Ushtria iraniane e gatshme për shtypjen e protestave
4 Janar 2018Ushtria iraniane është e gatshme për shtypjen e protestave antiqeveritare. Kështu njoftojnë mediat shtetërore të vendit që i referohen komandantit të përgjithshëm të këtyre trupave.
Ndërkohë mbajtësja e çmimit Nobel për Paqen avokatja Shirin Ebadi u bëri thirrje bashkatdhetarëve të saj që të vazhdojnë të demonstrojnë. Shirin Ebadi u bëri në një deklaratë për të përditshmen arabe "Al-Sharq al-Awsat", thirrje iranianëve "të qëndrojnë në rrugë", sepse demonstrata është një e drejtë që ua jep atyre kushtetuta e Iranit. Në deklaratën për gazetën arabe Al-Sharq al-Awsat, që botohet në Londër, avokatja për të drejtat e njeriut Shirin Ebadi, theksoi edhe që duhet të mënjanohet dhuna. Gazeta "Al-Sharq al-Awsat" financohet prej Arabisë Saudite që është armike për kokë e Iranit.
Për t'i bërë presion qeverisë iranianët nuk duhet të paguajnë faturat e ujit dhe të dritave, të mos paguajnë taksat dhe të tërheqin paratë nga bankat shtetërore, tha Ebadi, e cila vetë jeton në mërgim në Britaninë e Madhe.
Protestat kundër qeverisë në Teheran janë më seriozet që nga viti 2009. Ato u ndezën për shkak të pakënaqësisë me gjendjen e keqe ekonomike. Deri tani kanë vdekur 21 vetë dhe janë arrestuar qindra të tjerë. Në tri krahina të vendit janë dërguar njësi të Gardës Revolucionare për të ndalur përhapjen e trazirave.