1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Udhëtim pa pengesa në Gjermani

Jonas Martiny
16 Nëntor 2023

Njerëzit me aftësi të kufizuara që duan të udhëtojnë në Gjermani nuk e kanë të lehtë. Sepse Gjermania nuk është vërtet vend me infrastrukturë turistike pa pengesa për njerëzit me aftësi të kufizuara.

https://p.dw.com/p/4YgoJ
Berlin: njerëz me aftësi të kufizuara përpara katedrales
Njerëz me aftësi të kufizuara përpara katedrales së BerlinitFotografi: Andi Weiland

Bernhard Endres e di këtë nga përvoja e vet, ai mund të lëvizë vetëm me karrocën e invalidit. "Kur bëj planet për të bërë pushime, është sikur jam duke luajtur "kuka mçefti”, sepse kërkoj shumë deri sa gjej gjënë e përshtatshme", thotë ai. Shpesh informacionet për pengesat që kanë ndërtesat për shembull të një hoteli ose një shtëpie pushimi është e vështirë të gjenden. "Shumë thonë: Po, ndërtesa jonë është pa pengesa. Por kur shkon në vend sheh se nuk është e vërtetë.” Karroca për shembull nuk futet dot në banjë, ose diku ndodhet një shkallë, që nuk e kapërcen dot.

Gjendja është "pak më e mirë se pa asgjë”

Endres është anëtar i ekipit të specialistëve të turizmit në shoqatën mbarëkombëtare të njerëzve me aftësi të kufizuara "Selbsthilfe Körperbehinderter" dhe e di mirë si është gjendja në sektorin e turizmit, sa i përket lëvizjes së lirë për njerëzit me aftësi të kufizuara. "Formuluar miqësisht: Gjendja është pak më mirë se pa asgjë”, thotë ai. Kështu mendon edhe Jonas Fischer, referent për lëvizjen pa pengesa në shoqatën sociale VdK: "Ne në Gjermani jemi ende larg krijimit në mbarë vendin të strukturës së turizmit pa pengesa për njerëzit me aftësi të kufizuara.” Kjo do të thotë se pengesat për njerëzit me aftësi të kufizuara janë shumë të mëdha. 

Gjermani: Pak infrastrukturë turistike për njerëzit me aftësi të kufizuara
Gjermania ka pak infrastrukturë turistike për njerëzit me aftësi të kufizuara Fotografi: Addictive Stock/Shotshop/picture alliance

Që perspektiva e njerëzve që kanë kufizim lëvizjeje të shihet me prioritet, duhet të merren masat për krijimin e mundësive të lëvizjes së lirë, që shpesh janë masa ndërtimi ose masa të tjera të ngjashme. "Por ne kritikojmë po ashtu që shumë muzeume, parqe dhe institucione të tjera nuk funksionojnë sipas parimit të marrjes së informacioneve me më shumë se një shqisë, pra nuk ofrojnë mundësi për njerëzit me shqisa të kufizuara,” thotë Fischer. Prandaj shoqata sociale VdK kërkon që krijimi i mundësive për lëvizje të lirë të mos jetë detyrim vetëm për institucionet publike, por të jetë detyrim edhe për institucionet private. Kjo gjë ka kohë që ka ndodhur në SHBA.

I vështirë planifikimi me detaje i pushimeve

Një nga pengesat më të mëdha për njerëzit me aftësi të kufizuara për të udhëtuar pa pengesa është mungesa e informacioneve të besueshme. Ato janë të domosdoshme për të planifikuar me detaje pushimet. Për të dhënë ndihmë për këtë, që nga viti 2011, nga Ministria e Ekonomisë është vënë në përdorim sistemi i kërkimit me shenja "Udhëtim për të gjithë". Në faqen e caktuar të internetit që quhet udhëtim për të gjithë, (www.reisen-fuer-alle.de) mund të tregohen oferta turistike që nuk janë krejt pa pengesa, por që kanë kaluar procesin për marrjen e certifikimit.

Në këtë faqe mund të mësosh për shembull se kalldrëmi rreth Portës së Brandenburgut në Berlin, ka një pjerrësi prej një përqind në drejtim të lëvizjes së lejuar, ose se në Bazilikën e Naumburgut ka guida për të verbërit dhe që rruga nga sheshi i parkimit deri tek Kështjella Hambach është 100 metra e gjatë. Aty mund të lexosh po ashtu përmasat e përpikta të banjave publike të Muzeumit të Gutenbergut në Mainc. Por dhe informacione të detajuara për hotelet, sheshet e kampimit, restorantet, dyqanet, plazhet dhe shumë të tjera.

