Vaksinat e dobëta favorizojnë mutacionet e rrezikshme
27 Janar 2021Në rast se vaksinat nuk janë të fuqishme, viruset që anashkalojnë sistemin imunitar të njeriut, mund të prodhojnë mutacione, prej të cilave mund të infektohen përsëri ata që janë shëruar. Po ashtu nëse vaksinat që janë tani në përdorim nuk funksionojnë më, bëhet i nevojshëm rifreskimi i tyre.
Sipas vaksinologut Philip Krause, i cili kryeson grupin e punës të OBSH-së për vaksinat COVID-19 deri tani virusi korona nuk duket se është bërë rezistent ndaj vaksinave. Por ai thotë se "zhvillimi i shpejtë i mutacioneve të bën të supozosh që virusi mund të zhvillohet në një fenotip rezistent ndaj vaksinës më shpejt sesa do të dëshironim."
Evolucioni i varianteve të virusit
Gjatë riprodhimit kodi gjenetik i virusit zhvillon mutacione. Dhe vaksinat që po përdoren tani ushtrojnë presion evolucionar mbi virusin. Pra në gjendje të riprodhohen do të jenë vetëm ato variante të virusit, të cilat i shpëtojnë sistemit imunitar për shkak të mutacioneve të tyre.
Po ashtu virologu Andrew Read i Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë thotë se zhvillimin e llojeve të rrezikshme të virusit mund ta nxisin edhe vaksinat e dobëta ose shtyrja e tepërt e vaksinimit të dytë.
Kjo është arsyeja pse vonesa e dozës së dytë të vaksinimit, siç në Britaninë e Madhe dhe së shpejti ndoshta në SHBA, shihet me mjaft kritikë. Sepse kjo do të thotë që organizimi i shumë njerëzve që kanë mbrojtje fillestare prej dozës së parë të vaksinës, nuk mund të krijojë një përgjigje mjaft të fortë imunitare.
Në këto kushte viruset krijojnë mutacione dhe nëse një virus i tillë godet një person të pavaksinuar, efektet mund të jenë shkatërruese. Shumë virologë mendojnë përhapja e pakontrolluar e virusit për shkak të rritjes së infektimeve përbën një rrezik të madh.
Vaksinim i vazhdueshëm si me vaksinën e gripit?
Për fat të mirë deri tani vetëm pak viruse kanë zhvilluar rezistencë ndaj vaksinave dhe shumë vaksina janë efektive. Për shembull, as virusi i lisë dhe as virusi i fruthit nuk ishin në gjendje të zhvillonin mutacione që t'i shpëtonin imunitetit të gjeneruar nga vaksina.
Ndryshe qëndron puna me viruset e gripit, që zhvillohen aq shpejt, saqë çdo vit nevojitet të zhvillohet një vaksinë e re. Nëse SARS-CoV-2 sillet në mënyrë të ngjashme, duhet që edhe vaksinat kundër koronës të azhurnohen rregullisht.