Ushtria në Egjipt rrëzon Mursin
4 Korrik 2013Pas ultimatimit të ushtrisë kundër Presidentit Mursi, kushtetuta është nxjerrë përkohësisht nga fuqia. Këtë e bëri të ditur një komandant i ushtrisë të mërkurën (03.07.) në darkë. Gjykata kushtetuese emëroi një president tranzitor, ai do të jetë presidenti i Gjykatës. Ministri i mbrojtjes së Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi bëri të ditur më tej se do të mbahen zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare. Shteti afrikan do të ketë tani një qeveri teknokratësh. Plani për hapat e mëtejshëm është vendosur me politikanë dhe me persona të tjerë të jetës publike, u bë e ditur.
Opozita mbështet ushtrinë
Udhëheqësi liberal opozitar, Mohamed el Baradei tha të mërkurën se revolucioni i Pranverës Arabe i vitit 2011 ka rinisur me shpalljen e udhërrëfyesit të mbështetur nga ushtria, i cili largoi nga pushteti presidentin islamist, Mohamed Mursi. Ai shtoi se udhërrëfyesi i plotëson kushtet për zgjedhje të hershme presidenciale, siç kërkohen nga koalicioni liberal. Edhe partia e dytë islamike e Egjipit, Nur bëri të ditur se ra dakord për një "udhërrëfyes" politik të ushtrisë, që nxjerr nga fuqia kushtetutën, në mënyrë që vendi t'i shmanget konfliktit. "Ne e morëm këtë vendim, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta ndalojmë gjakderdhjen e popullit tonë", tha Galal Murra, sekretari i përgjithshëm i partisë Nur në një fjalim televiziv.
Mbi Sheshin Tahrir, qendrën e protestave kundër Mohamed Mursit, shpërthyen fishekzjarre pas shfuqizimit të kushtetutës nga ushtria dhe caktimit të një kryetari shteti të përkohshëm. "Njerëzit dhe ushtria janë një", thërrisnin protestuesit në shesh e këndonin.
Pas shkarkimit të tij nga ushtria, presidenti i shkarkuar Mohamed Mursi u bëri thirrje mbështetësve të tij që të bëjnë rezistencë paqësore kundër "puçit", i tha një i besuar i Mursit agjencisë së lajmeve AFP.
Më parë, njësi speciale të policisë dhe ushtrisë patën vënë nën kontroll zonat prej ku pritej mbështetje për Mursin. Disa dyzina tankesh në Kairo i bllokuan mbështetësit e Mursit në lagjet e tyre. Agjencia egjiptiane e lajmeve, Mena bëri të ditur për prani masive të trupave në lagjet Nasr City, Heliopolis dhe në afërsi të universitetit. Presidenti sipas njoftimeve ndodhej në një kazermë të Gardës Republikane në një periferi të Kairos.
Këshilltari për Sigurinë i Mursit, Essam al-Haddad e akuzoi ushtrinë për grusht shteti. "Për interesin e Egjiptit dhe për saktësinë historike, na lejoni ta quajmë këtë që po ndodh me emrin e saj: një puç ushtarak", shkroi al-Haddad në Facebook.
Mursi nuk lëshoi pe
Pasditen e së mërkurës pati skaduar një ultimatum i ushtrisë. Pas protestave disaditore, ushtria i kishte kërkuar Mursit që ta zgjidhte krizën dhe t'i respektonte kërkesat e demonstruesve kritikë ndaj qeverisë.
Por në një fjalim në mesnatë, presidenti islamik e refuzoi prerazi mundësinë e një dorëheqjeje. Ai tha se kishte ardhur në pushtet me zgjedhje demokratike. "Këtij legjitimimi unë i përmbahem", pati theksuar Mursi. Njëkohësisht ai pranoi gabime dhe premtoi se do t'i korrigjojë ato. Së fundi ai pati ofruar edhe një qeveri koalicioni të unitetit kombëtar.
Auron Dodi (afp, dpa, rtr)
Redaktoi: Mimoza Kelmendi