280910 Medwedjew Luschkow Entlassung
28 Shtator 2010Për momentin hy hap ishte surprizues, sepse Medvedevi është duke zhvilluar një vizitë shtetërore në Kinë. Lushkovi, i cili mbushi javën e kaluar 74 vjeç, dukej i lehtësuar pas luftës disa javëshe për pushtet. Ivan Novitcki, deputet i Dumës, shprehet i çuditur për dekretin e shkarkimit nga detyra.
"Formulimi është i çuditshëm, sepse nuk ka pasur asnjë lloj zhvillimi që do t'i justifikonin fjalët e përdorura në të. Nuk ka pasur trazira, gjendje të jashtëzakonshme apo aksidente".
Lushkovi kishte humbur mbështetjen e Kremlinit
Lushkovi nuk ishte ndonjë kryetar bashkie dosido. Ai drejtonte që prej 18 vjetësh metropolin rus, i cili ka rreth 14 milionë banorë. Ai ishte personi i tretë më i pushtetshëm në Rusi – pas presidentit dhe kryeministrit dhe ishte një politikan i njohur edhe në botën e jashtme.
Shenjat se erës së autoritarit Lushkov po i vinte fundi u shtuan javët e fundit, kur ndaj tij u shpeshtuan në mediat shtetërore kritikat për korrupsion dhe nepotizëm. E shoqja Jelena Baturina, e cila ka një firmë ndërtimi, është sot gruaja më e pasur e Rusisë. Këto njoftime në media do të thonë se e ka humbur mbështetjen e Kremlinit.
Lushkovi e mbështeti p.sh. ndërtimin e autostradës për në Shën Peterburg, e cila do të kalonte përmes pyllit Himki. Medvedevi e ndaloi këtë projekt. Me rastin e 65-vjetorit të përfundimit të Luftës së II Botërore Lushkovi donte të vendoste në qytet pankarta gjigante me fytyrën e Stalinit, por Kremlini ia ndaloi këtë aksion. Kryetari i bashkisë, thuhej në njoftime nuk ka arritur t'i zgjidhë problemet e mëdha me qarkullimin që ka kryeqyteti dhe lejoi që për ndërtimin e qendrave tregtare dhe të banesave luksoze të shkatërroheshin monumente kulture.
Luftë pushteti pas dyerve të mbyllura
Sikurse është e zakonshme në Rusi lufta për pushtet mes Kremlinit dhe ish-kryetarit të bashkisë të Moskës Lushkovit nuk u bë e hapur. Disa vëzhgues mendojnë se Lushkovi është pengesë për kursin modernizues të Medvedevit. Të tjerë mendojnë se kjo lidhet me mosmarrëveshjet mes Medvedevit dhe Putinit, i cili e kishte Lushkovin njeri të besuar. Edhe pse nuk mund të besohet se Medvedevi ka vepruar kundër dëshirës së Putinit, me këtë veprim Medvedevi ka treguar për herë të parë forcë dhe pushtet. Pas një viti e gjymë zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe Medvedevi synon të kandidojë sërish.
Autor: Esther Hartbrich / Pandeli Pani
Redaktoi: Eliana Xhani