Ukrainë: Disa të vdekur pas një sulmi me raketa ndaj Kievit
2 Qershor 2023"Në lagjet Dniprovski dhe Desnjanski sipas të dhënave të mjekëve ka 14 të plagosur, nëntë prej tyre duhet të trajtohen në spital", vuri në dukje krabashkiaku Vitali Klitçko në kanalin e tij në Telegram. Sipas të dhënave të administratës ushtarake kryeqyteti i Ukrainës u sulmua në orën 3:00 sipas orës lokale. Ndonëse predhat e lëshuara nga raketat e instaluara tokësore u goditën prej mbrojtjes kundërajrore, pjesët e tyre kanë shkaktuar viktima dhe dëme.
300 fëmijë nga Belgorod u dërguan në vende të sigurta
Pas goditjeve të përsëritura autoritetet ruse në rajonin kufitar Belgorod reaguan. "Sot do të dërgohen në vende të sigurta në Voronesh 300 fëmijët e parë", njoftoi guvernatori Vjatçslav Gladkov në Telegram. Fëmijët dhe të rinjtë, sipas të dhënave të tij janë nga distriktet Shebekino dhe Graivoron. Voronesh ndodhet rreth 250 km në veri-lindje dhe në këtë mënyrë larg nga kufiri i Rusisë me Ukrainën. Ky vendim është marrë në sfondin e "situatës në përkeqësim" deklaroi Gladkov. Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti njoftoi më vonë, se në Voronesh kanë mbërritur autobusë me rreth 150 pasagjerë.
Të martën (30.05.2023) u vra një person me gjasë nga një sulm ukrainas ndaj një qendre distribuimi në rajon. Natën e së mërkurës (31.05.2023) Shebekino, sipas të dhënave të Gladkov u godit sërish nga një raketë. Si pasojë u plagosën katër vetë. Në rajonin Belgorod javën e kaluar depërtuan milicë të armatosur nga Ukraina dhe kryen sulme. Qysh atëherë kanë goditur me artileri të rëndë dhe me dronë disa zona në afërsi të kufirit.