Universiteti i Regensburgut mbështet fëmijët e migrantëve
25 Janar 2012"Ti ke mësuar, shkruar dhe lexuar në rumanisht? Literaturë profesionale? A nuk ishte e vështirë?" Lidija Ružić pyet e habitur studenten e shkencave ekonomike Elisa Hanganu. 25-vjeçarja i përgjigjet me një buzëqeshje qetësuese. Në kuadër të programit "Secondos" të Universitetit të Regensburgut, ajo ka bërë një semestër në Rumani dhe në mbrëmjen informative tregon për përvojën e saj. "Unë kisha vetëm provime me shkrim. Dhe profesorët e dinin se gramatika ime nuk është e përsosur", thekson Elisa dhe shton "Edhe ti mund t'ia dalësh mbanë!"
Një motivim për të cilin Lidija Ružić ka nevojë. Ajo dëshiron të bëjë një semestër në Kroaci, vendlindjen e prindërve të saj. "Sa herë jam në Kroaci, tezja më qorton se ku ka mbetur kroatishtja ime", tregon ajo. Përvojë të ngajshme ka edhe Rosalie Dryjanski. Prindërit e 19-vjeçares janë me origjinë nga Polonia. "Unë kam mësuar të flas, por mund të lexoj vetëm pak", thotë Rosalie për njohuritë e saj të polonishtes. Edhe Julia Baal arrin të merret vesh në gjuhën e prindërve të saj, të cilët vijnë të dy nga Rusia. Por ajo njeh shumë pak kulturën dhe traditat ruse. "Kam shumë dëshirë ta njoh Rusinë", thotë ajo. "Herën e fundit kam qenë atje kur isha ende fëmijë, por ajo ishte diçka tjetër."
Të shfrytëzosh rrënjët multikulturore
Këtu mbështetet ideja e Universitetit të Regensburgut. Me programin e tij "Secondos" ai i drejtohet kryesisht studentëve të nivelit "bachelor", por edhe atyre në nivelin "master" apo studentëve që ndjekin programin me provime shteti. Koordinatorja e programit Lisa Unger-Fischer sheh një potencial të madh në sfondin e dyfishtë kulturor të këtyre studentëve. Por shpesh ai mbetet i pashfrytëzuar. Ata duhet ta bëjnë sfondin e tyre "të dukshëm dhe të shfrytëzueshëm", thotë koordinatorja Fischer-Unger për të interesuarit e programit "Secondos".
Pjesëmarrësit kalojnë një ose dy semestra në një prej gjashtë universiteteve partnere në Poloni, Hungari, Kroaci, Rumani, Ukrainë apo Rusi. Vende të tjera si Çekia dhe Sllovakia janë planifikuar të përfshihen në program. Për këtë qëllim studentët përgatiten paraprakisht me kurse për gjuhën dhe kulturën e vendit përkatës. Një çertifikatë dëshmon njohuritë e përftuara. Kjo ide i solli programit "Secondos" "Çmimin e punëdhënësve gjermanë për edukimin 2011". Punonjësit e kualifikuar me sfond dykulturor janë të kërkuar në ekonomi, thotë me bindje koordinatorja e programit Unger-Fischer.
Asnjë frikë prej semestrave jashtë
Julia Baal e konfirmon këtë: "Kam dëgjuar se njerëzit me njohuri të rusishtes kërkohen mjaft në Gjermani." Shanset në karrierën profesionale janë natyrisht një tjetër arsye për interesimin e tyre për programin "Secondos". E këtij mendimi është edhe Rosalie Dryanski: "Unë dua të bëj diçka ndërkombëtare", thotë ajo dhe kërkon t'i përsosë edhe për këtë arsye njohuritë e saj të polonishtes.
Elisa Hanganau është gjithashtu e mendimit se qëndrimi në Rumani do ta përmirësojë curriculim vitae-n e saj. Megjithatë në rastin e saj semestri jashtë vendit kishte më shumë arsye personale. Familja e bashkëshortit është me origjinë nga Rumania dhe për këtë arsye ky vend kishte ngjallur interesin e saj. "U ndieva vërtet mirë dhe kam njohur atje njerëz vërtet të sjellshëm, madje kam gjetur edhe miq të mirë", tregon studentja.
Programi "Secondos" u ofron pjesëmarrësve një këshillim intensiv, ndihmë në aplikimin për mbështetje financiare, marrëveshje fikse me universitetet partnere. Kurset që kryejnë jashtë si rregull njihen në programin e studimit të Universitetit të Regensburgut. Kjo e bind edhe Lidija Ružićin e cila e shihte fillimisht me skepticizëm kryerjen e një semestri në Kroaci: "Mua nuk do të më kishte shkuar aspak mendja të kryeja një semestër jashtë", thotë studentja pas mbrëmjes informative. Por ajo do të marrë pjesë në "Secondos", "pasi programi ma ka hequr të gjithë drojën ndaj një semestri jashtë."
Autor: Marcel Kehrer / E. Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj