EU Schengen
17 Shtator 2011Ka 25 shtete të Schengen-it me gjithsej 400 milionë vetë, dhe çdo vit kufiri Schengen kalohet pa kontrolle prej evropianëve më shumë se një miliard herë. Me këto shifra komisionerja e BE-së për punët e brendshme Cecilia Malmström donte të bënte të qartë, se në lojë është diçka e madhe. Por, në sistemin Schengen dëgjohen fërkimet. Franca pati mbyllur përkohësisht në fillim të vitit kufirin me Italinë, kur druante një vërshim të refugjatëve afrikanoveriorë. Dhe qeveria daneze e larguar kohët e fundit me zgjedhje pati rifutur kontrelle kufitare me argumentin, se me këtë donte të ndalonte kriminalitetin e organizuar dhe imigrimin e paligjshëm. Sjellja e disa vendeve kërcënon ndërkohë një nga arritjet më të mëdha evropiane, druan Malmström. "Në moment shtetet anëtare kanë autoritetin për të vendosur për rifutjen e kontrolleve kufitare. Por, meqenëse qarkullimi i lirë i personave në hapësirën Schengen është një e mirë e përbashkët evropiane për të gjithë, Komisioni gjykon, se edhe vendimi për t'i kontrolluar sërish kufijtë, duhet të merret në rrafsh evropian."
Është vepruar kundër frymës së Schengen-it
Deri tani shtetet anëtare lejohen të rifusin përkohësisht kontrolle. Te këto kritere Komisioni nuk do të ndryshojë asgjë. Atij i duket vetëm se Franca dhe Danimarka i kanë përdorur mundësitë e tyre disi arbitrarisht duke minuar kësisoj besimin e ndërsjellë. Prandaj, zgjidhja e Malmström-it: Vendime të përbashkëta në vend të atyre të shteteve të veçanta. "Sipas rregullores së re Komisioni do të vendoste nëse kontrollet kufitare mund të rifuteshin në rast ngjarjesh të parashikueshme, si veprimtarive sportive ose takimeve të G8-ës. Shteti i prekur do ta informonte Komisionin shumë herët. Vendimi do të mbështetej prej një shumice të cilësuar të shteteve anëtare. Në rast ngjarjesh të paparashikueshme, si atentate terroriste ose katastrofa natyrore, shteti anëtar mund të vazhdonte t'i mbyllte kufijtë menjëhere dhe për maksimalisht pesë ditë. Ai mund të kërkonte pranë Komisionit një zgjatje. Për të do të vendosej më pas bashkarisht mbi bazën e një propozimi të Komisionit."
Refugjatët si kërcënim për rendin publik?
Grindje të madhe ka pasur vazhdimisht në çështjen, nëse migrimi i veçanërisht shumë refugjatëve është një arsye për t'i ulur sërish trarët e kufirit. Pas trysnisë së madhe të disa shteteve në fund Komisioni miratoi në parim, që kjo mund të jetë një arsye. Megjithatë, vetëm atëherë kur shteti vërteton, se numri i refugjatëve rrezikon rendin publik. Por që tani është e qartë, se propozimi i Komisionit për t'i zhvendosur kompetencat tek ai vetë, do të hasë në qëndresë të fortë. Për shembull, ministri i brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich pati thënë që në mars, se qeveria e tij do të këshillohet për autoritetin për të vendosur. "Nuk më duket aspak me vend sinjali, që detyrën sovrane të shteteve kombëtare, për të mbrojtur sigurinë e shtetasve të tyre, ta kthejmë një njëfarë mënyrë në detyrë të BE-së. Ky do të ishte me siguri një sinjal i gabuar." Spanja dhe Franca mendojnë në të njëjtën mënyrë, kësisoj bëhen tri shtete të mëdha të hapësirës Schengen. Nga ana tjetër, të gjitha qeveritë e dinë se sa shumë e vlerësojnë shtetasit udhëtimin pa kufij dhe nuk duan që t'iu mungojë. Komisionin, Këshillin e Ministrave dhe Parlamentin Evropian i presin negociata intensive.
Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj
Redaktoi: Aida Cama