Ukraina dënon vonesat për krijimin e gjykatës për Rusinë
11 Shtator 2023Ukraina dënoi mungesën e përparimeve për krijimin e një gjykate për të ndjekur penalisht liderët rusë, gjykatë kjo e ngjashme me gjykatën e Nurembergut të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu Kievi u ankua për vonesat në transferimin në bankat ukrainase të parave ruse të ngrira në bankat perëndimore. "Fatkeqësisht në të dyja çështjet ka një lloj bllokimi, sepse për çështjen e parë ka përçarje kurse për çështjen e dytë ka qartë mungesë vullneti," tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Ai tha se grupi G7 mbështet një gjykatë hibride, e cila do të bazohej në legjislacionin ukrainas.
Ukraina dhe të tjerët shpresojnë se krijimi i një gjykate të tillë do të mundësonte gjykimin e Presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit Mikhail Mishustin apo ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov. Megjithatë është e paqartë se si ndonjëri nga këta zyrtarë do të mund të përfundonte ndonjëherë në gjendje arresti në Ukrainë ose ndonjë vend perëndimor, sepse ekstradimi i tyre nga Rusia duket shumë i pamundur.
"Është e pamundur t'u shpjegosh ukrainasve se mund të ketë një gjykatë pa Putinin në bankën e të pandehurve," tha Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin.
Çështja e aseteve të ngrira ruse
Kievi gjithashtu po kërkon transferimin në Ukrainë të parave ruse të ngrira në bankat perëndimore, për t'i përdorur ato për rindërtimin e vendit. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u shpreh për një "mungesë vullneti" në lidhje me transferimin e këtyre aseteve.
Që nga fillimi i pushtimit të Rusisë në Ukrainë u hodh ideja që paratë ruse të ngrira në bankat perëndimore në kuadrin e sanksioneve të përdoren për të rindërtuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta. Vlera e këtyre aseteve të ngrira mendohet se shkon në qindra miliardë dollarë.