Muzeumet edukues
6 Gusht 2013
Muzeumi i Etnologjisë, Rautenstrauch-Joest në Köln ka krijuar një muzeum junior, ku fëmijët njihen me kushtet e jetesës së fëmijëve në të gjithë botën. Në këtë kontekst muzeumi ofron kurse e seminare që iu sjellin vizitorëve të vegjël më pranë kultura të huaja. Tetë fëmijë nga mosha 5 deri në 11 vjeç janë takuar në sallën e Orientit të të muzeumit Rautenstrauch-Joest në Köln për të mësuar më shumë për jetën e orientalëve. Të ulur këmbëkryq ata shohin me interes nga e vetmja mësuese që qëndron në këmbë në sallë. „Atëherë le të shohim se ç'pamje ka Orienti. Këtu jemi në një sallë, ku mund të shohësh shumë objekte të ardhura nga Orienti. Këto janë modele, atje tej shkronja arabe. Këta qilimë, janë qilimë oriental, kështu ne mund të kemi një përfytyrim mbi Orientin.”
Mësim dhe dëfrim
Laura Winkler është në të vërtetë etnologe, por nëna me dy fëmijë ofron rregullisht kurse në muzeum. Fillimisht një guidë e shkurtër me vizitorët e vegjël nëpër sallat e ndryshme, pastaj të gjitha fantazitë e reja hidhen në letër në një sallë kreativiteti. Winkler: „Kemi shumë fansa, pra fëmijë që vijnë rregullisht. Për shumë syresh muzeumi është interesante të kalosh pasditen në një muzeum. Ata nuk rrinë ulur si në shkollë të dëgjojnë, por janë aktivë, bëjnë diçka, punë kreative. Shto këtu që shumë fëmijë janë bashkë në një grup, kjo është shumë interesante për ta.“
Pikërisht ky është koncepti i muzeumit etnologjik: Fëmijët duhet të zhvillojnë dëshirën të mësojnë diçka të re. Nga njëra anë me këto rrëfime interesante rritet gjenerata e ardhshme e vizitorëve të muzeumit, por nga ana tjetër fëmijët zgjerojnë horizontin për kultura të tjera. Në këtë muzeum lënda e re ofrohet në formë më kreative se në mësimin e gjeografisë apo të historisë në shkollë. Laura Winkler merr si shembull imitimet e gjalla të shkretëtirës, çadrat nomade, fiset touareg dhe devetë. "Në një shkretëtirë është e vështirë të jetosh, e dini pse? Sepse aty ka kaq pak ujë dhe ushqim. E drejtë. E me çfarë ushqehen njerëzit, kur ka kaq pak ujë, pra çfarë rritet aty? Disa hanë kaktuse.“
Vizitorët e vegjël duan eksperimentin
Që nga vitet 60-të muzeumet edukues janë kthyer në modë në Gjermani. Muzeumi nuk duhet të tërheqë vetëm elitat e arsimuara, por duhet të jetë një vend edukimi që garanton arsimimin e të gjithëve. Duket se kjo tendencë shoqërore ka gjetur klientelën e vet, aq sa ish tempulli i muzave është kthyer në një park argëtimi. Sidomos për fëmijët ky muzeum ofertat janë të shumëllojshme.
Për më të vegjëlit muzeumi bëhet edhe më interesant, kur ata i prekin me dorë objektet. Në një seminar të posaçëm ata mund të prekin gëzofe kafshësh të fshehura dhe të gjejnë vetë se për cilat kafshë bëhet fjalë.
Pasi kalohen çadrat e fiseve nomade, veshjeve orientale dhe imitime skenash të jetës së përditshme me deve dhe fise touareg, grupi i fëmijëve vazhdon rrugën në sallën e kreativitetit. Këtu fëmijët nën kujdesin e një mësuesi mund të lenë të lirë fantazinë e tyre dhe përpunojnë përshtypjet e mbledhura: Ata vizatojnë, palosin letra, ngjisin yje vezulluese. Edhe 11 vjeçari Christian Stolz prezanton me krenari veprën e tij: Tre faqe me modele dhe hieroglifet arabe, të mbledhura në një libër. Christiani është një vizitor i rregullt i muzeumit dhe ka marrë pjesë në shumë kurse. „Sigurisht këtu është më shumë qejf se në shkollë. Këtu vij me dëshirë. Për shembull këtu jo vetëm mësoj, por edhe bëj vetë gjëra kreative që më pëlqejnë. Faqja e parë është gati. Sa kohë ka mbetur?
E një kurs i tillë kaq interesant përfundon shumë më shpejt. Në fund të gjithë fëmijët janë të një mendimi: ata duan të vijnë sërish në këtë muzeum. Për t'u njohur me jetën e indianëve – ata janë pjesë e programit të ardhshëm.