1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të Gjelbrit: Habeck i interesuar të kandidojë për kancelar

16 Gusht 2024

Tema aktualisht është krejtësisht "e parëndësishme", thotë Robert Habeck. Megjithatë, në një podcast, ai e bëri të qartë për herë të parë se do të jetë kandidat për kancelar për Të Gjelbrit në zgjedhjet parlamentare.

https://p.dw.com/p/4jWjD
Sommerreise Habeck | Köln
Fotografi: Sebastian Gollnow/dpa/picture alliance

Deri tani, Të Gjelbrit kishin shprehur hezitim për kandidimin për kancelar në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Por që kur Annalena Baerbock, kandidate në vitin 2021 dhe ministre aktuale Federale e Punëve të Jashtme, deklaroi rreth një muaj më parë se nuk do të kandidonte më, të gjithë sytë qenë drejtuar tek ai: Robert Habeck. Dhe ai sapo deklaroi për herë të parë zyrtarisht në një intervistë për portalin informativ Politico: Po, është gati të kandidojë për partinë e tij.

"Do të doja të më mbështesnin – për Gjermaninë, për partinë time, për projektin, për demokracinë”, tha Ministri Federal i Ekonomisë. Çështja e "titujve", siç e quan Habeck-u, aktualisht është "më pak e rëndësishme". Sepse në radhë të parë është çështje e të gjithëve, "përfshirë partinë time, të kuptojmë se çfarë duam në të vërtetë”.

Të Gjelbrit duhet të kenë sukses me rivendosjen e besimit, theksoi Habeck. Partia duhet t'i "bëjë sërish një ofertë vendit" dhe t'u tregojë njerëzve: "Dëgjojmë, kuptojmë, mësojmë". Dhe për këtë ndoshta është gjithashtu e nevojshme të korrigjohet pozicioni i dikujt. Anasjelltas, as njerëzit nuk duhet të "mbyllen” në pozicionin e tyre. "Kjo është ideja - dhe me të vërtetë dallon tani nga idetë e çdo partie tjetër politike."

Kritika të ashpra për "tërbimin shkatërrues" të CDU-së

Por me kritikat e tij, Habecku i drejtohet kryesisht CDU-së.CDU vepron me "tërbim të pastër shkatërrues". "Por të thuash se të tjerët janë budallenj, se ne po shkatërrojmë gjithçka që ata kanë bërë – kush të voton për këtë?” pyet kandidati i mundshëm, por jozyrtar për kancelar. Kjo nuk i sjell asgjë vendit.

Deutschland Breitband l Habeck besucht dir Firma Ostbau
Fotografi: Jens Thurau /DW

Koalicioni i madh i mëparshëm, i udhëhequr nga CDU, "nuk bëri asgjë", vazhdon Habeck, duke lënë pas vetëm një "mal të madh" problemesh të pazgjidhura: mungesën e zhvillimit të energjisë së erës, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, digjitalizimin që çalon, mungesën e pyetjeve kritike ndaj Kinës dhe varësinë e vazhdueshme nga Rusia.

Koalicionet

Habeck nuk përjashton një koalicion me CDU/CSU pas zgjedhjeve të ardhshme federale, si nuk përjashton as vazhdimin e koalicionit tringjyrësh aktual. Kjo ndonëse ministri Federal i Ekonomisë e shikon në mënyrë kritike punën e përbashkët të qeverisë me SPD-në dhe FDP-në.

2021 ishte "një situatë krejtësisht tjetër"

Drejtimi për të Gjelbrit është i qartë: rritje në sondazhe, larg rezultatit të ulët të zgjedhjeve evropiane. Të Gjelbrit morën atje 11.9% të votave, një rënie prej 8.6 pikësh. Në DeutschlandTrend-in e fundit, kjo parti mori 12% të votave. Me këtë radhitet pas CDU/CSU, AfD dhe SPD. Për krahasim, në vitin 2021 të Gjelbrit morën 14.7% – një kërcim prej 5.7 pikë përqindjeje lart në vendin e tretë, pas SPD dhe partive unioniste.

Të Gjelbrit gjenden tani "në një situatë krejtësisht të ndryshme" nga ajo në vitin 2021, pranon vetë Habecku. "Në atë kohë ne kishim mbështetje, të gjithë donin të qeverisnin me ne. Sondazhet qëndronin stabël deri në 20 për qind mbështetje." Dhe edhe "në ëndrrat më të guximshme", nuk e kishim përfytyruar "rënien kaq të shpejtë".

"Nuk ka rrugë pas, në pafajësinë përpara qeverisë," është i bindur Habeck. "Ne duhet të ngrihemi sërish me punë”, me zgjidhje konkrete për probleme konkrete. Dhe me Habeck-un si kandidat për kancelar - ndoshta.

 

 

ag/tg