1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ursula von der Leyen e përgatitur për mandatin e ri

24 Shkurt 2024

Bilanci i arritjeve të gjermanes Von der Leyen është i dukshëm. Sfidues seriozë ajo nuk ka. Por rizgjedhja e saj nuk është punë e mbaruar, shkruan Auron Dodi.

https://p.dw.com/p/4coP4
Großbritannien I Ukraine Recovery Conference in London
Fotografi: Henry Nicholls/AP/picture alliance

Rikandidimi i Ursula von der Leyen-it pritej. Megjithatë ajo i la vetes kohë dhe gatishmërinë për kandidim e shpalli vetëm javën e fundit. Rikandidimi konsiderohej i mundur, edhe sepse von der Leyen-i ka një bilanc të pamohueshëm arritjesh në krye të Komisionit Evropian.

Asnjë president tjetër që prej francezit Jacques Delors nuk ka pasur peshë të tillë në krye të KE. Për këtë ekspertët janë të një mendimi. Në fund të mandatit, gjermania Von der Leyen vlerësohet si menaxhuese e aftë krizash. Në këtë pikë bilanci i saj të sjell në mend bilancin e gjermanes tjetër, Angela Merkel, e njohur si menaxhuese e aftë krizash në krye të Gjermanisë dhe Evropës.

Krizat në mandatin e von der Leyenit kanë qenë të përmasave historike. Qeveria e BE nën drejtimin e saj ka reaguar shpejt, me hapa integrues të Evropës. Për hapa të tillë në kushte të tjera do të ishin dashur vite apo dekada.

Përvijimi i BE si faktor gjeopolitik

Pandemia dhe lufta në Ukrainë qenë zhvillimet më sfiduese të mandatit pesëvjeçar të Von der Leyenit. Që në krye të mandatit të saj, në dhjetor 2019, në Kinë shpërtheu pandemia Covid-19. Pasojat e pandemisë tronditën botën dhe BE. Këtu,  në fushën e shëndetësisë, Von der Leyenit i njihet merita e organizimit të blerjes së përbashkët të vaksinave nga BE.

 von der Leyen me Wolodymyr Selenskyj
Fotografi: Efrem Lukatsky/AP/dpa

Në shkurt 2022 nisi lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Reagimi i ekzekutivit të BE qe impresionues: u hapën për Ukrainën negociatat për anëtarësim në BE; u miratuan për Ukrainën blerje armatimesh; për Ukrainën u miratua më tej mbështetje e madhe financiare nga BE. Me këto Ursula von der Leyen-i bëri një hap të rëndësishëm në evidentimin si faktor gjeopolitik të BE. Këtë premtim ajo e kishte bërë në krye të mandatit të saj.

Suksese të tjera të KE, në mandatin e saj, janë ato në fushën ekonomike dhe energjetike.

Me Fondin e Rindërtimit nga pandemia, prej 750 miliardë eurosh, BE pranoi për herë të parë të hyjë në borxhe të përbashkëta, pra pranoi një formë eurobondesh.

Kurse në fushën e energjisë, në mandatin e von der Leyenit, BE vuri në rrugë reformën e tregut energjetik.

Veç kësaj: KE ka miratuar vitet e fundit direktiva mbrojtëse në politikën tregtare me botën.

Von der Leyen dhe Scholz pas mbledhjes së qeverisë gjermane, 05.03.2023
Von der Leyen dhe Scholz pas mbledhjes së qeverisë gjermane, 05.03.2023Fotografi: Soeren Stache/dpa/picture alliance

Njëkohësisht, ka nisur puna për Paktin e Gjelbër evropian. Ky Pakt synon ta bëjë BE neutral ndaj karbonit, deri në vitin 2050. Por disa reforma të këtij Pakti aktualisht janë pezulluar, kryesisht nën presionin e protestave të fermerëve në Evropë.

Objektivat e rinj të Ursula von der Leyen-it

„Aftësia për konkurrencë e BE dhe siguria në kuptim të gjerë", këto duhet të jenë prioritete kryesore të BE, tha von der Leyeni të shtunën (17.02.), në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Sidomos siguria, e në këtë kuadër mbrojtja dhe prodhimi i armatimeve janë aq të rëndësishme për të, sa ajo tha se do të emëronte një komisioner të posaçëm për këtë post, nëse do të rizgjidhet. Megjithatë, fushatën për rizgjedhje von der Leyen-i nuk e ka nisur ende, zyrtarisht.

Macron dhe Ursula von der Leyen ne Paris
Macron dhe Ursula von der Leyen në Paris, 03.04.2023Fotografi: Ludovic Marin/AFP/Getty Images

Mbështetje e re franceze për von der Leyenin?

