UNMIK dhe EULEX - Ka vend për dy misione ndërkombëtare në Kosovë?
13 Prill 2009Autoritetet e Prishtinës, kërkojnë që misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, ta përfundojë mandatin dhe të largohet përfundimisht nga Kosova. Sipas tyre, ky mision tashmë është i konsumuar. Gjithashtu sipas tyre në Kosovë nuk ka vend për dy misione ndërkombëtare, pavarësisht faktit që edhe misioni EULEX, u vendos në bazë të rezolutës 1244 e KS-t, e cila vazhdon të jetë në fuqi. UNMIK-u pas vendosjes së EULEX-it, nuk ka më rol ekzekutiv, mirëpo më herët ka nënshkruar marrëveshje në emër të Kosovës dhe tani këto marrëveshje po sjellin telashe. Është marrëveshja për tregtinë e lirë me vendet e Ballkanit, që UNMIK-u ka nënshkruar në emër të Kosovës në vitin 2005. Mirëpo, pas shpalljes së pavarësisë doganat e Kosovës kaluan nën kompetencën e institucioneve kosovare dhe vulat që perdoren në dogana tani janë ato të Republikës së Kosovës. Përdorimi i vulave të Kosovës në mallrat kosovare u pamundëson atyre që të hyjnë në territorin e Serbisë dhe të Bosnjes, sepse këto dy vende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk i njohin vulat e saj.
UNMIK-u tani nuk mund të ndryshojë marrëveshje. Sipas Rasell Geekie, zëdhënës i UNMIK-ut, thotë ky mision pret udhëzimet nga KS-t lidhur me detyrat e ardhshme: “Lidhur me këtë, ne jemi aktualisht në tranzicion në përfundim të fazës së rikonfigurimit dhe jemi duke marrë një rol politik dhe raportues me disa kompetenca që kanë mbetur”, thotë Rasel Geekie.
Largimin e UNMIK-ut nga Kosova e ka kërkuar edhe Parlamenti Evropian. Këtë e thanë gjatë një vizite në Prishtinë, një delegacion e Parlamentit Evropian i kryesuar nga Doris Pack: “ Nuk na nevojitet më UNMIK-u në Kosovë. Tani EULEX-i duhet të jetë operativ në të gjitha rajonet e Kosovës për të ndihmuar institucionet kosovare në vendosjen e rendit dhe të ligjit”, thotë Doris Pack.
Analistët nga ana e tyre, thonë se prezenca e UNMIK-ut në Kosovë vetëm sa do ta komplikojë punën e misionit evropian EULEX. Ramush Tahiri, është analist i pavarur:“UNMIK-u në këtë fazë dhe me një staf të vogël vetëm sa do të paraqesë pengesa për misionin evropian EULEX, sepse të dy misionet kanë ardhur në Kosovë në bazë të rezolutës 1244, pra rrjedhimisht kanë një bazë ligjore. Kosova tash nuk ka nevojë për UNMIK-un dhe në të vërtetë nuk ka pasur asnjëherë nevojë për një adminisratë aq të fuqishme siç ishte UNMIK-u. Gjatë pesë viteve të fundit UNMIK-u nuk ka luajtur ndonjë rol të madh në Kosovë, prandaj mendoj se UNMIK-u ka qëndruar shumë gjatë në dhe nuk është më i nevojshëm”, thotë Ramush Tahiri.
Kosova tashmë ka bërë kërkesë në KS, që UNMIK-u të largohet. Këtë kërkesë e paraqiti në seancën e fundit të KS-t, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. Mirëpo. Por kërkesa kundërshtohet nga Beogradi. Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me misionin evropian, EULEX-in, por kanë theksuar se përfundimi i mandatit të misionit të OKB-së në Kosovë është i papranueshëm përderisa KS nuk e ka shfuqizuar rezolutën 1244.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora