Utopi dashurie në Mekën e adhuruesve të Richard Wagnerit
28 Korrik 2022Spektatorët, ndër të cilët edhe ish-kancelarja Angela Merkel, një adhuruese e kompozitorit Richard Wagner, dhuruan shumë duartrokitje në premierën e operës "Tristani dhe Izolda" me të cilën u hap Festivali i Bayreuth-it. Që pas aktit të parë pati duartrokitje të furishme, veçanërisht për sopranon, Catherine Foster, në rolin e Izoldës dhe tenorin, Stephen Gould, në rolin e Tristanit, të cilët kënduan ose vetëm ose në duet.
Regjisori Roland Schwab kishte zgjedhur për insketimin e kësaj drame për dashurinë dhe vdekjen një mjedis spartan dhe futurist për t'i dhënë hapësirë dashurisë dhe muzikës së Richard Wagner-it, sipas filozofisë së të cilit njeriu mund të gjejë vetveten vetëm përmes dashurisë, që është impuls i përgjithshëm dhe kuptim i jetës.
Pretendime ende të pazgjidhura për ngacmime seksuale
Në prag të Festivalit të Bayreuth-it pati akuza të ndryshme për ngacmime seksuale ndaj punonjëseve. Drejtorja e festivalit, Katharina Wagner, tha se për to ka mësuar vetëm përmes shtypit, sepse deri tani drejtuesit e festivalit nuk kanë marrë ende ndonjë ankesë të drejtpërdrejtë. Ajo shtoi se edhe vetë kishte përjetuar ngacmime të tilla, por si drejtore e festivalit kishte ditur të mbrohej dhe u bëri thirrje punonjëseve të prekura që ta kontaktojnë dhe se ajo do t'i trajtojë këto raste si rreptësisht konfidenciale.
Ministrja federale e Kulturës, Claudia Roth, dhe Ministri i landit të Bavarisë për Shkencën dhe Kulturën, Markus Blume, ju bashkuan zërave që kërkojnë një sqarim të pamëshirshëm të akuzave për ngacmime seksuale.
Ministrja e Kulturës, Claudia Roth, ju referua në konferecën për shtyp edhe luftës në Ukrainë dhe tha se aty se po zhvillohet një luftë, e cila drejtohet gjithashtu edhe kundër kulturës, sepse "Rusia po sulmon edhe institucionet kulturore në Ukrainë”.
Arratisje nga bota reale
Opera e Wagner-it "Tristani dhe Izolda" bazohet në një legjendë kelte. Sipas saj për të vendosur paqe mes popujve, vajza e mbretit irlandez, Izolda, i ishte premtuar si nuse xhaxhait të Tristanit, mbretit Marke, në Cornwall. Tristani, i cili dikur kishte vrarë Morold-in, vëllain e Izoldës, vjen me anije për ta marrë atë për xhaxhain e tij. Gjatë udhëtimit Izolda dhe Tristani pinë një pije magjike dhe bien në dashuri.
Një natë, kur kthehet nga gjuetia, mbreti Marke e kap të shoqen Izoldën dhe Tristanin të shtrirë në krevat në krahët e njëri-tjetrit. Ai e plagos Tristanin me shpatën e Morold-it. Izolda kujdeset për Tristanin e plagosur. Dikur Tristani vdes dhe më pas vdes nga mërzitja edhe Izolda.