Franca pritet ta mbështesë gjermanen von der Leyen për një mandat të dytë. Sipas mediave franceze, ajo është sjellë mirë me Francën. Megjithatë, mediat franceze kanë përhapur se Franca nuk dëshiron t'i lërë asgjë rastësisë: mbështetje Von der Leyen-i merr në këmbim të posteve me kompetenca të gjera për Francën: një zëvendëspresident i KE dhe një portofol i madh, për Teknologjitë e së Ardhmes së Evropës dhe për Mbrojtjen. Këto janë fusha qendrore të BE dhe për to pritet interes edhe nga shtete të tjera.

Macron e Von der Leyen si Helmut Kohl e Jacques Delors

Përsa i përket informacionit se në 2019 gjermania Von der Leyen erdhi në krye të Komisionit Evropian me propozimin e Francës: Gjermania nuk e ka konfirmuar asnjëherë këtë, por as e ka kundërshtuar. E pyetur për këtë në 2019-ën, kancelarja Merkel heshti. Gjithsesi, Merkeli i tha atëherë Macronit, se "asnjë francez nuk do të bëhet president i Komisionit Evropian”.

Delors te Kohl në Bonn, 28.09.1990
Delors te Kohl në Bonn, 28.09.1990Fotografi: Picture alliance/O. Berg

Po edhe sikur ta kenë bërë francezët propozimin për gjermanen – e pazakontë kjo nuk do të ishte. Në vitin 1985, ishte Helmut Kohli që ia propozoi Jacques Delors-in si kandidat për President të KE, François Miterrand-it (që fillimisht donte të propozonte Claude Cheysson për këtë post). Kohlit i pëlqente natyra e palodhur në punë e Delors-it, dhe thoshte se Delors "kishte një anë gjermane”.

Von der Leyeni ka me sa duket mbështetje nga shumë shtete evropiane për kandidaturën e re të saj. Kundërkandidatë seriozë që ta rrezikojnë, 65 vjeçarja nuk ka. Formalisht, si kandidate kryesore (Spitzenkandidatin) Ursula von der Leyenin (kandidaten kryesore të CDU-së gjermane për zgjedhjet evropiane) pritet ta propozojë kongresi i EPP (Europeans People's Party) në mars.

Megjithë këto, zgjedhja e saj nuk konsiderohet punë e mbaruar. Kjo për shkak të konstelacioneve që mund të krijohen në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve evropiane, që mbahen nga 6 deri në 9 qershor.

Ursula von der Leyen dhe Edi Rama, 28.09.2021
Fotografi: Franc Zhurda/AP Photo/picture alliance

Braktisje e mundshme e qendrës politike nga KE

Në situatën e jashtëzakonshme aktuale gjeopolitike, në Evropë ka ndodhur thuajse kudo një zhvendosje e ndjeshme djathtas e elektoratit. Sipas sondazheve, grupi i nacionalistëve të djathtë ECR (European Conservatives and Reformists), mund të fitojë në zgjedhje më shumë mandate se liberalët dhe Të Gjelbrit. Te ECR bën pjesë Fratelli d'Italia, të Giorgia Melonit. Po të fitojë më shumë se të Gjelbrit ECR-ja, Partia Popullore Evropiane (EPP) mund të hyjë në koalicion me të, ECR-në, dhe me liberalët.

Ky do të ishte një hap historik: do të kishim një braktisje të qendrës nga Komisioni Evropian. Prej dekadash, BE qeveriset nga një koalicion politik i përbërë nga konservatorët, socialistët, liberalët dhe Të Gjelbrit.

 Ursula von der Leyen me Albin Kurtin, 30.10.2023
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Megjithë parashikimet e sondazheve: Von der Leyen tregohet shumë e kujdesshme që të mos lëndojë me deklarata as Të Gjelbrit. Shumë pika të Paktit të Gjelbër evropian, von der Leyen-i i ka pezulluar në dy vitet e fundit. Këtë e ka bërë e detyruar nga zhvillimet. Sipas kritikëve në Parlamentin Evropian dhe në partinë e saj CDU, hapat e saj të mëparshëm në politikën ambjentaliste kishin shkuar shumë larg.

Është Parlamenti Evropian që e ka fjalën e fundit për Presidenten e KE, megjithëse propozimin e bën Këshilli Evropian, pra kryeministrat dhe presidentët e shteteve.

"Në këto pesë vjet, jo vetëm që është rritur pasioni im për Evropën, por sigurisht edhe përvoja ime se sa shumë mund të arrijë kjo Evropë për popullin e saj”, tha von der Leyen të hënën (19.02.) në Berlin pas emërimit nga CDU si kandidate kryesore për zgjedhjet evropiane.

Sot, pesë vjet më vonë, ajo merr "një vendim shumë të vetëdijshëm dhe të mirëmenduar". Fjalë të përshtatshme. Herën e fundit, në Parlamentin Evropian, von der Leyen nuk e pati të lehtë: e zgjodhën me një shumicë të vogël - vetëm nëntë vota mbi shumicën e nevojshme.