1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Standarde evropiane

13 Mars 2012

Universiteti i Prishtinës i cili është hapur në vitin1969 numëron sot rreth 42.000 studentë. Ky Universitet ka realizuar rreth 50 marrëveshje bashkëpunimi me universitete të ndryshme ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/14JNu
Universiteti i Prishtinës
Universiteti i PrishtinësFotografi: Mimoza Cika Kelmendi

Universiteti i Prishtinës me 17 fakultete ofron para së gjithash arsimim akademik, por dhe kërkimet shkencore. Synimi kryesor i tij është që t'i përshtatet standardeve evropiane duke u integruar plotësisht sipas Deklaratës së Bolonjës. Gjithashtu misioni i tij është të luajë një rol udhëheqës në përparimin e ideve dhe të shkencës duke ndihmuar në procesin e demokratizimit të shoqërisë. Rektori i këtij universiteti, Profesor Mujë Rugova është optimist që ky institucion ka realizuar pothuajse tërësisht reformat lidhur me kriteret e këtij synimi, kjo falë edhe bashkëpunimit me universitetet e huaja.

Bashkëpunimi - prioritet për integrim

Profesor Mujo Rugova, Rektor i Universitetit të Prishtinës
Profesor Mujë Rugova, Rektor i Universitetit të PrishtinësFotografi: DW

“Së pari kemi punuar që programet mësimore, kurrikulat, të jenë konform universiteteve në kuadër të Kartës së Bolonjës. Pothuajse të gjitha programet po i përshtasim sipas modeleve të programeve të disa universiteteve europiane që janë të përfshirë në Kartën e Bolonjës. Sigurisht që na ndihmon edhe bashkëpunimi që kemi krijuar me vetë universitetet e shumta në Europë, SHBA e vende të tjera"

Janë rreth 100 universitete që kanë treguar interes bashkëpunimi. Deri tani janë nënshkruar rreth 50 marrëveshje bashkëpunimi. Tani jemi në pritje për nënshkrimin e një marrëveshje me Universitetin e Oksfordit dhe atij të Kembrixhit si dhe me universitetin e Varshavës. Janë në proces edhe katër marrëveshje me universitete të tjera europiane dhe katër të tjera me universitetet e Turqisë.

Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja e pranon që Kosova tashmë është në këtë rrugë dhe kriteret do të plotësohen të gjitha.

"Jemi pothuajse përpara vendeve të rajonit që janë tashmë në Kartën e Bolonjës, por më shumë për shkak të disa defekteve politike se sa arsimore jemi në këtë pozicion dhe nuk kemi nxituar edhe pse në fillim e morrëm me vrap për të hyrë me çdo kusht. Pra nuk jemi për t'u nxituar. Nuk duam të hyjmë politikisht, por vetëm nga aspekti akademik në këtë Kartë. Pavarësisht se edhe ata që janë me të gjitha aty kanë vërejtje për përmasat dhe logjikën e veprimit të kësaj Karte, ne jemi të vendosur që këtë rrugë që kemi nisur ta çojmë deri në fund. Pra është e qartë që kemi synim të hyjmë dhe t'i përmbushim të gjitha kriteret që duhen përmbushur”.

Ramë Buja, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës
Ramë Buja, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së KosovësFotografi: DW

Dyert e hapura për specialistët e huaj

Por sa i përgjigjet realisht Universiteti i Prishtinës kërkesave dhe sfidave që ka përballë universiteteve të huaja me shumë traditë? Mujë Rugova gjatë mandatit të tij si rektor ka arritur ta pasurojë stafin e pedagogëve me specialistë të huaj nga jashtë dhe i ka hapur dyert të gjithë kuadrove(shqiptarë) që kanë studjuar jashtë. Edhe baza materiale, literatura po pasurohet shumë: "Institucioni ynë po punon prej gati dy vjetësh për shfrytëzimin e një mundësie të paraqitur nga kolegët në Maqedoni, të cilët kanë përkthyer 500 tekste të dhjetë universiteteve më të mira të botës, prej tyre 150 në gjuhën shqipe që janë përkthyer nga profesionistë të Tiranës. Së bashku me Ministritë përkatëse të Arsimit , Kosovë dhe Shqipëri edhe me përfaqësuesit e arsimit në Shkup kemi rënë dakord që këto tekste t'i kenë edhe studentët kosovarë në duar brenda një kohe të shkurtër".


