Ushtria britanike fillon furnizimin me karburant
5 Tetor 2021Ushtria britanike të hënën filloi angazhimin e shoferëve të cisternave ushtarake për të dërguar benzinë në stacionet e karburantit, në një përpjekje për të zgjidhur krizën energjetike të vendit.
Personeli ushtarak britanik me uniforma lufte mbërriti në një rafineri BP për të ndihmuar në shpërndarjen e karburantit përballë mungesës akute të shoferëve të kamionëve, tha një reporter i Reuters.
Ditët e fundit, Britania e Madhe është prekur rëndë nga mungesa e karburantit, duke nxitur zemërimin publik dhe blerjen në panik.
Shoferët ushtarakë u vunë në gatishmëri në fillim të javës dhe që atëherë kanë marrë trajnime të posaçme.
Bëhet fjalë për krizën më të rëndë të karburantit prej dekadash në Britaninë e Madhe, me imazhe të shoferëve që formojnë radhë të gjata në stacionet e karburantit për të siguruar furnizime të pakta, gjë që dëmton besueshmërinë e qeverisë.
Qeveria e kryeministrit Boris Johnson thotë se burimi i krizës është mungesa e shoferëve të cisternave për të furnizuar karburant dhe kërkesa e pa precedent
Kompanitë e naftës kanë siguruar që nuk ka mungesë në furnizim, thjesht një problem dërgese.
Pse ka mungesë drejtuesësh automjetesh?
Kritikët fajësojnë qeverinë për mungesën e shoferëve, duke e lidhur këtë me qasjen e saj të ashpër ndaj Brexit-it, gjë që çoi në mungesën e shoferëve nga Evropa Lindore, të cilët normalisht furnizonin pikat e karburantit.
Por qeveria e hedh poshtë këtë dhe argumenton se fajin e ka pandemia. Ministrat theksojnë se mungesa e kamionëve është një problem global, megjithëse vendet e tjera evropiane nuk kanë përjetuar një situatë të ngjashme në pikat e karburantit.
Për të përballuar problemin, autoritetet bënë një kthesë 180 gradë në vizat afatshkurtra, duke ofruar deri në 5.000 viza të tilla për drejtuesit e automjeteve të mallrave të rënda (HGV) dhe 5.000 të tjera për punëtorët e shpendëve.
Por kjo është shumë më pak se numri i nevojshëm, sipas shoqatave të industrisë, të cilat vlerësojnë se Britania ka nevojë për 100.000 shoferë të tjerë për të përmbushur kërkesën.
Përfaqësuesit e shoferëve evropianë të kamionëve janë gjithashtu skeptikë, që shoferët do të donin të vinin në Britaninë e Madhe me viza që do të përfundonin më 24 dhjetor.
Qeveria britanike thotë se zgjidhja afatgjatë është të punësimi i më shumë shoferëve britanikë dhe ofrimi i pagesës dhe kushteve më të mira. Përgatitja profesionale dhe testimi janë lënë pezull gjatë pandemisë së koronavirusit.
Cila është gjendja aktuale e punëve?
Kërkesa për karburant është stabilizuar gjatë ditëve të fundit, por disa pjesë të vendit ende përballen me mungesa të mëdha.
Ndërsa stacionet e karburantit në Londër dhe Anglinë juglindore vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e karburantit, situata është përmirësuar në Anglinë veriore dhe Skoci, tha të shtunën Shoqata e Shitësve me Pakicë të Petrolit (PRA).
Mungesa e shoferëve ka prekur jo vetëm dërgesat e karburantit, por edhe furnizimet e tjera të mallrave të konsumit, duke i bërë një pamje të zakonshme raftet bosh në supermarkete.
Pavarësisht problemeve, Johnsoni të shtunën u zotua të vazhdojë me agjendën e tij pas Brexit-it për Britaninë e Madhe.
Ai gjithashtu ka zemëruar Brukselin duke kërcënuar se do të heqë dorë nga disa prej marrëveshjeve të reja tregtare për Irlandën e Veriut. Veç kësaj, autoritetet britanike kanë shtyrë zbatimin e plotë të kontrolleve të reja kufitare në importet nga Bashkimi Evropian.
BE ka thënë se nuk do të rinegociojë kushtet e të ashtuquajturit protokoll të Irlandës së Veriut, i cili rregullon tregtinë midis Britanisë dhe krahinës së saj, e cila kufizohet me Irlandën, anëtare të BE.
aud (dw, rtr)