Të paktën 12 të vrarë në trazirat midis myslimanëve dhe koptëve në Kajro
9 Maj 2011Sundon një qetësi e tendosur në lagjen Imbaba të Kairos. Njerëzit janë mbyllur në shtëpitë e tyre pas trazirave të përgjakshme natën duke gdhirë e diela, të cilat u kushtuan jetën të paktën 12 vetëve dhe shkaktuan 230 të plagosur. Tanke rrethuan lagjen, policia dhe ushtria rrethuan gjithë vendin, për t'i ndalua radikalët të afrohen. Një i krishterë i plagosur thotë:
"Ky ishte një sulm i planifikuar. Ata i vunë flakën njërës kishë pas tjetrës. Kjo ishte me siguri e planifikuar."
Dëshmitarë informojnë se natën duke gdhirë e diela, rreth 500 salafistë radikalë islamikë me veshje tradicionale marshuan drejt kishës së virgjëreshës në Imbaba. Ata kërkuan lirimin e një gruaje, e cila gjoja mbahej e burgosur në kishë, sepse siç thuhej donte të konvertohej në fenë islame dhe të martohej me një burrë mysliman. Ahmed Sulejman, një dëshmitar mysliman thotë:
"Në fillim ne folëm me njëri-tjetrin, për të shmangur dhunë. Ne e dimë shumë mirë se në vend ka tensione fetare. Ne duam të negociojmë, për t'i zgjidhur probleme të tilla. "
Por pastaj fluturuan shishe me lëndë djegëse dhe gurë, u shkrehën të shtëna. Kisha e virgjëreshës dhe fasada e një qendre fetare tjetër pranë morën flakë. U plaçkitën shtëpi. Ushtria dhe policia përdorën gazin lotsjellës dhe hapën zjarr në ajër, për ta vënë nën kontroll turmën e zemëruar. Essam Mohamed, një dëshmitar tjetër:
"E gjitha ndodhi vetëm sepse kishte shumë pak forca sigurie. Mbështetës të regjimit të vjetër duan të provokojnë dhunë fetare. Askush, as i krishterë dhe as mysliman nuk do të guxonte t'i vinte flakën një kishe. Eshtë regjimi i vjetër që është përgjegjës për këtë."
Nëse kjo akuzë ka baza, është e paqartë. Ka të dhëna se salafistët u shoqëruan nga grupe huliganësh. Dhe e sigurtë është se në të kaluarën, regjimi i vjetër i ka përdorur tensionet fetare për synimet e tij. Dr. Sherief Hany, nga organizata e rinisë e kishës kopte u shpreh përballë Al Xhazirës:
"Gjatë regjimit të Mubarakut, minoritetet sulmoheshin vetëm sepse Mubaraku donte të qendronte në pushtet. Ai ka luajtur një lojë të ndyrë. Sepse koptët sulmonin myslimanët, myslimanët koptët dhe askush nuk e sulmonte atë ose ta detyronte të jepte dorëheqjen."
Por edhe pas revolucionit egjiptian, ku të krishterët dhe myslimanët demonstruan përkrah njëri-tjetrit, tensionet fetare nuk kanë pushuar.
Kryeministri Essam Sharaf anulloi një udhëtim në shtetet e Gjirit dhe thirri një mbledhje krize të kabinetit. Pas takimit, u bë e ditur se natën qenë arrestuar 190 vetë, pjesëtarë të të dyja komuniteteve fetare. Ata do të nxirren para një gjykate ushtarake ku do të dënohen me të gjithë ashpërsinë, u bë e ditur në një deklaratë me shkrim.
Autor: Linda Staude/Auron Dodi
Redaktoi: Esat Ahmeti