Në Kosovën e pasluftës dhe veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë u vu re një tendencë e madhe për hapjen e të ashtuquajturave “universitete private”. Por sipas ministrit Buja ende asnjë nga këto të ashtuquajtura të tilla nuk i kanë plotësuar kërkesat për të qenë universitet privat sipas kritereve:

Konkurrencë apo biznes

Studentë të Universitetit të Prishtinës
Studentë të Universitetit të PrishtinësFotografi: Zulfija Jakupi

“Fakt është që zyrtarisht ende nuk ka një universitet privat. Ata mund ta quajnë veten, por në fakt ne kemi kolegje universitare të licensuara, pra ato janë në këtë nivel. Unë mendoj që numri i tyre të mos shtohet, mundësisht të reduktohen dhe të ngrihet cilësia shumë dhe më pas, dy ose tre prej tyre të arrijmë t'ua vemë emrin e vërtetë, pra universitet në të gjitha përmasat , kapacitetin, kriteret europiane e të tjera. Shkurt ne nuk duhet të krahasohemi vetëm me rajonin, por edhe më tej. Pra ne duhet ta tejkalojmë këtë sfidë për të qenë jo vetëm fizikisht në Europë. Motoja jonë është që Kosovën ta bëjmë vendin e dijes."

Ndërsa Rektori Rugova e quan biznes këtë lloj aksioni për krijimin e gjoja universiteteve private, madje ai mendon se këto po pengojnë hapjen e univeristeteve të vogla nëpër qytete e mëdha që sipas tij është bërë tashmë e domosdoshmë në Kosovë. “Mendoj se kemi të bëjmë me një lloj biznesi. Pra, hapja e universiteteve private është thjesht një lloj piramide. Kolegjet private për mendimin tim janë piramida. Unë mbetem ithtar që në Kosovë të hapen universitete të vogla nëpër disa qytete të mëdha. Si për shembull në Prizren, Pejë, në Gjilan apo në Mitrovicë. Bëhet fjalë për universitete me 4-5 mijë studentë. Por edhe deri në 6-7 mijë duke u liruar pak edhe universiteti i Prishtinës. Unë mendoj që krahas këtyre të jenë edhe kolegjet, por të rinjtë janë ata që mund të bëjnë përzgjedhjen e duhur".

Për herë të parë mbrojtja e doktoraturës

Biblioteka universitare e Prishtinës
Biblioteka universitare e PrishtinësFotografi: Zulfija Jakupi

Ndërkohë Universiteti I Prishtinës ka shpallur konkursin për studimet e doktoraturës për të diplomuarit në bazë të Deklaratë së Bolonjës. Lidhur me këtë proces ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja thotë:

"Çështja e doktoraturës ka zgjatur pak, megjithëse jo shumë në përputhje me kapacitetet tona akademike, por me premtimet që kemi nga shumë universitete të rajonit të Evropës dhe botës për të sjellë pedaagogët për të mbajtur leksione dhe për të marrë kandidatë doktorantë, besojmë se do të kemi sukses me konkursin, që u shpall këto ditë nga universiteti. Me këtë invazion të krijimit të institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privatë neve na duhen kuadro. Prandaj është e rëndësishme që ne t'i prodhojmë vetë këto kuadro. Gjithashtu ne mendojmë që këtë invazion institucionesh të arsimit të lartë, qofshin publik apo privatë duam t'i disiplinojmë duke pasur parasysh gjithmonë në themel vlerën e tyre".

Autor: Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi