Turizmi i shfrenuar po u zë frymën qyteteve evropiane
10 Janar 2023Venecia
Venecia është një nga qytetet më piktoreske në Evropë. Për fat të keq, kjo bukuri i ka kushtuar shtrenjtë, pasi miliona turistë vërshojnë në qytet çdo vit, duke i zhvendosur banorët.
Në një përpjekje për të lehtësuar presionin, autoritetet e qytetit po shqyrtojnë një tarifë hyrjeje për udhëtarët ditorë, shumë prej të cilëve zbarkojnë nga anijet masive të lundrimit. Venecia ka përjetuar rregullisht vitet e fundit protesta kundër turizmit të shfrenuar.
Firence
Firence është një tjetër qytet që shumë turistë e kanë të vështirë t'i rezistojnë falë arkitekturës së saj të bukur të Rilindjes dhe muzeve të klasit botëror. E keqja, megjithatë, është se vizitorët e kanë të vështirësi të takojnë vendas, pasi pjesa më e madhe e qytetit është e pushtuar nga turistët. Autoritetet dhe banorët e Firences janë të dëshpëruar nga përballja me turizmin e tepruar.
Roma
Është e rrallë të kesh për vete Shkallët Spanjolle të Romës (në foto), ose ndonjë pikë referimi tjetër të famshme. Atraksionet e shumta historike dhe kulturore të kryeqytetit italian e bëjnë atë një magnet të vërtetë turistik - në vitin 2019, Roma regjistroi rreth 26 milionë prenotime fjetjeje. Autoritetet kanë kërkuar të menaxhojnë më mirë masat duke kufizuar hyrjen në shatërvanin e Trevit dhe duke mos lejuar njerëzit të ulen në shkallët spanjolle.
Praga
Qoftë duke shijuar birrën e famshme çeke, duke shëtitur nëpër urën e Karlit (në foto) ose thjesht duke ndjerë atmosferën e saj të mrekullueshme, kryeqyteti çek ofron shumë për të parë dhe argëtuar. Fatkeqësisht, qyteti me 1.3 milionë banorë priste rreth 7 deri në 8 milionë turistë në vit përpara pandemisë. Megjithëse shifrat e fundit të vizitorëve janë më të ulëta për shkak të COVID-19, shumë vendas janë të lodhur nga masat e turistëve.
Dubrovniku
Dubrovniku është bërë një emër i njohur që kur u shfaq në serialin televiziv "Game of Thrones". Qyteti i tij historik piktoresk i listuar në UNESCO është sigurisht i veçantë. Megjithatë, me kalimin e viteve, numri i vizitorëve ka pushtuar qytetin e vogël, duke u rritur ndjeshëm nga 500.000 njerëz në 2011 në 1.5 milion më 2019. Autoritetet kanë konsideruar kufizimin e aksesit në qendrën historike.
Amsterdami
Amsterdami është rraskapitur nga turizmi i tepërt prej vitesh, për shkak të reputacionit të tij si një parajsë për kërkuesit e kënaqësisë. Shumë vendas janë të zemëruar dhe mendojnë se cilësia e tyre e jetës po zbehet nga një mori turistësh që bllokojnë rrugët e qytetit. Si përgjigje, qyteti filloi të ndalojë konsumimin e alkoolit në zona të caktuara dhe planifikon të bëjë të njëjtën gjë me kanabisin. Rreth 18 milionë turistë priten në vitin 2023.
Barcelona
Në vitin 2019 Barcelona priti një rekord prej 12 milionë vizitorësh, edhe pse popullsia e saj është vetëm 1.6 milionë banorë. Megjithëse pandemia e COVID-19 çoi në një rënie të konsiderueshme të numrit të vizitorëve, shumë janë të velur me turizmin masiv dhe ndikimin e tij në strukturën urbane. Në vitin 2022 qyteti vendosi kufizime në turet me guidë në qendër të Barcelonës. Ekziston gjithashtu një kufi për akomodimet në brendësi të qytetit.
Lisbona
Para pandemisë, diku rreth 4 deri në 6 milionë turistë zbarkonin në Lisbonë çdo vit. Është një shifër befasuese duke pasur parasysh se kryeqyteti i Portugalisë është shtëpia e vetëm gjysmë milioni njerëzve. Turizmi masiv ushtron presion të jashtëzakonshëm në sektorin e banesave, me një sërë apartamentesh të kthyera në mjedise me qira për pushuesit dhe me zhvendosjen e imponuar të punëtorëve me paga të ulëta që largohen nga zonat e njohura si lagjja Alfama.