Varshava me politikë konfrontimi ndaj Berlinit
5 Maj 2023Gjermania u ka shërbyer tradicionalisht forcave konservatore nacionale në Poloni për të ngjallur frikë. Me një fantazi të pasur ato e kanë akuzuar Gjermaninë se si përcaktuese e drejtimit të BE synon të kufizojë sovranitetin e Polonisë; herë tjetër ato e kanë paraqitur Gjermaninë si frenuese të zhvillimit ekonomik të Polonisë, për shkak të dominancës ekonomike gjermane në BE; në formën më radikale tani ato i mohojnë Gjermanisë legjitimitetin për të drejtuar BE, për shkak të politikës së mëparshme ndaj Rusisë.
Ka një fiksim të Polonisë te Gjermania, në një kohë kur për Gjermaninë Polonia është njëra ndër disa fqinjet e rëndësishme. Në një artikull në medie vitin e kaluar, ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau u shpreh se BE „nuk ka nevojë për udhëheqje nga Gjermania, por për vetëkufizim gjerman.” Kjo deklaratë tingëllon diametralisht e kundërt me deklaratën e vitit 2011 të ministrit të Jashtëm polak Radoslav Sikorski: "Unë sot kam më pak frikë nga fuqia gjermane se sa nga mosveprimi gjerman.”
Aktualisht, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, Polonia e kritikoi publikisht Gjermaninë për ngurimin fillestar që të dërgojë armatime në Ukrainë. E pafalshme sipas qeveritarëve polakë është që Gjermania i injoroi paralajmërimet polake për rrezikun e lidhjeve ekonomike me Rusinë, veçanërisht për gazsjellësin Nordstream.
Me një fushatë të mbështetur si nga parlamenti polak, ashtu edhe nga qeveria, Polonia ka shkuar edhe më tej: ajo i kërkon Gjermanisë t'i paguajë reparacione për dëmet në Luftën e Dytë Botërore. 1,3 bilionë euro është shuma e reparacioneve të vendosura nga një komision i parlamentit polak.
Jaroslaw Kaczynski, kreu i partisë në pushtet Ligji dhe Drejtësia (PiS), e akuzoi në dhjetor 2021 Gjermaninë madje se përpiqet ta kthejë BE "në një Rajh të Katërt Gjerman." Dy muaj më parë Gjykata Evropiane e Drejtësisë e kishte dënuar Poloninë me një gjobë prej 1 milionë eurosh në ditë, për shkelje të rënda ligjore dhe injorim të vendimit të Gjykatës.
Reagimi i qeverisë gjermane dhe historianëve për reparacionet
Ky instrumentalizim i historisë së vjetër dhe të re nga qeveria polake ndiqet më zhgënjim në Gjermani. Për reparacionet qeveria gjermane është përgjigjur me shkrim se i konsideron të mbyllura. Në tetor 2022, ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock deklaroi në Varshavë se "Gjermania e pranon përgjegjësinë e saj historike, pa asnjë diskutim". Por shtoi se "çështja e reparacioneve është mbyllur, nga këndvështrimi i qeverisë gjermane”.
Sipas historianëve të pavarur polakë, Polonia ka marrë reparacione pas Luftës së Dytë Botërore. Ato i ka marrë përmes Bashkimit Sovjetik, si qe vendosur më 1945 në konferencën e Potsdamit. Reparacionet qenë në formën e makinerive e pajisjeve, fabrikave, dhe anijeve të mallrave. Mbi të gjitha Bashkimi Sovjetik e dëmshpërbleu Poloninë me territoret lindore të Gjermanisë, prej ku Polonia shpërnguli popullatën gjermane.
Në vitin 1957, me një deklaratë të vlefshme edhe sot, qeveria polake hoqi dorë nga reparacionet e mëtejshme ndaj të dyja Gjermanive. Këtë hap e kishte bërë edhe Bashkimi Sovjetik, pas kryengritjes në RDGJ në vitin 1956. Polonia thotë tani se e bëri këtë nga presioni sovjetik.
Pas vitit 1990, qeveria gjermane pagoi 500 milionë marka gjermane në një fond global për Poloninë. Më parë qenë zhdëmtuar punonjësit me detyrim dhe viktimat e eksperimenteve shëndetësore.
Shtypit britanik i tërhoqi së fundi vëmendjen se Polonia nuk i kërkon reparacione edhe Rusisë, për planet e fshehta të ndarjes së Polonisë me Gjermaninë në Luftën e Dytë Botërore. Rusia për Poloninë është "civilizim tjetër" që e ka radhën pas Gjermanisë. Kjo qe përgjigjia e një sekretari shteti të Polonisë për gazetën Financial Times.
Gjermania - furnizuesja e tretë në botë e armëve për Ukrainën
Përsa u përket armatimeve për Ukrainën, autoritetet gjermane kujtojnë se Gjermania është sot furnizuesja e tretë në botë e armëve për Ukrainën. Gjermania strehon sot numrin më të madh të refugjatëve ukrainas ndër shtetet perëndimore: 1,1 milionë refugjatë nga Ukraina ndodhen aktualisht në Gjermani.
Përsa u përket lidhjeve ekonomike gjermano-ruse, autoritetet kujtojnë se Polonia ka importuar vetë më parë qymyr nga Rusia.
Qeveria polake i regjistron ndryshimet në politikën gjermane të sigurisë dhe ato ndaj Lindjes. Por i sheh ato thjesht si të pamjaftueshme. Ambasadori gjerman në Poloni Thomas Bagger u tha mediave se ai sqaron atje më këmbëngulje, se "ndryshimi i epokave" në Gjermani është i pakthyeshëm. Kemi të bëjmë me një ndryshim të vërtetë politik dhe mendor.