Informacionet e besueshme janë të pakta

Kleçka e kësaj është se faqja e internetit "Udhëtimi për të gjithë” ka aktualisht një listë me 2.828 institucione, vende dhe ndërmarrje në gjithë Gjermaninë. Numri i përgjithshëm i objekteve turistike në Gjermani, ëshrë sipas vlerësimeve të Shoqatës federale të ekonomisë së turizmit nga 200 000 deri 250 000. Informacione të besueshe për gjendjen e lëvizjes së lirë jepen vetëm për një pjesë të vogël të tyre. Një nga arsyet pse ndodh kjo ka të bëjë me faktin se certifikimi kushton shumë para. Përveç kësaj ai duhet marrë nga e para një herë në çdo tre vjet.

Gjermani | Kështjella  Neuschwanstein
Kështjella  Neuschwanstein Fotografi: picture-alliance/imageBROKER

Kështu që udhëtarëve me aftësi të kufizuara në Gjermani nuk u mbetet gjë tjetër për të bërë por të vazhdojnë t'i mbledhin vetë informacionet për udhëtimin pa pengesa për shembull në një vend turistik ose një akomodim turistik. Kush do të vizitojë për shembull Bazilikën e Këlnit ose Kështjellën  Neuschwanstein i gjen informacionet më të rëndësishme në faqen e tyre të internetit, megjithëse edhe ato nuk janë me detaje dhe të standardizuara si tek "Reisen für Alle", "udhëtimi për të gjithë”.

Edhe Qendra Gjermane e Turizmit, që bën në nivel ndërkombëtar reklamë për Gjermaninë si vend turistik, thekson rëndësinë e nxjerrjes në pah të ofertave që ofrojnë mundësinë e lëvizjes së lirë për njerëzit me aftësi të kufizuara. Gjermania duhet pozicionuar si vend që u krijon të gjithë njerëzve mundësi për të marrë pjesë në turizëm. Njëjtë shihet kjo gjë edhe nga Shoqata gjermane e hoteleve dhe gastronomive (DEHOGA). "Është pjesë e AND-së së hotelierëve dhe gastronomëve, që të jenë sa më shumë mikpritës për të gjithë ata që vijnë. Kjo sigurisht që vlen edhe për vizitorët me aftësi të kufizuara,” thotë Sandra Warden, drejtoreshë e shoqatës federale DEHOGA.

"Prandaj rëndësia e lëvizjes së lirë për njerëzit me aftësi të kufizuara është rritur vitet e fundit dhe tema përfshihet që në fillim tek ndërtimet e reja.” Por në ndërtimet ekzistuese është shumë e vështirë të krijosh mundësi për lëvizje të lirë, shpesh madje edhe e pamundur. Po ashtu shpesh nuk merret parasysh fakti që dhomat për njerëzit që lëvizin me karroca kërkojnë më shumë vend se dhomat e zakonshme. Ky është faktor që ndikon në kostot e ndërtimit.

22 përqind e të gjitha stacioneve të trenave arrihen pa shkallë

Pasagjerët me aftësi të kufizuara e dinë të paktën mirë çfarë i pret në aeroportet gjermane. Sipas një ligji të BE-së mund të kërkohet ndihmë falas në dhënien e bagazhit, hipje dhe zbritje nga avioni. Në rast nevoje udhëtarët duhet të regjistrohen më parë tek linja ajrore. Edhe gjatë ndërrimit të trenave ofrohet ndihmë, të paktën në stacionet e mëdha të trenave. Sipas shoqatës sociale VdK, deri në vitin 2020 hyrjet e 22 përqind të 5.400 stacioneve të trenave në Gjermani nuk ishin të arritshme pa shkallë. 

Prandaj njerëzit si Bernhard Endres do të vazhdojnë të përjetojnë surpriza. Ai vetë ka dëgjuar t'i thonë se mund ta ngrenë në krah për të ngjitur disa shkallë, në një rast kur në një hotel u përballë me shkallë megjithëse i kishin thënë të kundërtën. "Unë nuk kam nevojë të më mbajnë në krah”, thotë ai. "Edhe ne kemi dinjitetin tonë”.