Marrëdhëniet turko-siriane mes tensionimit dhe çtensionimit
25 Qershor 2012Në fillim të 2011 kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan u shpreh për "vëllazërinë turko-siriane", por ato kohë kanë marrë fund. Qysh prej një viti në Siri luftojnë mes tyre grupet qeveritare dhe ato të opozitës. Turqia donte të ndërmjetësonte në këtë konlfikt, por u injorua prej qeverisë siriane. Më pas të dyja vendet i tëhoqën reciprokisht diplomatët e tyre.
Por fatet e të dyja vendeve janë të lidhura ngushtë midis tyre. Shekuj me radhë Siria ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Turqit sundonin ndaj të gjithë territorit, madje edhe në pjesë të Afrikës së Veriut. Në Luftën e parë Botërore perandoria u shpërbë dhe arabët në Siri nuk qëndruan më gjatë nën sundimin turk. Parë nga këndvështrimi historik, ka lidhje të ndryshme, mendon eksperti i Lindjes së Mesme Peter Philipp, e megjithatë sipas tij: "Unë nuk besoj, se politika e përditshme sot influencohet prej lidhjeve të vjetra."
Tensionim dhe çtensionim
Tensione mes Turqisë dhe Sirisë ka pasur herë pas here. Në kohën e Luftës së Ftohtë, Turqia bëntë pjesë në kampin e fuqive të mëdha perëndimore, në të kundërt Siria mbante kontakte të mira me Bashkimin Sovjetik. Ende sot e vetmja bazë mbrojtëse detare e Rusisë në Mesdhe ndodhet në portin sirian në qytetin Tartus.
Në vitet 1990 pati një tension politik: Siria i ofroi azil politik ish-udhëheqësit të Partisë Punëtore Kurde (PKK) Abdullah Öcalan. Turqia kërcënoi me luftë. Udhëheqësit të PKK-së Öcalan iu desh të largohej nga Siria. Ai u arrestua në Turqi.
Më pas marrëdhëniet u çtensionuan dukshëm mes Turqisë dhe Sirisë: Kufiri u hap, u shfuqizua reciprokisht detyrimi për vizë si dhe u hoqën tërësisht kufizimet tregtare në kufirin e përbashkët.
Interesa ekonomike
Turqia, e cila në dekadat e fundit ka përjetuar një hop të fuqishëm ekonomik - natyrisht ka qenë e interesuar për zgjerimin e rrugëve tregtare, mendon eksperti Peter Philipp. "Turqia ka kontakte të ngushta ekonomike me shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme. Siria si vend fqinj është padyshim një treg interesant." Siria është një vend tranziti për mallrat nga Turqia drejt vendeve të tjera të rajonit të Lindjes së Mesme.
E megjithëse marrëdhëniet janë përmirësuar disa çështje kanë mbetur të pasqaruara: Qysh prej njëqind vjetësh të dy vendet grinden për provincën bregdetare Hatey, e cila pas pështjellimeve të Luftës së parë Botërore iu aneksua Turqisë. Edhe kurdët pashtetësi, të cilët shtypen si në Turqi edhe në Siri, japin shkas për tensione.
Politikë e jashtme e ndryshme
Turqia për një kohë të gjatë ka ndjekur një politikë të jashtme ndaj vendeve të rajonit, që ka qenë e orientuar fort prej neutralitetit dhe dialogut. Qeveria turke p.sh. ka ndërmjetësuar mes Sirisë dhe Izraelit. "Për një kohë të gjatë kjo ka pasur efekt pozitiv në marrëdhëniet reciproke mes Ankarasë dhe Damaskut", thekson Philipp. Politika e jashtme e Turqisë kësisoj nuk krahasohet me atë të vendeve të tjera të rajonit. Sipas ekspertit Philipp sirianët kanë qenë gjithmonë mjaft të rezervuar në ndaj aksioneve të mëdha diplomatike.
E çara midis dy shteteve ndodhi për herë të parë në vitin 2011. Qeverisë turke iu desh të vendosë, nëse do të vazhdojë ta mbështesë edhe më tej "vëllain" Assad, apo do të mbështesë opozitën, të cilën Assad e mposht me dhunë. Turqia hoqi dorë prej kursit të saj neutral duke u pozicionuar qartë. Që nga ajo kohë ajo mbështet lëvizjen opozitare. Ajo kërkon dorëheqjen e Assad, u garanton strehë forcave opozitare në zonën kufitare dhe ka pranuar mbi 30.000 refugjatë. "Kësisoj sot Turqia nuk është më një fqinje paqësore e Sirisë", mendon Peter Philipp.
Semih Idiz, specialist për politikën e jashtme i gazetës liberale "Milliyet", beson, se Turqia ndërkohë është e pozicionuar ndryshe nga pak vite më parë: "Duke mbajtur anën në konflikte të rënda në rajon Turqia e ka humbur rolin e mëparshëm", thotë për DW Idiz. Edhe kundrejt Izraelit, Iranit dhe Irakut marrëdhëniet janë përkeqësuar.
Pasoja të paparashikueshme
Për ekspertin e Lindjes së Mesme Phillipp është e pamundur që Turqia të ndërhyjë ushtarakisht në Siri. Ajo nuk do të involvohet edhe më shumë në këtë luftë, kjo edhe për t'u vetëmbrojtur. Kufiri mes Turqisë dhe Sirisë është 900 km. i gjatë. Një luftë mund të destabilizonte rajone të mëdha në Turqi.
Por një vend si Turqia mund të implikohet në konfrontim, edhe nëse nuk e do fare këtë, thekson Philipp. Si Turqia edhe Siria kanë trupa të fuqishme. Turqia është anëtare e NATO-s, dhe Siria ka një pakt ndihme në rast nevoje me Irakun. Kësisoj mund të hasim në rastin e reagimit pët të mbështetur aleatët, gjë që mund të kishte pasoja të paparashikueshme për të dyja vendet.