1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mungesë uji në Turqi

Senada Sokollu/ Eliana Xhani3 Mars 2014

Në Turqi ka vështirësi në furnizimin me ujë. Vendi vuan nën thatësirën më të fortë të dhjetë viteve të fundit. Ekspertët i shohin shkaqet jo vetëm tek ndryshimi i klimës por kritikojnë menaxhimin e ujit nga politika.

https://p.dw.com/p/1BIfq
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Okten

Në pishinat e Stambollit uji është përgjysëm ose nuk ka fare. Turqia ka përpara një verë shumë të varfër në ujë. Më shumë se dy milionë metra kub ujë konsumojnë rreth 14 milionë banorët e metropolit në Bosfor. Dhjetë diga furnizojnë qytetin por sipas të dhënave të Institutit të Stambollit për Administrimin e Ujit dhe Kanalizimet (ISKI) ato janë aktualisht të mbushura vetëm në 29,8 për qind të kapacitetit. Veçanërisht të prekur nga mungesa e ujit janë perëndimi i Turqisë dhe Anadolli qendror. Megjithatë ministri për Mjedisin dhe Pyjet, Vejsel Eroglu, tha për gazetën Hürriyet: "Nuk do të ketë mungesë uji. Ne do të vëmë ujë në dispozicion. Mos u shqetësoni." Por kryebashkiaku i Stambollit Kadir Topbas përmes Twitter tha se Stambolli do të vuajë nga thatësira. Edhe ministri i Bujqësisë Mehdi Keer paralajmëroi muajin e kaluar nga periudha e thatësirës.

Urbanizim problematik

"Kaq pak para zgjedhjeve komunale thuajse asnjë politikan nuk pranon të flasë hapur për problemet. Por dihet se Stambolli me sasinë e ujit që ka aktualisht në dispozicion mund t'ia dalë e shumta edhe vetëm katër muaj", thotë Ümin Sahin, ish kryetar i partisë ekologjiste turke. Reshjet këtë dimër kanë sjellë vetëm një të tretën e sasisë së zakonshme.

Prof. Dr. Nilsun H. Ince
Prof. Dr. Nilsun H. InceFotografi: DW/S.Sokollu

Krahas ndryshimit të klimës një nga shkaqet për mungesën e ujit është planifikimi i keq urban: "Stambolli shfrytëzon për ngritjen e zonave të banuara të gjitha sipërfaqet natyrore si pyje, sipërfaqe të lagështa dhe tokë ku gjenden burime uji", thotë Sahin në bisedë me Deutsche Welle. Gjatë 20 viteve të fundit qyteti i Stambollit ka filluar vërtet të ndërtojë diga dhe kanale të reja uji. "Por numri i popullsisë është rritur më tej dhe është marrë vendim që uji të transportohet nga jashtë qytetit." Për shembull nga malet Istranca në kufi me Bullgarinë apo nga lumi Melen, rreth 180 kilometra larg Stambollit. "Në këtë mënyrë politika e ujit është bërë edhe më e dëmshme për të ardhmen pasi u merret uji njerëzve të tjerë dhe gjallesave të ekosistemeve të tjera. Për politikanët ky problem ka natyrë teknologjike dhe jo ekologjike", kritikon Sahin.

Për të mbrojtur sistemin ekologjik të Stambollit është veç kësaj e nevojshme që të mos preket veriu. "Në planifikimet teorike të qytetit përcaktohet që vetëm në lindje dhe perëndim të qytetit të mund të ndërtohet por jo në veri pasi veriu i Stambollit është i pasur me pyje dhe ka lumej, liqene dhe gjithë burimet natyrore të qytetit", thotë Sahin. Projekte të mëdha si aeroporti i tretë dhe ura e tretë do ta shkatërronin ekosistemin.

Uji dhe ndryshimi i klimës

Ndryshimi i klimës do të godasë veçanërisht rëndë rajonin e Mesdheut si dhe Lindjen e Afërt dhe të Mesme, parashikon Sahin. "Një nga temat më delikate dhe të rëndësishme të politikës së jashtme turke ka të bëjë me lumenj si Eufrati dhe Tigri, të cilët nga Turqia kalojnë edhe përmes Sirisë dhe Irakut. Këta lumenj përbëjnë për Turqinë një problem të madh diplomatik", thotë Sahin. Nëse thatësira do të shtohet vitet e ardhshme, atëherë Turqia do t'u mbajë gjithnjë e më shumë ujë vendeve fqinje, çka mund të sjellë tensione të reja.

Pinar Aksogan
Pinar AksoganFotografi: DW/S.Sokollu

Ekspertja e mjedisit Nilsun Ince nga Universiteti Bogazici në Stamboll nuk i vë fajin asnjë qeverie të veçantë. "Menaxhimi i gabuar dhe mungesa e ujit si pasojë e tij kanë qenë gjithnjë problem në këtë qytet", thotë Ince në bisedë me DW. Menaxhimi i duhur fillon me kontrollin e numrit të popullsisë dhe të kërkesës për ujë. "Rajoni i Marmarasë e para së gjithash Stambolli kanë vetëm një numër të kufizuar rezervuarësh uji në krahasim me lindjen dhe jugun e Turqisë." Për këtë arsye bujqësia, e cila shfrytëzon pjesën më të madhe të ujit duhej të ishte përqendruar në rajone më të pasura me ujë në lindje dhe jug të vendit. "Veç kësaj nuk duhej të kishte industri në Stamboll dhe rajonin e Marmarasë, në mënyrë që uji i disponueshëm t'u lihej familjeve", thotë Ince.

Një tjetër kritikë e studiueses: "Ne nuk e riciklojmë ujin dhe kjo jo vetëm sepse nuk kemi rregulla për këtë por edhe sepse njerëzit nuk e dinë se si bëhet. Për këtë arsye shteti duhet të ofrojë kurse përkatëse."

Familjet duhet të kursejnë ujë

Aktivistja turke e Greenpeace Pinar Aksogan, kujton se si në verën e vitit 2007 çdo javë kishte të paktën dy herë kufizime të ujit megjithëse asokohe sasia e ujit në rezervuarët e Stambollit ishte në nivelin 50 për qind të kapacitetit, pra gati dy herë më shumë se sot. "Nganjëherë nuk kishim ujë për 12 orë rresht. Nuk kishim mundësi të bënim as dush. Qytetarëve iu bëhej thirrje të largoheshin nga qyteti dhe të kalonin verën në shtëpizat verore", tregon Aksogan në bisedë me DW. Politika ka obligimin të bëjë diçka përballë thatësirës aktuale. "Por ende nuk kemi dëgjuar asgjë për ndonjë plan emergjence dhe në jetën e përditshme politike nuk duket se tema ka ndonjë rëndësi të veçantë", thotë Aksogan.

Ümit Sahin
Ümit SahinFotografi: DW/S.Sokollu

Turqia ka nevojë për më shumë sisteme për efiçencën e ujit në familje dhe në industri, thotë aktivistja. Duhet kaluar gjithnjë e më shumë tek energjitë e ripërtëritshme dhe edhe për familjet nevojiten masa për kursimin e ujit, thotë aktivistja e Greenpeace. "Ne nuk i përdorim thuajse fare çatitë tona. Ato mund të përdoreshin për të mbledhur ujin e shiut apo vendosjen e aparateve për energji diellore." Kështu mund të kursehej shumë ujë dhe energji.