1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina: Fëmijët e luftës

Frank Hofmann27 Maj 2015

Një vit më parë Petro Poroshenko u ngjit në postin e presidentit. Ai donte ta nxirrte Ukrainën nga kriza. Por në shtëpitë e fëmijës në rajonin e luftës Donbas kuptohet se sa larg është vendi nga realiteti i premtuar.

https://p.dw.com/p/1FWQu
Kinder des Krieges Ukraine
Fotografi: DW/F. Hofmann

Kristina 18 vjeçare ka ikur e vetme nga rajoni i separatistëve, Donjeck. "Pasi filloi lufta verën e shkuar, plumbat po i afroheshin gjithnjë e më shumë shkollës sonë profesionale", rrëfen ajo. Një ditë ajo mori valixhet dhe u ngjit në njërin nga autobusët ngyrë portokalli, që kalonin në pikat e kontrollit të rebelëve dhe trupave ukrainase. Synimi: Një qytet i kontrolluar nga trupat qeveritare, Krasnoarmejsk, në një shkollë tjetër profesionale që do ta pranonte. Një shoqe po ashtu e larguar nga Donjecku e ndihmoi të strehohej në shtëpinë e fëmijës të kishës. Që nga ajo kohë Kristina mban rregullisht kontakt përmes internetit me miqtë e saj në Donjeck. "Natyrisht që dua të kthehem sa më parë në shtëpi", thotë ajo.

Kinder des Krieges Ukraine
Kristina është larguar për shkak të luftësFotografi: DW/F. Hofmann

Mëngjes i varfër

Kristina duhet të çajë e vetme rrugën në jetë, pasi prindërit e kanë braktisur - një pasqyrë e rrënimit social në Donbas, kohë para se të fillonte lufta. Peizazhi përgjatë vijës së frontit të ofron vetëm fabrika të mbyllura e shkatërruara. Kudo, si në qytetin front në palën ukrainase, Novoaidar, si në Luhansk të shoqërojnë shtëpi fëmije, shumica shtetërore dhe pa kujdesin e duhur. Për mëngjes në Novoaidar ka vetëm pak feta buke me reçel. Alexej Kagan, drejtor i shtëpisë së fëmijës të kishës arrin ta mbajë hapur atë vetëm me donacione private. "Tani punojmë vetëm me 30% të mjeteve që kishim më parë." Për fat kjo shtëpi qëndron ende hapur - për fatin e Kristinës dhe shoqeve të saj.

Djali nga frigoriferi

Tani ajo jeton në një dhomë fëmije me lodra dhe disa vajza më të vogla, një fund i mirë i udhëtimit të saj. Megjithatë në historitë e tyre kupton tmerrin e luftës. Shoku i saj më i mirë në këtë shtëpi fëmije, thotë Alexej Kagan, ka përjetuar tmerre. "Nëna e fuste në frigoriferë magazinash që ai të rrinte urtë." Michaeli, (emër i ndryshuar, shën.red.) nuk flet me të panjohurit. Ai dhe Kristina janë më të rriturit në grup, bisedat mes tyre janë më shumë joverbale. Gjestet të kujtojnë adoleshentë të vonuar. Për Kristinën bota e saj është një smartphone që e lidh me shoqet në anën të tjetër të frontit, ndërsa Michael gëzon për një top futbolli.

Kinder des Krieges Ukraine
Stacioni i fundit për shpëtim: Shtëpia e fëmijës në KrasnoarmejskFotografi: DW/F. Hofmann

Pas rrënimit social -lufta

Alkool, moskujdes familjar, krizë sociale. Ky ishte rajoni i qymyrit dhe industrisë së çelikut në Donbas para lufte. Tani këtij rajoni i shtohet lufta dhe refugjatët. Rreth një milionë ukranas e kanë braktisur vendin e tyre sipas të dhënave të OKB-së që nga fillimi i luftës. Në drejtim të Kievit, të Rusisë, apo në perëndim të Ukrainës. "Kam akoma shokë e shoqe në Donjeck, sigurisht shumë janë larguar, por ka të tjerë që kanë qëndruar", beson Kristina. Që nga koha e armëpushimit ka filluar të lëvizë jeta në Donjeck, i thonë shoqet Kristinës, që nuk është e sigurtë nëse mund të kthehet. "Por nuk e di me siguri." Pas gjithë shkëmbimeve me miqtë në forumet e internetit dhe bisedat ajo beson se fajin për këtë gjendje e ka qeveria e Kievit, megjithëse ndihma tani po i vjen nga ana ukrainase e frontit.

Kinder des Krieges Ukraine
Kristina shpreson të kthehet në qytetin e sajFotografi: DW/F. Hofmann

Kamp pushimi në Krime

Në korridoret e shtëpisë së fëmijës qëndrojnë varur fotografi nga kohë më të mira: Fëmijë të gjallëruar dhe të rinj në breg. "Një herë në vit shkojmë gjithmonë për pushime në Krime", thotë drejtori i shtëpisë së fëmijës, Alexej Kagan. "Shkojmë", thotë ai në kohën e tashme. Por që kjo kohë mund të ketë marrë fund për një kohë të gjatë që kur Rusia vitin e shkuar e aneksoi Krimenë- gadishullin idilik në Detin e Zi, këtë Alexej Kagan nuk do ta përfytyrojë. "Ukraina ka vendosur të shkojë drejt Europës." Para më shumë se një viti me "revolucionin e dinjitetit" në Maidan dhe qytete të tjera. "Dikë e bezdis fakti që ne duam ta bëjmë këtë, që ne duam të ndryshojmë nga brenda", thotë ai duke u përshendetuar me ne para shtëpisë së fëmijës. Pemët në kopështin para saj kanë lulëzuar dhe shtëpitë nuk ndryshojnë nga rajonet e tjera të varfra të lindjes europiane.