumë njerëz. Presidenti Xhorxh Bush u shpreh i tronditur dhe i prekur thellë. Duke iu drejtuar popullit ai tha, se ky akt i dhunshëm "ka tronditur dhe hidhëruar" kombin. Deri tani nuk ka të dhëna mbi identitetin dhe motivin e personit në amok. Kancelarja Angela Merkel qysh të hënën në mbrëmje (16.04) u shpreh e prekur thellë nga ngjarja e shkaktuar në amok. Përmes një telefonate ajo i shprehu ngushëllimet presidentit Bush, vuri në dukje një zëdhënës i zyrës së kancelarisë.

Tmerri është i madh mbi ngjarjen më të rëndë të ndodhur në amok në SHBA. Në orën 07.15, sipas orës lokale, policia në Blaksburg në shtetin federal të Virxhinias, mori një telefonatë emergjence. U njoftua për të shtëna me armë zjarri në një godinë në Virxhinia, ku ndodhen konviktet e studentëve. Presidenti i Shkollës së Lartë Teknike në Virxhinia, Çarls Steger, e quajti këtë një "tragjedi me përmasa monumentale". Policia mbërriti rrethoi ndërtesën dhe mendoi, se autori është larguar. Dy orë më vonë pati të shtëna të tjera në një tjetër godinë, në të cilën gjenden sallat e leksioneve për teknikët.

Gjatë të shtënave për herë të dytë u shkaktua shumica e viktimave. Policia mendon se ka qenë vetëm një antetator, i cili gjithashtu ka vdekur.

Në epokën e celularëve me fotografi shumë shpejt ishte e mundur që pamjet e studentëve të tmerruar dhe policëve të armatosur rëndë të shfaqeshin menjëherë në televizion. Një student ia pati dalë të fotografonte të shtënat. Dëshmitarët okularë thonë, se u krijuan rrethana kaotike në të gjithë territorin, studentët përpiqeshin të gjenin vende të sigurta, policët përpiqeshin ta vendosnin situatën nën kontroll.

Laura Spaventa, një studente për televizionin CNN tha: "Fillimisht ne morëm një e-mail që në korpus ka një person në amok. Por kjo nuk na shqetësoi shumë, sepse edhe javën e shkuar pati një alarm të rremë për bombë. Më pas, erdhi sërish një e-mail. Na u bë thirrje që të qëndrojmë në vendet ku ndodheshim. Pas kësaj dëgjuam pesë të shtëna, por jo shumë të forta. Profesori uli grilat dhe shuajti dritën. Dhe më pas ne u shtrimë në dysheme nën tavolina."

Kështu qëndruan studentët për disa orë, derisa mundën të largohen prej godinës.

Në senatin e SHBA dhe në kongres u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave. Presidenti Bush tha në një fjalim në televizion, se kombi është i tronditur dhe në hidhërim. Ai u shprehu ngushëllimet viktimave dhe të afërmve të tyre: "Shkollat duhet të jenë vendet e sigurisë, të mbrojtjes dhe të mësimit. Nëse në këto ambjente depërtohet me dhunë, atëherë goditja ndjehet në çdo klasë amerikane dhe në çdo godinë amerikane."

Shumë studentë gjatë të shtënave kujtuan rastin e amokut të vitit 1999 në Columbine High School në Litëllton të Kolorados. Asokohe dy të rinj vranë 12 studentë dhe një mësues.