1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukrainë: Shpërthime rreth centralit bërthamor në Zaporizhia

21 Nëntor 2022

Përreth dhe në territorin e centralit më të madh bërthamor ukrainas në Zaporizhia pati sërish shpërthime të forta. Dëmet e shkaktuara nuk ndikojnë ndaj sigurisë bërthamore.

https://p.dw.com/p/4JoB7
Ukrainë: Centrali bërthamor në Zaporizhia
Ukrainë: Centrali bërthamor në ZaporizhiaFotografi: Stringer/AA/picture alliance

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në centralin bërthamor ukrainas në Zaporizhia ka pasur gjatë fundjavës disa shpërthime të forta. Ekspertët e IAEA në terren kanë raportuar për disa sulme përreth dhe në territorin e centralit më të madh bërthamor të Evropës. Drejtori i Përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi, tha se këto veprime janë "jashtëzakonisht shqetësuese".

Drejtori i Përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi
Drejtori i Përgjithshëm i IAEA, Rafael GrossiFotografi: Metin Aktas/AA/picture alliance

Shpërthimet e fundjavës kanë dëmtmtuar ndërtesat, por dëmet e identifikuara në sisteme dhe pajisje nuk janë "kritike" dhe nuk ndikojnë ndaj sigurisë bërthamore. Viktima në njerëz apo të plagosur nuk ka pasur.

Akuza të ndërsjellta

Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi forcat e armatosura ukrainase për goditjen me artileri gjatë fundjavës të centralit bërthamor në Zaporizhia. Vetëm të dielën në mëngjes objekti është qëlluar me dymbëdhjetë predha të kalibrit të madh, u tha agjencive ruse të lajmeve zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov.  Sipas tij një nga predhat goditi çatinë e një stacioni special, por rrezatimi në afërsi të centralit bërthamor është "normal”.

Centrali bërthamor në Zaporizhia është centrali më i madh bërthamor i Evropës
Centrali bërthamor në Zaporizhia është centrali më i madh bërthamor i EvropësFotografi: AA/picture alliance

Agjencia bërthamore ukrainase Energoatom, tha nga ana tjetër, se centralin Zaporizhia e kishte qëlluar Rusia. Edhe Energoatom foli për të paktën dymbëdhjetë sulme gjatë të dielës në mëngjes.

Moska dhe Kievi e bëjnë prej muajsh njëri-tjetrin përgjegjëspër sulmet përreth dhe në territorin e centralit bërthamor në Zaporizhia. Objekti ndodhet në rajonin Zaporizhia, që ndodhet jo shumë larg fronti dhe të cilin Rusia e ka shpallur si të aneksuar. Në tetor presidenti rus Vladimir Putin nxori një dekret duke e shpallur centralin bërthamor në Zaporizhia nën administrimin rus.