1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tunezi, Marok, Algjeri - vende të sigurta origjine?

10 Mars 2017

Këshilli Federal Gjerman vendos për shpalljen e vendeve të tjera si vende të sigurta origjine. Ligji synon refuzimin më të shpejtë të kërkesave për azil për refugjatët e ardhur nga Tunizia, Maroku dhe Algjeria.

https://p.dw.com/p/2YwMz
Deutschland Demonstration gegen Abschiebung von Flüchtlingen
Fotografi: picture alliance/dpa/M. Balk

Bavaria është landi që kërkon vendim të shpejtë lidhur me vendet e sigurta të origjinës. Me kërkesën bavareze Këshilli Federal diskuton për shpalljen e vendeve të tjera si vende të sigurta origjine në bazë të një projektligji të qeverisë gjermane. Por nuk duket se do të ketë shumicë për këtë në këshill, pasi për miratimin e tij duhet të japin votën edhe katër nga vendet e bashkëqeverisura nga të Gjelbrit. Këta të fundit e refuzojnë parimin e listës së vendeve të sigurta të origjinës.

Vetëm landi i Baden-Vyrtembergut, i qeverisur nga Të Gjelbrit dhe CDU ka lënë të kuptohet se do të japë miratimin e tij me kushte. Ligji është miratuar nga Bundestagu në maj 2016. Projektligji kundërshtohet  edhe për shkak të gjendjes së të drejtave të njeriut në shtetet afrikano-veriore.

Me miratimin si vende të sigurta origjine mund të trajtoheshin më shpejt kërkesat për azil nga këto vende e të refuzoheshin pa argumentim të posaçëm, duke përshpejtuar procedurat. Vende të sigurta origjine janë vendet, ku merret si e mirëqenë që aty nuk praktikohen dënimet çnjerëzore apo përndjekja politike.