Turqia arreston 100 të dyshuar si terroristë të IS-it
30 Dhjetor 201933 të dyshuar janë arrestuar vetëm në provincën e Ankarasë, raportoi agjencia e lajmeve, Anadolu. Këta persona janë irakianë, mes tyre ndodhen edhe dy sirianë dhe një maroken. Mjaft të dyshuar të tjerë si terroristë të IS-it janë kapur në provincën Batman, Kayseri dhe Adana.
Ky aksion i shtrirë në të gjithë Turqinë ka kërkuar një angazhim të madh të forcave policore. Vetëm në aksionin në Batman, në juglindje të vendit kanë marrë pjesë 400 policë. Që javën e kaluar, policia turke me një aksion të gjerë arrestoi 20 të dyshuar të IS-it në Stamboll. Që nga Nata e Vitit të Ri 2017 në klubin e natës "Reina" policia ka pasur në fokus ndjekjen e terroristëve. Në atentatin në "Reina" Natën e Vitit të Ri humbën jetën 39 vetë. IS-i pranoi përgjegjësinë për atentatin në Stamboll.
Turqia në muajt e fundit ka përforcuar përpjekjet për të dëbuar edhe milicë të IS-it dhe përkrahësve të tyre në vendet nga vijnë. Edhe milicë gjermanë të IS-it do duhet të kthehen në Gjermani. Pak para krishtlindjeve, Turqia dëboi një person të dyshuar të IS-it në Gjermani.
Qeveria në Ankara akuzon vendet europiane si Britania e Madhe dhe Holanda, se po i ikin përgjegjësisë, duke u hequr nënshtetësinë milicëve të IS-it dhe duke mos pranuar kthimin e tyre. Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu deklaroi së fundmi, se Turqia "nuk është hotel për këdo anëtar të Daesh". Në arabisht "Daesh" përdoret për organizatën terroriste IS.
la/sth/hk (afp, rtr,dpa)