Turqia bllokon bisedimet në NATO për Finlandën e Suedinë
18 Maj 2022Vetëm disa orë pasi Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesën e tyre për anëtarësim në NATO, duhej marrë vendimi për të nisur procesin e anëtarësimit të nevojshëm për këtë qëllim. Por siç raportuan disa media, Turqia e frenoi këtë plan dhe bllokoi vendimin.
Turqia kishte kërcënuar me veton ndaj pranimit të dy vendeve. Që Suedia dhe Finlanda të jenë pjesë e aleancës ushtarake, të gjithë anëtarët e saj duhet të miratojnë anëtarësimin e tyre.
Turqia shtron kërkesa
Por Turqia ka ngritur shqetësimet e veta të sigurisë dhe ka bërë kërkesa për dy kandidatët për anëtarësim. Presidenti Recep Tayyip Erdogan i fajëson Finlandën dhe Suedinë për mbështetjen e Partisë së ndaluar të Punëtorëve Kurdë (PKK) dhe milicisë kurde YPG në Siri. Turqia i konsideron të dyja këto organizata "terroriste".
Përveç kësaj, qeveria turke po i bën presion Suedisë dhe Finlandës që të ekstradojnë përkrahësit e dyshuar të predikuesit islamik Fetullah Gylen, për të cilët Turqia dyshon se ndodhen në këto dy vende.
Në një fjalim drejtuar partisë së tij islamo-konservatore në pushtet, AKP, në Ankara, Erdogan riafirmoi qëndrimin e tij. Zgjerimi i NATO-s me këto dy anëtarë për Turqinë ka lidhje me respektimin e ndjeshmërisë së saj, theksoi kreu i shtetit turk. Ai kritikoi Suedinë dhe Finlandën se duan të mos heqin dorë nga mbështetja e tyre për "organizatat terroriste" në të ardhmen. Ai përsëri kritikoi Suedinë për refuzimin e ekstradimit të "terroristëve" dhe vuri në dukje:
"NATO është një aleancë sigurie, një organizatë sigurie. Në këtë kuptim, nuk mund t'i themi po bërjes së pasigurt të këtij organi të sigurisë".
Zëdhënësi i NATO-s nuk dëshiron të flasë
Një zëdhënës i Aleancës nuk pranoi të komentojë mbi diskutimet brenda Këshillit të NATO-s. Ai thjesht theksoi se Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg ishte i vendosur për të arritur një zgjidhje të shpejtë për Finlandën dhe Suedinë. "Këto dy vende janë partnerët tanë më të ngushtë dhe bashkimi me NATO-n do të rriste sigurinë euro-atlantike," tha ai.
Qeveria gjermane tashmë e ka miratuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Kabineti Federal miratoi nënshkrimin e protokolleve të Traktatit të Atlantikut të Veriut në lidhje me pranimin e dy shteteve.
Kancelari gjerman Olaf Scholz i garantoi dy anëtarët e rinj potencialë të NATO-s të martën se Gjermania do të angazhohej të ratifikonte shpejt kërkesën e tyre për anëtarësim. Sot në mëngjes, kancelari Scholz theksoi se Republika Federale tashmë ndihet e detyruar për mbrojtje reciproke, ndonëse Suedia dhe Finlanda nuk janë ende zyrtarisht pjesë e aleancës së mbrojtjes.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e përshëndeti edhe një herë në Twitter vendimin e Finlandës dhe Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n. Politikania e të Gjelbërve foli më herët për një "moment historik" në një "situatë shumë dramatike" dhe këmbënguli, si kancelari Scholz, që të dy vendet duhet të pranohen sa më shpejt të jetë e mundur.
aud, dw, tgsch