Por Polonia kërkon qëndrim radikal izolues për Rusinë, nga Gjermania dhe nga BE. Në Varshavë druhen se Gjermania dhe Perëndimi mund të përpiqen për negociata paqeje me Rusinë, për të frenuar një përshkallëzim të luftës.
Një nga shpjegimet për këtë sjellje është trauma historike polake, që ka të bëjë me humbjen e sovranitetit dhe të lirisë. Kurse trauma historike e Gjermanisë (dhe e Perëndimit) është përshkallëzimi i gjendjes dhe shkatërrimi.
Marrëdhëniet ekonomike Berlin-Varshavë me zhvillim të dukshëm
Analistë gjermanë tërheqin vëmendjen se marrëdhënia Berlin-Varshavë është bërë e rëndësishme për Evropën, në pikëpamje gjeostrategjike dhe politike.
Në pikëpamje ekonomike, Polonia ka avancuar në partnerin e pestë tregtar të Gjermanisë. Vëllimi i bashkëpunimit ekonomik të Gjermanisë me Poloninë tani është vetëm pak më i vogël se ai Gjermani-Francë.
Në vitin 2022 tregtia mes dy vendeve u rrit 14 përqind, duke u bërë trefishi i vëllimit të shkëmbimit tregtar të Gjermanisë me Rusinë. Rëndësia e Polonisë pritet të rritet, si furnizuese alternative për Gjermaninë, pas sanksioneve kundër Rusisë.
Koncerni Mercedes-Benz vendosi në dhjetor 2022 të investojë 1 miliardë dollarë në Poloni: për të ndërtuar atje një fabrikë furgonash krejt elektrikë. Kurse Polonia furnizon me naftë rafineritë gjermane në Schwedt dhe Leuna, pas ndërprerjes së furnizimit nga Rusia.
Bashkëpunimi ecën pa probleme edhe në fushën ushtarake: Polonia dhe Gjermania dërgojnë së bashku tanke luftarake në Ukrainë. Së fundi, Gjermania i vuri në dispozicion Polonisë së fundi një sistem raketëmbrojtës Patriot. 300 ushtarë gjermanë për të komanduar systemin janë stacionuar në jug të Polonisë, fillimisht deri në qershor.
Motive të qëndrimit polak ndaj Gjermanisë
Vëzhgues të ndryshëm shohin në fushatën antigjermane dhe antievropiane të qeverisë polake motive afatshkurtra dhe afatgjata.
Motivet afatshkurtra kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare në Poloni këtë vjeshtë. Qeveria e partisë Ligji dhe Drejtësia druhet se mund të humbasë shumicën. Ndaj mendon se duke e kthyer Gjermaninë në tabelë qitjeje, kënaq sidomos një pjesë të elektoratit të vjetër, që është rritur në komunizëm me tregime antigjermane.
Nga ana tjetër, qeveria polake synon të demaskojë opozitën liberale rreth Donald Tuskut, ish-Presidentit të Këshillit Evropian, të cilin për ta denigruar e paraqet si agjent të interesave gjermane. Për t'i shpëtuar akuzës për qëndrim jopatriotik, edhe opozita polake votoi së fundi pro kërkesës për reparacione ndaj Gjermanisë.
Politikanët konservatorë polakë e shohin Poloninë tani në një fazë fuqie, kurse Gjermaninë në një fazë dobësie. Dobësinë e lidhin me dështimin e politikës së mëparshme gjermane ndaj Lindjes dhe me vështirësitë për burime energjetike të Gjermanisë.
Në plan afatgjatë, fitimin papritur të rëndësisë gjeopolitike, kjo qeveri polake preferon ta përdorë si kundërpeshë ndaj Gjermanisë në BE.
Kjo ka traditë. Që në 30 janar 2003, ende pa hyrë në BE, Polonia u bë pjesë e "Deklaratës së tetë vendeve". Ato nuk mbështesnin refuzimin nga Franca dhe Gjermania të ndërhyrjes amerikane në Irak dhe mbështesnin sulmin amerikan atje.
Marrëdhënia e posaçme me SHBA e ka forcuar tani pozicionin gjeostrategjik të Polonisë. Por SHBA nuk janë të interesuara për një konflikt midis Polonisë dhe Gjermanisë, edhe nëse në Varshavë tregohen euforikë për marrëdhënien me Uashingtonin.
Aktualisht, Polonia kundërshton si "utopike dhe prandaj të rrezikshme (Morawiecki)" çdo tendencë për thellim e federalizim të BE, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca. Ajo përpiqet t'i kundërvërë kësaj një aleancë shtetesh nacionale p.sh. me Rumaninë, Shtetet Baltike e Finlandën.
Sa sukses ka qeveria polake me agjendën antigjermane
Por sukseset polake për të krijuar një koalicion shtetesh kritike ndaj Gjermanisë (e Francës) lënë për të dëshiruar. Kjo pasi shtetet e tjera nuk janë të interesuara për cënimin e marrëdhënieve me Gjermaninë.
Metodat jokonstruktive që ndjekin partitë konservatore në Poloni ndaj Gjermanisë, sidomos 20 vitet e fundit, nuk të ngjallin simpati për kërkesat polake. Edhe sipas politikanëve opozitarë polakë, kjo qasje vë në rrezik rolin drejtues që dëshiron të marrë Polonia në rajon pas luftës së Ukrainës.
Ish-ministri i jashtëm polak, Radoslav Sikorski u tha së fundi medieve perëndimore se rolin e Polonisë mund ta marrë edhe Rumania. Ajo vërtet është sa gjysma e Polonisë, por nuk përfshihet në luftëra të kota me Evropën, si qeveria polake.