1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çdo pikë shtesë në indeksin e masës trupore rrit rrezikun për sëmundje

dpa/dw29 Maj 2013

Çdo mashkull në Gjermani ha në javë mesatarisht rreth një kilogram mish dhe sallam - ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon vetëm 300 deri në 600 gram në javë.

https://p.dw.com/p/18g9t
Fotografi: Fotolia/Markus W. Lambrecht

Meshkujt të cilët kanë mbipeshë kur janë rreth të njëzetave, janë dy herë më shumë të rrezikuar që të vdesin para moshës 55-vjeçare, në krahasim me moshatarët e tyre që kanë peshë mesatare. Në një studim afatgjatë prej 33 vjetësh, janë përfshirë 6.500 danezë, të cilët në fillim të studimit ishin 22 vjeç. 1.5 për qind, përkatësisht 97 syresh, ishin obezë. Indeksi i masës trupore të tyre (BMI) ishte 30 ose më i lartë. Shumica e pjesëmarrësve, 83 për qind (5.407), kishin “peshë normale”, pra një indeks të masës trupore mes 18.5 dhe 25.

Kinder Fettleibigkeit Turnhalle
Fotografi: picture alliance/dpa

Deri në moshën 55-vjeçare, gati te gjysma e pjesëmarrësve me mbipeshë, është diagnostikuar diabeti i tipit II, sëmundje të ndryshme kardiovaskulare, ose tension i lartë. Disa prej personave të përfshirë në studimin afatgjatë kanë pësuar infarkt apo hemoragji cerebrale, ose kanë pasur tromboza në këmbë ose mushkëri. Disa madje kishin vdekur. Ekipi danez vërtetoi që çdo pikë shtesë në indeksin e masës trupore, BMI, e rrit rrezikun për të pësuar infarkt me pesë për qind, për të vuajtur nga tensioni i lartë dhe trombozat me 10 për qind, ndërsa nga diabeti me 20 për qind.

Probleme me mbipeshën ka edhe në Gjermani. Kështu sipas të dhënave të Organizatës Gjermane për Ushqyerjen çdo mashkull në Gjermani ha në javë mesatarisht rreth një kilogram mish dhe sallam - ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon vetëm 300 deri në 600 gram në javë. Po ashtu OBSH rekomandon 2.5 orë në javë ushtrime sportive të rënda.

#42267668 - Grilled meat with fire flames © Kesu
Fotografi: Fotolia/Kesu

Ndër sëmundjet e mundshme që lidhen me mbipeshën bëjnë pjesë edhe çrregullime gastrointestinale, probleme të ndryshme ortopedike, dhimbje kronike koke dhe depresioni. Po ashtu mbipesha ndikon mjaft në zhvillimin e kancerit. Sipas Qendrës Gjermane për Studimet për Kancerin mbipesha ndikon sidomos për zhvillimin e tumoreve të ezofagut dhe të mitrës.

dpa/dw