UNICEF: fëmijët romë, ashkalij dhe egjiptianë të mos dëbohen nga Gjermania në Kosovë
26 Gusht 2011Kthimi nga Gjermania dhe nga vende të tjera evropiane në republikën e Ballkanit presupozon për shumicën e këtyre fëmijëve një kthim në mjerim, kritikoi Gjermaninë të premten (26.08.2011) në Këln Tom Königs nga ortganizata UNICEF. Shumë familje të kthyera në Kosovë jetojnë në apartamente të rrënuara, pa ngrohje dhe ujë dhe ato nuk kanë të drejtë të marrin ndihmë sociale. Një e katërta e të gjithë fëmijëvë romë, ashkali dhe egjiptianë të dëbuar në Kosovë nuk shkojnë në shkollë.
Fonde ka, por mungon vullneti politik
Për shkak të gjendjes së vështirë të fëmijëve të dëbuar UNICEF-i kërkon që atyre që kanë lindur apo janë integruar tashmë në Gjermani t'u jepet e drejta e qëndrimit të përhershëm. Ndonëse për herë të parë qeveria e Kosovës ka krijuar një fond prej 3,4 milionë eurosh "faktikisht mungon vullneti politik dhe zbatimi i masave të parashikuara për riintegrimin në nivelin komunal është i pamjaftueshëm", kritikon organizata e OKB-së për fëmijët UNICEF.
Në Gjermani sipas të dhënave të kësaj organizate rreth 6.000 fëmijë nga familje rome, ashkali dhe egjiptiane kërcënohen të kthehen në Kosovë. Në landet e Renanisë Veriore-Vestfalisë, Saksoni, Anhalt dhe Bremen ndërkohë është vendosur, që përpara se të nisë procedura e kthimit duke pasur parasysh më të mirën për fëmijët duhet të verifikohen për secilin rast individualisht pasojat.
Autor: EPD/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Bahri Cani