Irani pranoi goditjen „gabimisht“ të avionit
11 Janar 2020Avioni ukrainas me pasagjerë startoi natën e së mërkurës nga aeroporti i kryeqytetit iranian, Teheran para se të goditej me raketë. Të 176 personat në bord humbën jetën. Televizioni shtetëror iranian deklaroi, se avioni i rrëzuar ka fluturuar pranë një baze ushtarake të rëndësishme, dhe u godit nga një raketë. Boeing 737 i shoqërisë ukrainase të fluturimit, UIA është ngatërruar me një „avion armik". Ushtria e ka qëlluar „pa qëllim" avionin, bëhet fjalë për një „gabim njerëzor", ka thënë televizioni shtetëror duke iu referuar një deklarate të ushtrisë iraniane. Përgjegjësit do të dalin para drejtësisë. Në të njëjtën kohë ushtria iraniane u shprehu ngushëllimet e saj familjeve të viktimave.
Iran fliste deri më tani për defekt teknik
Presidenti i Iranit, Hasan Rohani shkroi në Twitter, se vendi i tij shpreh keqardhje „shumë të thellë" për goditjen e avionit. Bëhet fjalë për një „tragjedi të madhe dhe një gabim të pafalshëm." Kurse ministri i Jashtëm iranian, Mohamad Xhavad Zarif i kaloi një pjesë të fajit edhe Shteteve të Bashkuara. Ata janë përgjegjës për atmosferën e ndezur, që ka çuar tek ky gabim njerëzor, shkroi Zarif në Twitter. Më parë megjithë dyshimet e shprehura nga disa krerë qeverish e shtetesh ditët e fundit, se avioni u qëllua nga një raketë, Teherani e kishte hedhur poshtë këtë në mënyrë kategorike. Irani bënte fjalë për një gabim teknik.
Ekspertë iranianë dhe ukrainas hetojnë
Të premten filluan hetimet për shkakun e katastrofës së fluturimit PS572. Ekspertë iranianë dhe ukrainas filluan punën në një laborator të aeroportit Mehrabad në Teheran. Qëllimi ka qenë vlerësimi i regjistrimeve në kutitë e zeza të dëmtuara dhe zhurmave në kabinën e pilotit. Sipas zëdhënësit të qeverisë, Ali Rabiei, Irani ka ftuar edhe Boeing të marrë pjesë në hetime. Autoriteti i fluturimeve në Europë, EASA ka rekomanduar mënjanimin e fluturimeve mbi Iran. Lufthansa i ndërpreu fluturimet në Teheran deri në 20 janar.
Shumica e pasagjerëve që humbën jetën në rrëzimin e avionit ukrainas ishin iranianë, kanadezë me origjinë iraniane, që përmes Ukrainës do të vazhdonin fluturimin në Kanada. Pak orë pas goditjes së avionit, Gardat e Revolucionit në Iran kishin goditur me raketa dy baza ushtarake amerikane në Irak. Sulmi u konsiderua si hakmarrje për vrasjen e organizuar me dron të gjeneralit të njohur iranian, Khasem Soleimani më 3 janar në kryeqytetin irakian, Bagdad.
la/se/sti/kle (ap, rtr)