Vetëm një fillim i mirë! Bisedimet për koalicion në Gjermani
19 Tetor 2021Fillimi është i mirë. Në më pak se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, socialdemokratët, (SPD), liberalët, (FDP) dhe Të Gjelbrit e përfunduan me sukses fazën e bisedimeve paraprake, ku verifikohet, nëse ka aq të përbashkëta mes partive, që të kalohet në fazën tjetër të bisedimeve zyrtare për koalicion. Të përbashkëtat pra ekzistojnë.Koha e Krishtlindjeve si afat final për krijimin e qeverisë së re duket realiste. Një periudhë e tejzgjatur pezullie do të mënjanohej kështu për Gjermaninë, BE dhe aktorët ndërkombëtarë.
Edhe një lajm tjetër i mirë...para së të vijë një "Por" e madhe.
Siç u premtua krijimi i qeverisë së re nuk u bë treg medial koketerish. Kujtojmë herët e fundit të bisedimeve për koalicion, kur mediat rregullisht ushqeheshin me deklarata nga bisedimet e brendshme. Apo kur në ballkonët, që shiheshin nga të gjithë luhej teatër me ndërrim aktorësh. Këtë herë u tregua disiplinë. Kjo krijon përshtypjen e qëndrueshmërisë. Por kaq e stabilizuar situata nuk është.
Nuk është ar çdo gjë që shkëlqen
Kuota e vaksinimit në Gjermani nuk është aq e lartë sa në vende të tjera të BE dhe se si do të zhvillohet pandemia këtë dimër nuk dihet. Pavarësimi në prodhimin energjitik përmes prodhimit të energjive të rigjenerueshme kërkohet gjithnjë e më shumë me zë të lartë, por aftësitë nuk janë zhvilluar sa duhet. Në vend të kësaj rritet njëherë për njëherë varësia nga gazi rus. Partia e dytë popullore pas SPD-së, CDU-ja ndodhet në krizën më të rëndë të historisë së saj.
Aleanca treshe, e ashtuquajtur "semafor" paraqitet si "koalicion i së ardhmes". Por ajo duhet të zgjidhë njëherë shumë probleme të së tashmes. Pa harruar çështjen, se si do të financohen këto plane. Politika e shpëtimit e Coronës e Gjermanisë ishte mjaft zemërgjerë, duke kushtuar kështu kushedi sa miliarda. Shumë rezerva financiare janë zbrazur.
Një koalicion tresh në federatë risi për Gjermaninë
Këto kohë flitet shumë për një "bashkëpunim" të ri. Sado bukur të tingëllojë kjo, së pari është një fakt. Sepse për herë të parë në historinë e Republikës Federale do të ketë një koalicion tre partish në nivel federal. Vërtet që politikanët mund të bazohen në përvojat e qeverive të landeve, por gjetja e kompromiseve mes tre partive është më e vështirë. Në negociata nuk ka asnjë partner dukshëm më të fuqishëm. Liberalët dhe Të Gjelbrit së bashku janë po aq të fortë sa SPD.
Po ashtu pas aktorëve të ardhshëm të politikës që janë në rresht të parë qëndrojnë parti të fuqishme me orientimet e tyre, si psh në politikën e tatimeve. Brenda partive veprojnë grupime, krahë të caktuar, qendra pushteti që duhet t'i mbështesin vendimet që merren. Këta janë bashkë-lojtarë që mund të sjellin dinamika të tjera. Siç duket tani në Berlin, ku u zgjodh senati i ri. Aty Franziska Giffey e SPD u paraqit në zgjedhje me qëllimin të krjojë një koalicion qytetar-liberal, me CDU ose FDP. Tani asaj i duhet të ndjekë vullnetin e partisë së saj, dhe kërkon një ringjallje të koalicionit të majtë me Të Gjelbrit dhe të Majtët.
Në negociatat për koalicion në Gjermani bëhet fjalë edhe për shpërndarjen e posteve. Posti i ministrit të Financave shihet si post kyç, prandaj aty fillon lufta e vërtetë për pushtetin e ardhshëm, ku do të kuptohet sa të qëndrueshëm janë uniteti dhe solidaritet i përfolur.